Ronela Hajati me këngën “Sekret” ishte përfaqësimi i Shqipërisë në “Eurovision 2022”.
Shqipëria, nuk u klasifikua në finale, por performanca ngjalli shumë reagime… Nuk kaloi, as pa vëmendjen e medieve të huaja.
Për artistë të njohur shqiptarë, autorë tekstesh e më gjerë, ishte një këngë e dobët dhe performancë vulgare. Por ata shkojnë më tej, duke u shprehur se përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe komisioni i pranimit të këngëve në Festivalin e RTSH-së, që u zhvillua në dhjetorin e vitit të kaluar, transmeton ‘konica.al’.
Koreografi i njohur Arian Sukniqi, që ka qenë 4 herë me përfaqësuesit e Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës, thotë se fabula e këngës duhet të zbërthehet në koreografi.
“Jo për t’u bërë qëllim në vetvete, hajt se po kërcejmë kot në skenë. Në një përfaqësim të kësaj natyre, kur merr përsipër të bësh dhe performancë duhet të jetë e shkrirë e gjitha në një. Pra i gjithë mesazhi i këngës duhet të paraqitet dhe në performancë, se nëse ti flet për malet dhe performanca e baletit është duke bërë not, pastaj ku është hëna dhe ku është dielli”, thotë koreografi.
Sipas tij, për çfarë po ndodh me përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision” përgjegjësia shkon dhe tek ata që merren me Festivalin e Këngës në RTSH.
“Përgjegjësia shkon dhe te organizatorët e festivalit në RTSH. Nuk mund ta lësh vetëm në dëshirën e këngëtarit, duhet të ketë disa njerëz të përgjegjshëm të vendosin se si përfaqësohet këngëtari shqiptar, sepse dhe lekët për të shkuar atje i paguan Shqipëria. Kur të ketë festivalin e saj të shkojë të kërcejë si dojë dhe të këndojë si dojë, por kur përfaqëson vendin sigurisht duhet të kesh disa filtra artistikë”, thotë ai.
Me kritika shprehet dhe dirigjenti Edmond Doko. Në një reagim të tij ai thotë se dështuan emra të përveçëm, jo vendi ynë.
“Nuk dështoi Shqipëria, por dështuan emra të përveçëm që realizuan, përzgjodhën dhe promovuan këtë mostër të ashtuquajtur artistike. Përgjegjësitë në fund të fundit janë personale dhe publiku ka nevojë minimalisht për ndjesën e tyre”, thotë Doko.
Nuk falet ajo performancë
Ndërsa kompozitori i njohur Enver Shëngjergji, thotë se nuk e fal atë performancë. “Mosha, edukata, kultura dhe profesioni, nuk më lejojnë të fyej në asnjë mënyrë. Por ju moj vajzë aq dite aq bëre si krijuese e këngës si muzikë e tekst. Fajin e kanë ata që jua pranuan këtë mish-mash dhe më tepër juria, që ju përzgjodhi të na përfaqësoni. Por nuk mund t’jua fal veshjen, koreografinë që na përfaqësuat”, – thotë Shëngjergji.
Artisti Qamil Gjyrezi profesor i psikologjisë së muzikës thotë se kënga e Hajatit krahas elementëve me shumë bujë, me ndriçim dhe veshje ekstravagante, është një këngë tipike urbane, në planin estetik si shumë krijimtari muzikore për qëllime komerciale, përftimesh duke i rënë ndesh parimeve estetike.
“Me britma të pajustifikuara të cilat nuk kanë kuptim, me një melodi dhe ritëm shumë urban nuk mund të përfaqësohet kënga shqiptare në një aktivitet të rëndësishëm Europian. Kënga është një këngë e zakonshme, që është investuar shumë për pamjen dhe krijimin e një performance gjoja moderne. Nëse i referohem komenteve të publikut ku shkruhet: “Kënga ka performancë, por performancë më vulgare nuk kam parë”. Kënga ka një nivel të ulët kompozicional. D.m.th nuk ka një fillim, introduksion, rritje emocionale dhe jep shumë pak mesazh, nuk të ngelet diçka në kujtesë. Një përgjegjësi të madhe artistike ka edhe juria, e cila e vlerësoi këtë këngë në festivalin e kaluar”, thotë ai.
Autor tekstesh Xhahid Bushati thotë se problemet nisin që nga çmimet, që u ndanë në festivalin e RTSH.
“Përfaqësuesja e Shqipërisë Ronela Hajati në “Eurovision” ishte një paraqitje shumë e dobët. Dhe kjo shumë e dobët ka filluar që me dhënien e çmimit në festivalin në RTSH, që me muzikën, me tekstin dhe bashkë me performancën janë një shpërfytyrim i gjithë këngës. Kënga shqiptare në “Eurovision”, duhet të mësojnë të gjithë se duhet të shkohet me elemente autentike të Shqipërisë. Performannca vulgare, këtë lloj vulgariteti nuk e ka Shqipëria. Përfaqësimi i Shqipërisë në “Eurovision” ishte anemik. Përgjegjësi kanë dhe organizatorët e festivalit në RTSH”, thotë Bushati.
Pas ironive dhe batutave të mediave italiane, duket se Ronela Hajati nuk kaloi pa vëmendje as në mediat angleze. BBC i dedikoi një meme, një prej momenteve të kërcimit të saj.
Lexo edhe:
RRËFIMI RRËQETHËS I WILL SMITH: E SHIHJA SI BABAI IM E KEQTRAJTONTE NËNËN…