Sueton Zhugri: Lermë të të shoh

Shoh që ke shpëtuar
nuk mund t’i besoj as syve.
Kalove kanalin e Otrantos me barkën që të fuste ujë.
Në rrjetën e çeliktë hape me dhëmbë një vrimë në kufirin jugosllav.
I mbijetove të rrahurave të rojeve,
kafshimit të helmuar të qenve,
përdhunimit masiv në qelinë e burgut, duarve që të shtrënguan
me orë në fyt.

Nuk i besoj dot syve!
Mbijetove urinë, etjen,
të fjeturit në qiellin e hapur
lakuriq përkëdheljesh të padhëna,
me sytë gjysmëmbyllur në stolat e parkut të dhimbjeve,
mungesën e identitetit, grisjen e të vërtetës, ilegal prej lindjeje ja ku je…
Shoh që ia ke hedhur
me tikun nevrik të syve.
Të goditurat me litar të lagur mbi eshtrat e shpinës të janë shëruar,
drita e shqyer e mëngjeseve nuk të ka dëmtuar vështrimin;
vetullat fare pak të dridhen.

Shoh që ke mbijetuar, je gjallë
në e mbi të gjitha,
veç zemrës tënde gatuar
paçe.

8.2.2018