“Është e vetmja gjuhë e huaj, e cituar në 8 vargje të ‘Komedisë Hyjnore” – kështu shprehet njëra nga protagonistet e klipit prezantues të “Tarantarsia”, festivalit muzikor e kulturor, që mbahet në jug të Italisë, mbi respektimin e të drejtave të njeriut.
Festivali, në tetor të këtij viti do të shënojë edicionin e dymbëdhjetë dhe në fokus, do të jenë vlerat e identitetit të pakicave etnike dhe gjuhësore arbëreshe, oksitane dhe greke të Kalabrisë. Qëllimi është të zgjerojnë rrethin e komunave pjesëmarrëse në festival, për të rritur nivelin e bashkëpunimit dhe njëkohësisht, të përqendrojnë vëmendjen tek identitetet e ndryshme dhe realitetet kulturore të rajonit.
Synimi është të promovohen nisma ndërdisiplinore që shtojnë vëmendjen ndaj identiteteve gjuhësore, duke u përqëndruar në traditat lokale në art, kulturë dhe artizanate.
Organizatorët besojnë se, ky aktivitet mund të rrisë kapitalin kulturor, shoqëror dhe relacional të komuniteteve, dhe në të njëjtën kohë të favorizojë turizmin e brendshëm, autentik dhe me cilësi të lartë.
Edicioni XII çelet nga Peppe Voltarelli, një nga këngëtarët më të mëdhenj bashkohorë, kalabrezë, të cilit do t’i akordohet çmimi i edicionit XII “Tarantarsia”. Më 17 tetor, me masterklasën “Të jetosh me këngë, zanat i muzikës midis popit dhe dialektit”; dhe më 18 tetor, me koncertin e tij “Planetario” recital i këngëve nga Peppe Voltarelli.
Këtë vit Tarantarsia ka vendosur të përtërihet duke ndërtuar një format të ri, jo shumë larg nga format e mëparshëm, por që përfshin në sferën e ngjarjeve, përveç komunës së Tarsia, edhe vende të tjera. Ideja kryesore është të zgjerohet rrethi i komunave pjesëmarrëse për të rritur nivelin e bashkëpunimit dhe njëkohësisht të përqëndrojë vëmendjen në identitete të ndryshme dhe realitete kulturore të rajonit./konica.al