Të gjithë e njohim dashurinë për të cilën flet Alda Merini

Alda Merini ishte një nga penat më të bukura dhe më sarkastike në letërsinë dhe poezinë italiane. Poemat e dashurisë të Alda Merinit përmbajnë pasion, dëshirë të madhe dhe dhimbje. Tekstet e poezive të saj tregojnë ndjesi dhe emocione të vërteta, të jetuara nga vetë poetja. Me një jetë të trazuar, Merini është një nga figurat kryesore të letrave italiane të shekullit XX.

Lindur në Milano në 21 mars 1931, Alda Merini filloi të shkruaj lirikat e para në moshë fare të re, ende pa mbushur 16-vjeç. Takimi i saj i parë me botën letrare ndodhi kur Silvana Rovelli, kushërira e Ada Negrit, dorëzoi disa nga poemat e saj tek Angelo Romano, i cili, nga ana tjetër, ia dha për të lexuar Giacinto Spagnoletti, i konsideruar edhe si zbuluesi i poetes.

Autorja pati një rrugëtim të vështirë, shënuar nga shqetësime shëndetësore dhe ekonomike, duke hyrë e duke dalë nga spitalet psikiatrike për një periudhë njëzetvjeçare, midis viteve 1960 dhe 1970. Koleksioni i parë i poezive të Alda Merinit: “Prania e Orfeut”, botuar në vitin 1953, pati një sukses të menjëherësh nga lexuesi dhe kritika. Sidoqoftë, kryevepra e saj konsiderohet “Toka e Shenjtë”, e cila i dhuroi, në 1993, çmimin “Librex-Guggenheim Eugenio Montale” për poezinë. Të shumta janë veprat që kanë dalë nga dora e poetes, ndër të cilat koleksionet në vargje “Testamenti”, “Boshllëku i dashurisë”, “Balada të papaguara”, “Lulja e poezisë” 1951-1997, “E mrekullueshme është nata”, etj.

Poezia e Alda Merinit na prek gjithnjë në thellësi, duke na bërë të na dridhen edhe telat më të ndjeshëm të zemrës sonë. Erotizmi dhe sensualiteti janë elementët më të fortë të vargjeve të saj të dashurisë, që nuk e tregojnë këtë ndjenjë fisnike në nivelin ideal dhe platonik, por e bëjnë atë konkret. Ato e bëjnë atë të jetojë në jetën tonë të përditshme. Të gjithë e njohim dashurinë për të cilën flet Alda Merini. Fjalët e saj nuk janë abstrakte: nuk flet shpirti, por trupi. Flitet për ne.

Një nga poezitë që shpreh pikërisht këtë emocion është “Dhe pastaj bëj dashuri”. Nuk ka asgjë më të zakonshme dhe pragmatike se dashuria. Arti i dashurisë. Ajo e pa dashurinë si një rrezik. “Poeti është si prifti, arrin të sublimojë: poeti edhe nëse do ishte e mundur preferon t’i këndojë dashurisë, sesa ta jetojë, sepse ta jetosh është një rrezik dhe gjithnjë tërhiqem mbrapa”, do të shprehej ajo, në një intervistë.

Në karrierën e saj artistike, Alda Merini eksperimentoi edhe në prozë me “E vërteta tjetër”, “E çmendura në portën ngjitur” (me të cilën, fitoi çmimin “Latina 1995” dhe ishte finaliste për çmimin “Rapallo” të vitit 1996), “Jetë e lehtë”, etj.

Merini, e propozuar dy herë për Nobel, është fituese e disa çmimeve, mes të cilave: “Elsa Morante” dhe “Giuseppe Dessì”.

E njohur si një nga zërat poetikë më origjinalë në skenën letrare italiane, ekzistenca e saj ishte një gërshetim i ndërlikuar dhe i vazhdueshëm i pasioneve dhe poezisë, gjë të cilën e pasqyron plotësisht edhe krijimtaria e saj e bollshme. Vdiq në 1 nëntor 2009, në Milano, në repartin e onkologjisë të spitalit San Paolo./Konica.al

—————————-

Lexo edhe:

TË TRISHTË JANË NJERËZIT NËSE NUK VDESIN NGA DASHURIA…

ObserverKult