Nga Daut Dauti
Është e vërtetë që virusi është duke na sulmuar njësoj të gjithëve për shkak se nga natyra jemi të gjithë të njejtë. Por, nuk është e vërtetë se të gjithë mund të mbrohemi njësoj. Në fakt ky virus do të nxjerrë në pah se sa të pabarabartë që jemi. Shtresa e pasur dhe elita politika e veshur me pushtet, do të jetë në gjendje që izolimin ta përballoj pa probleme edhe me dekada nësa ka nevojë. Shtresa e ulët nuk do ta ketë këtë privilegj për shkak se një ditë do t’i duhet të dalë nga izolimi për të punuar për vete e më shumë për shtresën e pasur, e cila, pa ndonjë bezdisje, mund ta vazhdoj qëndrimin në izolim.
Megjithatë, me kalimin e kohës disa gjëra po qartësohen në lidhje me shtrirjen e virusit të Koronës. Virusi nuk i prekë fëmijët ose i prekë por nuk duket që iu lë shenjë. Të rrezikuarit janë ata mbi moshën 70 vjeçare dhe moshat tjera me probleme shëndetësore. Ekspertët e kësaj fushe në Britani të Madhe kanë kërkuar nga qeveria që situata të merret më seriozisht. Madje, për ta përballuar gjendjen në ardhje, disa kanë bërë me dije se industria e vendit duhet të orientohet në drejtim të prodhimit që do të shkonte në dobi të shëndetësisë, sikur në rastet e luftës. Deri tashti qeveria britanike nuk ka ndërmarrë asnjë masë serioze për këtë rrezik. Ende vazhdon me këshillën:’lani duart’. Sot në mëngjes qeveria ka lëshuar një këshillë: njerëzit mbi moshën 70 vjeçare duhet të vetë-izolohen.
Kjo këshillë është mjaft e pakuptimtë. Si mund të vetë-izolohet njeriu i moshës 80 e më shumë vjeçare kur dihet se i mungon fuqia fizike dhe në disa raste edhe ajo mendore? Kush ua siguron ushqimin dhe barnat këtyre njerëzve kur dihet që shumica e tyre jetojnë të vetmuar? Tërë atë që deri sot e ka bërë shteti për këta njerëz është tallja me gjendjen e tyre. Në mënyrë indirekte shteti këtyre njerëzve ju thotë: Mos u ankoni. Jetës së juaj i ka ardhur fundi. Mjaft keni jetuar. Gjinduni ashtu siç mundeni që në anglisht thuhet:’you are on your own’.
Me siguri e keni parë këtë çasje që është shprehur në mediat tona por edhe nga individë të shumtë në mediat sociale në stilin:’Ky virus nuk është shumë i rrezikshëm se veç pleqtë i mbytë’. Me këtë është demonstruar një pozitë jonjerëzore e shtetit dhe individit ndaj një kategorie të rëndësishme të njerëzimit. Harrohet tërësisht që pleqtë janë ata që kanë merita për nivelin e sotëm ekonomik që ka mundësuar një jetë komode për gjeneratat e reja. Si duket, në këtë rast dhe me këtë çasje, shteti dhe individët, ndoshta edhe tërë shoqëria, kanë rënë në një gjendje jo njerëzore. Çka ka më keq se kur i thuhet një plaku se nuk do të ketë kujdes për ty? Pra, nuk do të ketë kujdes për njeriun, i cili me duart, supet dhe kokën e tij ka kontribuar në ndërtimin e kësaj që kemi sot.
Sado që të zgjas kjo gjendje e epidemisë, një ditë do të përfundoj. Ata që mbesin gjallë, të gjithë të rinjtë natyrisht, do të duhej të parashtrojnë disa pyetje që kanë të bëjnë me dështimin e sistemit shëndetësor dhe me kalbjen e parimeve njerëzore. Është më i rëndësisëhm njeriu apo kapitali? Këto dy gjëra duhet të riparohen për shkak se janë esenciale për moralin dhe kategoritë tjera të rëndësishme të njerëzimit pa të cilat nuk shkohet në zhvillim normal./ ObserverKult