Susana Tamaro: Thuaj zemrës PO! Shko ku të dërgon zemra…

Nga Susana Tamaro

Pasi shkrova “Shko ku të çon zemra”, 31 vjet më parë tani, vazhdova të marr letra nga e gjithë bota që më pyesnin: “Po si të shkosh atje ku të çon zemra?”. Në atë libër, protagonistja e moshuar, Ollga thotë se që fëmijë dëgjoi një zë “që këndonte brenda saj”, një lloj gëzimi intensiv dhe i pamotivuar që e shtynte të këndonte shpesh edhe në tavolina. Një zë, megjithatë, që nëna e saj arriti, me një fjali të vetme, ta shuante përgjithmonë: “Nuk mund të këndosh kur nuk je këngëtare!”. E çfarë mund të ishte ai zë, përveçse zëri i zemrës?

U ndodh të gjithëve sidomos në fëmijëri, që të perceptojnë këtë ndjesi të jashtëzakonshme të plotësisë. Mund të zgjasë disa sekonda, një ditë, një muaj. Gjithsesi është aty, ekziston dhe është konfirmimi që zemra jonë është e gjallë, e hapur dhe plot dashuri. Pastaj vjen dikush dhe na thotë: “Nuk mund të këndosh nëse nuk je këngëtar” dhe gjithçka tek ne mbyllet, dorëzohemi.

Pra, në vend që të ndjekim zërin tonë të brendshëm, ne fillojmë të përshtatemi me atë që të tjerët duan nga ne. Shkojmë pak këtu, pak atje, pa një drejtim të vërtetë dhe, duke e bërë këtë, akumulojmë gabime dhe, bashkë me gabimet, vjen dhe trishtimi. Ndihemi gjithnjë e më të pakënaqur, jeta jonë bëhet një barrë që nuk mund ta mbajmë më, e mbi të gjitha pa mundur të imagjinojmë se mund ta braktisim atë barrë. Trupi ynë, i cili është shumë inteligjent, përpiqet të na japë sinjale – dhimbje stomaku, astma, pagjumësi – por, në vend që ta dëgjojmë atë, marrim ndonjë ilaç sa për të mbytur simptomat dhe ecim përpara.

“Sëmundja” e normalitetit

Megjithatë zemra jonë është gjithmonë aty, në qetësi dhe heshtje duke pritur të flasë me ne. Energjia e saj është e pandryshuar, si drita e saj. Në fund, në mënyrë paradoksale, shqetësimi bëhet një lloj batanije e ngrohtë. Jemi të trishtuar, por jemi mirë me këtë; ne nuk shohim asnjë kuptim në jetë, por e pranojmë atë. Jemi ok me këtë situatë, sepse nuk mund të imagjinojmë një gjendje të ndryshme dhe sepse, rreth nesh, shohim se shumë njerëz jetojnë në të njëjtën mënyrë dhe kjo, në një farë mënyre, na jep konfirmimin e “normës”.

“Pasuria” e fëmijërisë

Hapi i parë që duhet bërë është të jesh nostalgjik për fëmijërinë tënde, për atë zë që këndonte brenda teje. Rruga nuk është e lehtë, sigurisht, as pa rreziqe. Në fillim do të ndodhë edhe që të pendohemi për koracën tonë të palumturisë, por më pas, duke parë që jeta jonë ndryshon, gradualisht do të ndihemi më të sigurt, më të vetëdijshëm dhe do ta shikojmë gjendjen tonë të mëparshme me habi. Si ishte e mundur?,- do të pyesim veten. Ishim plot pasuri dhe ndiheshim të varfër! Ishim plot energji dhe ndiheshim të dobët!

ObserverKult

Susana Tamaro

Lexo edhe:

GIBRAN: VETËM NJERËZIT E VEGJËL PËRPIQEN TË POSHTËROJNË DHE TË ULIN TË TJERËT…