Sueton Zhugri: Mëshira hyjnore

Poezi nga Sueton Zhugri

Një gjahtar ka një sy të mirë
e një tjetër më pak të mirë.
Para se të tërheqi këmbzën
mban frymë thellë në respekt të gjahut
sytë i mbushen me gjak dhe goja i thahet,
nervat i tendosen fuqimisht kur vendos
me jetën dhe vdekjen e tjetërkujt varur
në fije të perit,
dhe lëkurën një ditë më vonë ia shkep nga trupi si lëvozhgë arre,
dhe kokën ia ngujon për muri si trofe.

(E gjitha kjo në shenjë respekti e admirimi; sigurisht)

Në grep kur peshkun e shkul nga guvat e të panjohurës
di të dëgjojë këngën e thellësive
që krijesa këndon,
di ti përkëdhelë luspat.
Ai është një gjahtar që bëhet një
me dhimbjen e gjahut.
Përpin mishin dhe brengën e tij
e i këndon lavde gjakut të pafajshëm
derdhur nga dora e tij.

Është krenar për hisen e tij si gjahtar. Është një ekzekutues i lumtur;
në universin e vrasësve;
Nuk vret thjesht sa për të vrarë.
Ai është një artist në rrjedhjen e gjakut dhe shuarjen e syve. Asgjë me tepri.
Ky është vendi që ai zë në gjithësi.
Kjo për të është mëshira hyjnore.

ObserverKult


Lexo edhe:

SUETON ZHUGRI: MBI TAVOLINË KAM LËNË ADRESËN E VARRIT…