Szymborska: Dashuri në shikim të parë

Poezi nga Wislawa Szymborska 

Që të dy janë të bindur
se një ndjenjë e beftë i bashkoi.
E bukur kjo siguri,
por pasiguria është m’e bukur.

Pa u njohur, pandehin
se asgjë s’ka ndodhur kurrë mes tyre.
Por ç’mendojnë rrugët, shkallët, korridoret
ku prej kohësh mund të kryqëzoheshin?

Do të doja t’i pyesja
a s’e mbajnë mend –
njëherë, kur ballë për ballë
u panë te një derë rrotulluese?
një “më falni” mes turme?
një “i keni rënë gabim” në telefon?
Por e di përgjigjen.

Jo, s’e mbajnë mend.

Sa do të habiteshin
po të mësonin se prej kohësh
Rasti luante me ta.

Ende jo plotësisht gati
për t’u kthyer në Fat,
i afronte, i largonte,
u priste rrugën
me një të hovur hidhej tutje,
një të qeshur duke mbytur.

U lanë gjurmë, edhe shenja,
pakogjë se të palexueshme.
Ndoshta para tre vjetësh
apo të martën e shkuar
një fletëz fluturoi tutje
nga njëri sup te tjetri?
Diç humbi e diç u gjet.
Kushedi, mbase topi
mes gëmushave të fëmijërisë?

U panë doreza dhe zile
mbi të cilat para kohe
një prekje prehej mbi një prekje.
Valixhet pranë e pranë në depon e bagazheve.
Një natë, ndoshta, e njëjta ëndërr,
sakaq e turbulluar nga zgjimi.

Çdo fillim, fundja
është thjesht një vijim,
dhe libri i ndodhive
mbetet përherë gjysmë i hapur.

Përktheu: Aida Baro

ObserverKult


Lexo edhe:

SAVIANO: TA DIJA QË KËSHTU DO TË RRJEDHIN GJËRAT, S’DO TA SHKRUAJA KURRË “GOMORRAN”

Roberto Saviano, shkrimtari përkthyer në 51 gjuhë dhe “dënuar me vdekje” nga mafia.

Siç i ka ndodhur atij, si ka ndodhur asnjë shkrimtari tjetër. Pak kohë pasi botoi romanin e tij të parë që e bëri të famshëm “Gomorra”, Roberto Saviano “u dënua me vdekje” nga mafia dhe tashmë jeton jashtë vendit të tij. Libri doli nga shtypi në mars 2006, ndërsa në vjeshtën e 2008-ës, ai do të largohet nga Italia, gjithmonë i mbrojtur nga truprojat.

Në fakt, Saviano ia arriti asaj që e lakmojnë mijëra shkrimtarë në gjithë botën, famën e shpejtë. “Gomorra” është përkthyer deri tani në 51 gjuhë dhe shitur vetëm vitin e parë mbi 130.000 kopje, por autori është mjaft i trishtuar. Sepse atij i ndryshoi krejt jeta e mëparshme, diçka që sot i duket e paimagjinueshme…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU