Sulmi rus në Ukrainë, 1000 shkrimtarë kundër luftës

Nga Atwood te Pamuk, 1000 shkrimtarët më të njohur të botës bëjnë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të Luftës në Ukrainë. Protestën e tyre kundër pushtimit të nxitur nga Putin, e kanë shprehur me marsh dhe përmes një letre, të cilën e kanë nënshkruar edhe shkrimtar rus, mes tyre edhe Ljudmila Ulickaya

Me një beretë që ta mbrojë nga i ftohti dhe flamurin verdhë e kaltër në duar, Margaret Atwood, 82 vjeçe zbriti në “sheshin e betejës” në Toronto.

Nuk është vetëm, më shumë se 1000 shkrimtarë deri më tani janë shprehur kundër pushtimit të Ukrainës. 

Anglezi Salman Rushdie, nobelisti turk Orhan Pamuk, polakja Olga Tokarczuk, shkrimtarë, gazetarë e artistë të tjerë, kanë kërkuar t’i jepet menjëherë fund luftës.

Kjo kërkesë është shprehur në letrën e publikuar nga Shoqata Botërore e Shkrimtarëve “PEN International”, ku theksi vihet mbi lirinë e të drejtën e jetës.

“Ne, shkrimtarë nga e gjithë bota, jemi të tronditur nga dhuna e forcave ruse kundër Ukrainës. Andaj me urgjencë kërkojmë t’i jepet fund gjakderdhjes. Jemi të bashkuar në dënimin e një lufte të pakuptimtë. Të gjithë njerëzit kanë të drejtën e paqes. Të drejtën për lirinë e shprehjes. Lufta e Putin, është një sulm që i bëhet demokracisë dhe lirisë. Nuk është se bëhet vetëm në Ukrainë, por në të gjithë botën. Do të qëndrojmë të bashkuar në kërkimin e paqes. Nuk mund të ketë një Evropë të lirë dhe të sigurt, nëse Ukraina nuk është e lirë dhe e pavarur. Paqja duhet të triumfojë.”

Mes tyre, ishte edhe shkrimtarja e njohur ruse Ljudmila Ulickaya, e cila në 25 shkurt, ka shkruar në “Le Nouvel Observateur” atë që mediat e konsideruan si një aktakuzë precize.

“Mendoja që brezi im, ai që kishte lindur përgjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore, ishte me fat. Se do të kishim jetuar deri në vdekje pa e njohur luftën. Por, jo! Duket se nuk do të ndodhë kështu. Dhe askush nuk mund të thotë se cili do jetë bilanci i kësaj dite dramatike. Fati i vendit po udhëhiqet nga çmenduria e një njeriu dhe bashkëpunëtorëve të tij besnikë. Ajo çka mund të themi me siguri është vetëm se çfarë do të shkruhet në tekstet e historisë pas 50 vitesh: Dhimbje, frikë dhe turp! Këto janë ndjesitë që ne kemi sot. Ndaj, është e domosdoshme të ndalohet kjo luftë, që egërsohet çdo minutë që kalon”/Shqiptarja.com

—————————

Lexo edhe:

RRËQETHËSE: BËHET VIRALE VIDEO E DJALIT TË RI QË LUAN NË PIANO TEKSA RUSIA…

ObserverKult