Taras Shevçenko: Amaneti

letër dashurie

Kur të vdes, të më mbuloni
Te ndonjë kodrinë,
Që ta shoh gjithnjë, vëllezër,
Mëmën Ukrainë;

Të vështroj me gaz në zemër,
Fushën pa kufi.
Të shoh si derdhet Dnjepri,
Si buçet ai,

Si vrapon mes Ukrainës,
Drejt e për në det,
Do t’i lë më nj’anë aherë,
Fushat dhe rrëketë;

Do të ngjitem lart në qiell
Perëndinë të shoh,
T’i flas hapur e t’i lutem,
Se tani s’e njoh.

Kur të më mbuloni mua,
Prangat flakini,
Derdheni në shesh të luftës
Gjakun për liri!

Dhe në familjen e madhe,
Të re dhe të lirë,
Ma kujtoni fjalën time
T’urtë dhe të mirë!…

Përktheu: Jorgo Bllaci