Të gjithë po i ikin koronavirusit… përmes facebook-ut

Pasi vërshoi nëpër televizione tipi i “argëtimi”  përmes lidhjeve online, ku personazhë me peshë e pa peshë kulturore, tregonin përvojën e tyre të qëndrimit në shtëpi, tani pas gati tre javësh ka heshtje.

Por, facebook siç shihet është e vetmja dritare për qytetarët për të vazhduar komunikimin, qoftë dhe ky kulturor me jetën reale.

Pasi teatro e kinema, portale botimesh nëpër  po përhapnin mënyrën e re të të adaptimit me jetesën e e distnancimit social , ku rrjetet dhe portalet po ndërtojnë “artin në distancë”, edhe në Tiranë nisën të bëhen të gjallë institucionet kulturore.

Por ka dhe shumë nisma personale, që kalojnë përmes rrjetit social me lexime librash për kategori të ndryshme lexuesish. Gjithë qëllimi si duket është mbajtja gjallë e vëmendjes. Me vullnet krejtësisht personal, secili përpiqet të përdore asetin publik, që ka.

Mbizotëron, si rrallë herë letërsia. Copëza përkthimesh, poezi e prozë, autorë të mëdhenj me fragmente pikante janë më tërheqëse në rrjet. Shkrimtarët mbajnë barrën e selektimit, duke rezervuar në vazhdimësi për lexuesin produktin letrar, personal, ku jo rrallë takohen dhe rrëfime karantine. Statuset politike dhe angazhimi qytetar së shumi mbetet ironik. Por në aspektin kulturor gjallëria për të qenë prezent me pastime shqyrton në një farë mënyre ndjenjën e mos harresës. Janë rralluar fotot personale sigurisht, e sidomos nga panorama vendesh piktoreske.

“Opera me pizhama” – vjen logoja e shfaqjes që pritet të realizojë online Teatri i Operas, në fakt na duket pak ordinere ky emërtim, pa kurrefarë sensi kontekstual, për të na kujtuar ku jemi mbyllur. Opera e rrëzon krenarinë e saj, me këtë logo, ose kërkon t’i shpëtojë klasikes për të sjellë ashtu siç ka bërë gjithë këtë kohë, një kalendar pa seriozitet, dhe nën kandarin e peshës që duhet të mbajë.

Në anë tjetër, mbetur vetëm si logo, Teatri Kombëtar që aktivitetin e vet e zhvillon në skenën e Artturbinës, e vendosi më në fund të “transmetojë” një shfaqje online. Në parantezë, drejtori i saj Hervin Çuli në një letër drejtuar kryeministrit kërkoi para, mbështetje për të realizuar një repertor online. Angazhoi aktorët vegla të tij, që të kërkonin para publikisht. Por letrën e Çulit, Rama e hodhi në kosh të plehrave, madje rëndomte, në një emission të mbrëmjes. Pra, Hervini duhet të “lante duart” me kryeministrin, që e solli në pushtet e bëri drejtori duke katranosur gjithë punët në teatër, dhe më keq, duke bërë të mundur planin për shembjen e godinës pothuaj 100 vjeçare.

Kosova ndërkohë e publikoi një kalendar të pasur, për një muaj me shfaqjet online.

E vërteta është se pas një  muaji karantinë, vetëizolim, të gjithë po përpiqen të bëjnë diçka, të ndihen të vlefshëm, dikush në mënyrë të sinqertë e të tjerë duke u munduar të zhvatin. Por një gjë është e sigurtë, se bibliotekat e atyre që ndjekin këta “online”-t janë plot, dhe nuk ka aq varfëri sa ç’mendojnë. Varfëria, siç po na zbulon ky facebook në këtë ditë të distnancimit social është tek idetë. Jeta kulturore siç zbulohet nga rrjetet sociale është po aq e varfër sa edhe ajo ekonomike.

Të rezistosh për bukën e gojës, përballë një infeksioni që ka pllakosur globin, bashkë me ushqimin e mendjes e shpirtit tregon se si përpëliten në varfëri ekstreme të dyja./standard