Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” në kuadër të edicionit të tretë të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do ta organizojë një takim letrar me njërin nga prozatorët e romancierët më të rëndësishëm e më të veçantë të letërsisë së sotme shqipe, Virion Graçin.
Për prozën e tij artistike, me fokusim të veçantë në dy romanet “Pëllumbat i vrasin natën” dhe “Dead end”, do të flasin shkrimtarët e njohur Sali Bashota dhe Gëzim Aliu.
Takimi do të mbahet të premten (09/10/2020), ora 12:00, në restorant “Amaro”, Prishtinë.
Virion Graçi u lind në Gjirokastër, më 14.02.1968. Ai ka botuar: -“San Valentino” (poezi, 1993) dhe romanet: -“Të çmendur në parajsë” (1995), “Shpata e ndryshkur” (1999), “Bijtë e zotit majmun” (1999), “Babai në shi” (2000) 2008, “Zonja pa emër” (2005), “Litari dhe lamutmira” (2011), “Stina e Hijeve” (2014), “Djali memec” (2016), “Pëllumbat i vrasin natën” (2018), ‘Dead End’ (2019).
Romani i tij “Të çmendur në parajsë” është përkthyer dhe botuar në frengjisht ‘Au paradise des fous” nga shtëpia e mirënjohur botuese franceze, Editions Gallimard 2001 dhe në greqisht “Trelis stin paradiso” nga shtëpia botuese Editions Patakis.
Nga viti 1994 deri në vitin 2010 Virion Graçi ka qenë pedagog i letersisë botërore në Universitetin “Eqerem Çabej”, ndërsa nga viti 2010 e deri tani punon në Akademinë e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Festivali i Prozës Artistike “Fiction Fest” mbahet më datat 08 dhe 09 tetor.
Në këtë edicion do ta dëgjojmë dhe do ta shijojmë prozën artistike nga shkrimtarë të vlershëm shqiptarë dhe të huaj, si Adem Gashi (Kosovë), Matthias Nawrat (Gjermani), Amer Tikvesha (Bosnja), Ardian Haxhaj (Kosovë), Stefan Çapaliku (Shqipëri), Bardh Rugova (Kosovë), Durim Taçi (Shqipëri), Sandra Gogiç (Austri), Liridon Mulaj (Shqipëri), Milica Vuçkoviq (Serbia), Nava Ebrahimi (Gjermani) dhe Shpresa Qeriqi (Kosovë).
Edicioni i tretë i Festivalit të Prozës Artistike përveç takimit letrar me shkrimtarin Virion Graçi do t’i ketë edhe dy mbrëmje leximi.
Kështu që, në mbrëmjen e parë do të lexojnë dhe do të lexohen tregime e fragmente nga romanet dhe proza artistike e këtyre shkrimtarëve: Adem Gashi, Amer Tikvesha, Bardh Rugova, Durim Taçi, Sandra Gogiç dhe Milica Vuçkoviq.
Mbrëmja e parë do të mbahet më datën 08 tetor, 2020, ora 18:00, në restorant “Amaro”, rr. Eqrem Çabej (përballë Fakultetit të Filologjisë-UP), Prishtinë.
Në mbrëmjen e dytë do të lexojnë dhe do të lexohen tregime e fragmente nga romanet dhe proza artistike e këtyre shkrimtarëve: Ardian Haxhaj, Stefan Çapaliku, Matthias Nawrat, Nava Ebrahimi, Liridon Mulaj dhe Shpresa Qeriqi.
Mbrëmja e dytë do të mbahet më datën 09 tetor, 2020, ora 18:00,në të njëjtin vend.
Edicioni i tretë i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës dhe Goethe Institute.
Partner kryesor medial i edicionit të tretë është Gazeta online “Insajderi”, ndërsa partnerë mbështetës medialë janë portali për kulturë “ObserverKult” dhe revista për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie “Akademia”./ ObserverKult