Tasos Livadhitis: Mos merr në shenjë zemrën time

Vëlla gardian,
vëllai im gardian,
dëgjoj hapat e tua mbi dëborë,
dëgjoj hapat e tua mbi dëborë,
të dëgjoj si kollitesh në acar,
të njoh vëlla
dhe ti më njeh.
E vë me bast se ke fotografinë e një vajze
brenda në xhep.
E vë me bast se majtas brenda kraharorit ke një
zemër.
A të kujtohet?
Ke patur dikur një fletore të vizatuar me dallëndyshe,
kisha ëndërruar të bëjmë një shëtitje krah për krah,
në çaçkën tënde një shenjëz prej llastiqeve të mia ke,
në shami ruaj të palosura lotët e tua,
në cep të oborrit tonë kanë mbetur këpucët e tua
të shkollës,
në murin e shtëpisë së vjetër ndritin ende
të shkruara me tebeshir ëndrrat tona të fëmijërisë.
U plak nëna jote e gjorë duke pastruar shkallët e
ministrive,
mbrëmjeve ndalon tek cepi i rrugës,
dhe blen ca qymyr nga tezga e babait tim,
këmbejnë vështrimin e për një çast buzën vënë në gaz
në momentin që ti mbush armën tënde
dhe po bëhesh gati ta shkrepësh mbi mua.
Perënduan sytë e tu mëngjesorë mbrapa një helmete,
duart fëminore i këmbeve me një pushkë të ashpër,
vuajmë të dy për një buzëqeshje
dhe për një dremitje në qetësi.
Dëgjoj tani çizmet e tua në dëborë,
pas pak do vesh të shtrihesh,
natën e mirë, vëllai im i pikëlluar,
në ndodhtë që të shohësh një yll të madh, dije
se është momenti që të shkoj nëpër mend
duke mbështetur armën në një qoshe e të bëhesh
rishtas një trumcak.
Dhe kur të të thonë të shtiesh mbi mua
qëllo në vend tjetër
mos merr në shenjë zemrën time.
Diku aty ka ngritur folenë fytyra jote fëminore.
Dhe nuk do të doja ta lëndoje.

Shqipëroi: Arqile Garo