“Takimi i fundit pak javë para aktit misterioz”- Rrëfimi i pazakontë i oficerit për ish-kryeministrin komunist: Fotografitë me të i zhduka! Çfarë kujtoj nga bisedat me Mehmet Shehun

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Nga Afrim Imaj

“Ju flet Çelo Bora”, përgjigjja me një zë të kthejlltë nga krahu tjetër i telefonit, është disi e pazakontë. Jo vetëm për nga timbri, por më së shumti nga forma e reagimit.

Ai ka shërbyer gati gjysëm shekulli në ushtri, kryesisht në zonat kufitare në Jug e Veri të vendit, ku detyra ia kërkonte radion e telefonin pranë në çdo sekondë dhe qysh atëherë i ka mbetur rituali i përgjigjes: “Urdhëroni, Çelo Bora ju flet”.

Paçka se ka vite që nuk është nën uniformë, dhe teknologjia ka bërë të vetën për mjetet e komunikimit, ai në çdo rast të përgjigjet si dikur.

Me atë zërin e kthejllët dhe dashamirësinë që e karakteriozon. Çelo Bora është një nga figurat emblematike të shtatmadhorisë shqiptare.

Me një karrierë në shkëlqim që nis në fillimin e viteve ’60 e mbyllet në vitin 2001, ai bëri emër jo vetëm në radhët e korpusit të ushtarakëve, por edhe në komunitetet ku shërbeu. Tashmë, i larguar nga shërbimi ushtarak, jo pa dhimbje, Çelo Bora kalon vitet e pleqërisë në fshatin e tij, në Mallakastër.

Dinamikën e jashtëzakonshme të viteve me uniformë, mundohet ta kompesojë me takimet e shpeshta me shokë e miq të shumtë, ku veç kafes rrëkëllen dhe ndonjë gotë raki bio.

Gjithë ditën e kalon me punë në kopshtin me perime e fruta të shumta, ku prodhon për vete, por dhe për fëmijët e miqtë që jetojnë në qytet. Pavarësisht se ka kapur të 80-tat, tetë orë në ditë qëndron në kopësht, herë duke mbjellë, herë duke krasitur, apo duke mbledhur prodhimet e stinës.

Atë që nuk e bëra sa isha i ri, thotë me shpoti për punët në fshat, mësova ta bëj në pleqëri dhe nuk ia kam dal keq. I larguar nga strehëza në fshatin e lindjes kur sa kishte mbushur 15 vjeç, për pesë dekada me radhë shtegëtoi sa nga Jugu në Veri me profesionin e oficerit. I qëlloi ta nis karrierën në Përmet e ta përfundojë në Barjam Curri, duke përshkruar tërë Shqipërinë.

E megjithatë, për bashkëkohësit e ish-kolegët, Çelo Bora do mbahet mend si komandanti i korpusit të Gjirokastrës dhe atij të Tropojës, ku ka kaluar kohën më të madhe të karrierës së tij…

Zoti Çelo, keni qenë pjesë e shtatmadhorisë të ushtrisë shqiptare që keni pasur një karrierë të suksesshme. Tani që e keni mbyllur këtë kapitull, çfarë do veçonit nga përvoja gati gjysmëshekullore në radhët e ushtrisë?

Përjetimet e 50 viteve, kuptohet nuk mund të përmbledhen në pesë radhë. Megjithatë, nuk dua të bie në pozitat e asaj sentencës “kur në Dardanele”. Se në fund të fundit, detyrën kam bërë, atë për të cilën jam shpërblyer.

A ka patur sakrifica e kufizime, patjetër, madje shumë. Por, ato i ke marrë parasysh që kur ke vendosur të bëhesh oficer. Tashmë në realitete të reja, gjërat kanë tjetër rrjedhë…

Si e kujtoni fillimin e karrierës ushtarake dhe cili ishte motivi që u ka shtyrë të zgjedhni profesionin e oficerit?

Motivi pse zgjodha këtë profesion është i thjeshtë. Atëherë jetonim në fshat, në kushte teje të vështira. E vetmja pagë që futej në shtëpi ishte ajo e babait që punonte minatorë. Me të kthehej gjithë familja prej tetë vetësh. Kisha vërtetë rezultate të larta në shkollën e mesme, po nuk mund të vazhdoja universitetin, se nuk e përballoja financiarisht. Kështu zgjodha shkollën ushtarake.

Pra, thjeshtë për arsye ekonomike. Tani për fillimin e karrierës. E kam filluar atë si oficer i porsadiplomuar në brigadën e Përmetit aty nga viti 63. Komandant brigade ka qenë një oficerë i zoti. Petrit Çobani, e quanin. Sa ishte kthyer nga studimet në Moskë. Kam shumë kujtime të bukura prej tij. Petriti ishte mjeshtër i madh për të vënë vartësit në punë.

Mbante në mënyrë shembullore uniformën dhe këtë ua kërkonte edhe vartësve. Sa shkova në brigadë, ai më caktoi për të zhvilluar stërvitje trajnuese me nënoficerët. Pra, me ushtarët e vitit të fundit të shërbimit që gradoheshin nënoficer.

Ishte një detyrë që e bëra me pasion e dëshirë, për të cilën dhe u shpërbleva në fund. Pak më vonë mu besua detyra e përgatitjes së stërvitjes së oficerave të Shtabit të Brigadës dhe komandantëve të batalioneve. Edhe këtu mora vlerësime e fjalë të mira. Pastaj për tre vjet shërbeva si komandant batalioni në Rozeçë të Buzit në Tepelenë.

Në kujtimet tuaja shpreheni se aty jeni njohur dhe me Petrit Dumen…

Ka qenë diçka më ndryshe kjo histori. Petrit Dumja, që kishte miqësi me komandantin e brigadës, i kishte kërkuar atij një oficer të ri për agjytant. Komandant Petriti i kishte dhënë emrin tim.

Dhe kështu një ditë të bukur u përballa me Petrit Dumen në zyrën e tij në Tiranë. Nuk e di pse nuk ia mbusha mendjen për të qenë agjytant i tij, ndoshta nga që isha i imët në trup, por mbaj mend që ky takim u bë shkak që unë të shkoja për studime në Akademinë “Mehmet Shehu”…

Që këtej pastaj u rikthyet në radhët e ushtarakëve madhor…

Ajo akademi atë mision kishte. Prej andej fillova punë në shtabin e korpusit të Gjirokastrës. Pas 2-3 muajsh, u stabilizova me gjithë familjen aty. Korpusi i Gjirokastrës asokohe njihej ndryshe dhe si “Korpusi i egër”.

Ai mbronte një nga drejtimet më të rëndësishëme operative strategjike në frontin jugor nga sulmet e agresionit e mundshëm të forcave monarko-fashiste. Plot 10 vite shërbeva në këtë korpus. E nisa në shtab dhe nga vitit ’70- ’78 kreva detyrën e shefit të Shtabit të Korpusit. Korpusi kishte një shtrirje të gjerë duke filluar nga Jali i Vunoit, Konispol, Qafa e Muzinës, Përmet, Leskovik, e deri në Kolonjë.

Vargmalet Saraqin, Mali i Milesë, Lëkurës në Sarandë dhe Mali Murganës, Mali Gjozë – Kurvelesh, apo Bureto, Çajup, Mali Golikut në Gjirokastër, Mali i Nemeçkës, Mali Dhëmbelit, Trebeshinës dhe Mali Vashës – Skrapar, ishin kurrizet malore ku mbështeteshint forcat e Korpusit për të orgnizuar mbrojtjen dhe të kryenin kundërsulme e kundërgoditje të fuqishme ndaj forcave të armikut. Më ka qëlluar t’i shkel pëllëmbë për pëllëmbë…

Në këtë kohë është folë për një stërvitje të madhe që ka bërë Korpusi i Gjirokastrës…

Besoj se e keni fjalën për stërvitjen “Gllava-75” që është zhvilluar në nëntor të vitit 1975. Në këtë demostrim të madh morën pjesë komandat e Shtabet e Brigadave Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë dhe asaj të këmbësorisë së Beratit. Ishte kjo një Stërvitje tre shkallëshe (Korpus Brigadë-Batalion).

Komanda e shtabi i Korpusit u vendosën në pyllin e Gllavës së vogël, ose më saktë në kodrën në perëndim te “Tri Avgat”. Ka qenë pikërisht kjo kodër, të cilën në kohën e luftës Italo-greke e ka vizituar Benito Musolini (Duçe) që inspektoi frontin e luftimeve.

Aty ngritëm pikën e drejtimit operativ të stërvitjes “GLLAVA-75”. Sakaq, komandant dhe shtabet e korpusit (të gjitha rangjet) u vendosën në shtrirjen ku ka qenë vija e frontit e luftës Italo-Greko në vitet 1940-1941, në Himarë, Borsh-Kuç, Kurvelesh, Tepelenë, Qafa e Kiçakut, Vokopolës. Në fakt, kjo vijë vendosje ishte jashtë zonës së mbrojtjes së Korpusit, por edhe jashtë brezave të mbrojtjes së brigadave të këmbësorisë.

Përmbledhtaz, detyra që na u dha për të zgjidhur përkonte me vijën e frontit të luftës italo-greke. Për këtë arsye unë vendosa t’i qëndroja fort ekperiencës të kësaj lufte, të cilën e kisha studiuar mirë.

Nga ana tjetër këtë detyrë pak më herët Mehmet Shehu, ia kishte dhënë për ta zgjidhur shtabit të Përgjithshëm, por kishte kundërshtuar vendimin e këtij të fundit për ta goditur kundërshtarin në drejtimin Kurvelesh-Gjirokastës-Kakavijë.

Pas kësaj, ai ia caktoi korpusit tonë për ta zgjidhur këtë detyrë luftarake. Me marrjen e detyrës shtabi i korpusit të Gjirokastrës bëri vlerësimin e situatës dhe pas sqarimit të gjendjes mori vendimin për ta fokusuar goditjen kryesore në drejtimin “Tri Argat” – Qafa e Kiçakut-Këlcyrë me detyrë për të rrethuar dhe asgjësuar forcat monarko fashiste në rajonin Qafa e Kiçakut Buz dhe Këlcyrë-Gryka e Mezhgoranit. Ndërkohë që skaloni i dytë futej në kundërgoditje në drejtimin Qafë e Kiçakut Këlcyrë.

Në ditën e dytë dhe të tretë mësymja do të vazhdonte në drejtim të goditjes kryesore: Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë. Sa vendosëm këtë shkova në Tiranë, për të marrë miratimin e Mehmet Shehut.

Sa ia shpjegova idenë dhe e njoha me dokumentat përkatëse, ai ra dakort dhe aty për aty më tha të fillonim menjëherë nga zbatimi i planit të përcaktuar. U riktheva te kolegët, duke u ngjitur te kodra e “Duçe Musolinit”, në majën jugore të tri Argatit për të organizuar e drejtuar veprime luftarake të Korpusit në Qafa e Kiçokut-Këlcyrë. Nisëm menjëherë zbatimin e plan idesë dhe të them të drejtën gjithçka shkoi mrekullisht. Në konkluzionet që bëri Mehmet Shehu u shpreh me fjalët më të mira. Aty pata rastin të njihesha më afër me të.

Keni qëndruar gati 10 vite në divizionin e Gjirokastrës, padyshim keni kujtime të shumta…

Kujtoj së pari komunitetin e oficerëve të talentuar e të përkushtuar si rrallëkush për detyrën. Ata e bënë këtë njësi me emër në gjithë ushtrinë. Po sakaq, nuk mund të rri pa përmendur emrat e atyre kuadrove, që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në “Korpusin e Egër”, si gjeneral Muhamet Prodani, që e kryqëzuan padrejtësisht për shëpërdorime të ndryshme duke e stigmatizuan “Pashai i Jugut” apo të famshmin Nikollaq Sallabanda, një ushtarak virtuoz e i përpiktë, Petrit Çobani, Teki Dako, Rexhep Zun, Qamil Kaso, Jaho Stepa, Jaçe Lula, Nihat Badra, Shaqir Vukaj e shumë të tjerë

Ndërkohë, për 10 vite keni qenë dhe qytetar i Gjirokastrës…

Gjirokastra është një qytet i rrallë, po duhet të jetosh aty t’ia njohësh vlerat. Para se të shkoja kisha dëgjuar se gjirokastritët janë kurnacë si i thonë në zhargionin vendas. Po ishte krejt e kundërta. Gjirokastritët janë shumë të fismë e bujarë, sidomos me mysafirët. Edhe pas kaq vitesh që jam larguar nga Gjirokastra, më kujtojnë e i kujtoj shumë shok e miq nga ky qytet me tradita. Bile më kanë ndjekur për të mira e gëzime deri në Tropojë.

Dhe nga Gjirokastra u trasferuat në Tropojë, në një tjetër zonë, tashmë në Veri të vendit, me të tjera tradita…

Pas Gjirokastrës jam transferuar në Pukë. Puka një qytet malor, alpin. Gjatë dimrit mbretëronte dëbora e madhe, ku akullit e acarit, i vinte fundi në qershor. Pukjanët për mua kanë qenë burim frymëzimi, të urtë, të ndershëm, punëtor, miqësor e të përzemërt. Nga bjeshkët e Tërbunit e deri në Iballë më ka qëlluar të pi kafe e të ndajë bukën me këta malsor fisnik e të besës. Periudha kur shërbeva aty 1978- 1981 ka qenë e ngjeshur me tensione dhe përplasje ushtarake në kufirin Kosovë-Serbi dhe atë të Malit të Zi. Korpusi i 5-të i Pukës shtrihej nga Kalaja e Dodës deri në Alpet e Tropojës.

Mbi 90 për qind e reparteve ishin vendosur dhe ishin në gatishmëri të përhershme në majat e larta malore si Shishtaveci, Mali i Pushtrikut – Has Stoberdë – Mali Dobrejt, Alpet e Tropojës dhe Qafa e Malit – Iballë.

Me riorganizimin e ushtrisë, ku korpuset u kthyen në divizione u emërova Komandant i Divizionit 17-të me emrin “Bajram Curri”. Ka qënë kjo një tjetër detyrë me rëndësi në një kohë kritike për kufijtë veriorë, që e kam përmbushur me sukses. Qysh në fillim priortitet i detyrës time riorganizimi i Brigadës së Krumës dhe të Fushë Arrëzit, që paramendohej një drejtim kryesor në rast agesioni nga ushtria serbe.

Me të njëjtin kujdes punuam dhe për brigadën e Tropojës. Në një kohë rekord bëmë kompletimin e tyre dhe vendosëm në gatishmëri të pandërprerë të gjitha strukturat dhe asetet luftarake të tyre.

Me siguri nuk do kisha harritur në këtë sukses pa përkushtimin dhe mbështetjen e palodhur të komandantëve të këtyre njësive Behar Xheka, Veri Koçi, Zaho Muçi, Fejzo Haxhiaj, Gëzim Çela Sabri Hazizi, Ksenofon Çoni dhe Gramos Backa. Edhe pse larg familjeve e vendlindjeve të tyre, ata ishin miqësuar me vendasit dhe kontribonin çdo ditë për rritjen e treguesve të gatishmërisë.

Nga periudha kur kam shërbyer në Pukë e Tropojë desha të veçoja përkujdesjen e veçantë të Mehmet Shehut që pyeste me detaje për çdo elementë të gatishmërisë duke filluar nga gjendja në kufi e deri te situata e armëve roje që kishim në brezin e parë…

U ka qëlluar ta takoni nga afër Mehmet Shehun?

Jam takuar disa herë me të. Për herë të parë, e kam takuar në zyrën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes. Ka qënë periudha pas dënimit të grupit të Beqir Ballukut, kur ribënim planizimin luftarak të çdo korpusi. Ishte një detyrë sekrete. Preditësh të tëra të gjithë komandantët e njësive ishin mbledhur në Tiranë dhe çdo njëri prej tyre duhej të miratonte te ministri planin luftarak të njësisë që drejtonte. Mua që kisha ardhur nga korpusi i Gjirokastrës, më qëlloi të paraqitesha nga të parët në zyrën e Mehmetit. Shkova aty dhe me hartën e përgatitur me detajet përkatëse bëra një paraqitje të hollësishme para tij.

Më befasoi aftësia e Mehmetit për t’u orientuar e për të precizuar me saktësi çdo detyrë që fillonte nga komanda e korpusit, ato të brigadave dhe përfundonte te arma roje. Në fund më falenderoi dhe aty për aty kumtoi disa tipare të luftarve moderne dhe shkallën e rrezikut që paraqesnin qarqet voro-epiriote.

Ky ishte takimi i parë. Takimi tjetër ka qenë në Mezhgoran në fund të viteve ’70 kur bënim provat e rezistencës së bunkierëve të prodhuar rishtaz.

Jam takuar sakaq dhe në vizitën e fundit që bëri në Gjirokastër ku erdhi te shkolla e instuksonit. Në mbrëmje kemi darkuar bashkë. Pimë dhe nga një gotë raki. Ishte burrë i veçantë. Ai që dukej i ashpër në detyrë, ishte tejet njerëzor në biseda të lira. Më ka mbetur peng që nuk më ka ngelur asnjë fotografi nga takimet me të….

E keni takuar disa herë dhe nuk keni asnjë foto me Mehmetin?

Më zure paksa gafil me këtë pyetje, por do të them të vërtetën. Lajmin për vetvrasjen e Mehmet Shehut e kam marrë vesh në Tropojë. Jam tronditur shumë dhe nuk dija çfarë të bëja. E parandjeja që një furtunë tjetër po vinte. Ato çaste më erdhi në zyrë një nga vartësit dhe në kofidencë më tha diçka që binte ndesh me lajmin për vetëvrasje. Ç’thua, i thashë, mos e konsumo me tjetër njeri, vetvrasje ka thënë partia dhe pikë. Si urdhëron më tha dhe iku.

Sigurimi ndërkohë kishte filluar gjuetinë e atyre që shpreheshin se Mehmet Shehun e kanë vrarë. Në këtë stuhi të paimagjinueshme, të them të drejtën u ndjeva keq për të mos thënë i frikësuar. Në këto rrethana time shoqe i dha zgjidhje çështjes së fotografive me Mehmetin dhe nuk kisha pak. Ç’të të them peng e kam, por ajo kohë atë bulmet kishte.

******

Surprizat e takimit me gjeneralin grek

Ka qënë korriku i vitit 2005, kur Çelo Bora, ish-drejtusi kryesor i Korpusit të Gjirokastrës, është takuar me gjeneralin grek Andreas Zakupullos, ish-komandant i divizionit të Janinës. Ata kanë qenë në të njëjtën kohë përballë njëri-tjetrit. Asokohe, dy armiqë të përbetuar. Takimi ka qënë krejt i rastit, shprehet Çelo, duke kujtuar njohjen e një të afërmit të tij me gjeneralin Zakupullos.

U takuam në një lokal midis Spatës dhe Athinës. Në kafe e sipër, gjenerali grek më pyeti se çfarë detyre kisha në vitin 1977. Kam qenë drejtues i Korpusit të Gjirokastrës, i thashë, kujton Çelo përgjigjen për Zakupullosin.

Aty për aty ky i fundit është shprehur se dhe ai në këtë periudhë kishte qenë komandant Divizioni në Janinë dhe kujtonte se sa herë që forcat e divizionit të Gjirokastrës urdhëroheshin për gatishmëri apo stërvitje, qoftë edhe me një batalion, i duhej të qëndronte në gatishmëri “non” në zyrë.

Ishte ky momenti, tregon Çelo kur i paraqita komandantit të Janinës njohjen time për të dhe strukturat që kishte drejtuar në atë periudhë, madje duke specifikuar repartet që kishte patur në vartësi duke filluar nga regjimenti i parë me disllokim në Janinë, Regjimenti 15-të në Konicë dhe Regjimenti 35-të në Igumenicë.

I befasuar nga të dhënat e sakta të mysafirit, Zakupullos pohoi se organikën kot e paskemi mbajtur sekret, se ju e paskeni njohur sikundër e dija unë. Deri këtu, thotë Çelo, biseda rrodhi normalisht, po erdhi një moment që u ndjeva ngusht.

Sa e merr pesionin, më pyeti jo pa kërshëri Zakupullos. Aty te 100 euro, ju përgjigja. Pak, shumë pak, shtoi gjenerali grek që gati nuk e besoi. Po ju, e pyeta unë. Marr rreth pesë mijë e pesqind euro, u përgjigj ai. Ndërkohë që shteti si ushtarak i lartë më ka dhënë dhe një sipërfaqe me dy hektarë tokë. Aty ngeca dhe me marifet ndërrova bisedë, duke u kthyer në kujtimet e hershme. /panorama.com

ObserverKult


festivali poetik i prishtines

Lexo edhe:

SOT FILLON FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS / PROGRAMI…

Nga 6 deri më 8 shkurt mbahet Festivali Poetik i Prishtinës, edicioni i dytë, organizuar nga Portali për Kulturë Letërsi dhe Art, ObserverKult. Për tri ditë me radhë Festivali ofron një program të ngjeshur artistik ku do të ketë promovime librash, mbrëmje autoriale, debate tematike, diskutime, dokumentar, video-poezi, video-ese homazhe, requiem dhe orë poetike me autorë të zgjedhur.
Festivali mbahet në Termokiss.
Më 6 shkurt, fillon nga ora 18:00
Më 7 shkurt fillon nga ora 17:00 dhe
Më 8 shkurt fillon nga ora 18:00.
Festivali mbështetet Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult