Bajram Mjeku: Antihimn për Atdheun

shiu poetry by bajram mjeku observerkult donika dabishevci e gjithkohshmja andërr

Me dashtë atdheun si shqiptari, domethënë
me ngufatë në fyt, me zhbirua në gjoks
domethënë, me dhunua sa herë ta do qejfi
sa herë ta përdhosësh, sa herë ta poshtërosh.

I çuditshëm është atdheu, nuk mban mëri kurrë
edhe kur e plagosë për vdekje, edhe kur e zhvatë
domethënë, edhe kur ia rrjep lëkurën për së gjalli
as klithë, as gjëmon kur trupi i kullon gjak.

Me dashtë atdheun si shqiptari, domethënë
në Librin e Amëzës me mohua atësinë e vet
sa herë është ngushtë atdheu, sa herë ulërinë
me u përmjerrë së brendshmi, me u arratis në det.

Midis maskave në teatrin e ndytë, domethënë
me u argëtua me nge si të ishte kloun
ende pa ra perdja me hedhë midis rekuizitave
si paçavuren e ndotur që s’të duhet kurrë.

Me dashtë atdheun si shqiptari, domethënë
me tregtua me flamuj ditën për diell
natën me ngritë dolli për shenjtërinë e tij
ende pa çelë agu lëkurën me ia shpërvjelë.

Atdheu është lulëkuqja jonë e këputur
domethënë, është hapësira që s’e duam kurrë
është oaza e dhembjes, është trëndafili i vyshkur
të cilin në vend të ujit e vadisim me shurrë.