Sueton Zhugri: Sikur ta dija ç’është dashuria!

Sueton Zhugri atome askënd
Sueton Zhugri

Sikur ta dija ç’është dashuria!
Ta fiksoja në qiell si një portret tre dimensional
ta kundroja siç kundrohet një skulpturë
greko-romake me gjithë imtësitë lundruese
pa e përqeshur as tradhëtuar
ose ta mbaja në duar
si një medaljon diamanti verbues,
apo siç mbajnë të miturit një kukull barbi
me flokë të përskuqur e të artë.

Ta dija ç’është lënda që dhemb
që më merr dhe i marr frymën,
atë lirinë që mbytet në robërim e sjelltas
e gjitha e mirëvijëzuar dhe e shkoqur
si damarët e një ëndrre që shihet syhapur.
E mbaruar si lumturi e mbaruar,
e vdekur si ndjenjë e vdekur.

Diçka e pamundur gjersa dashuritë
janë të verbra dhe të paprekshme
si gjuhët e një flake prej nga
s’mund të zgjohesh dhe as rilindësh