Poezi nga Gustavo Adolfo Becquer
Do të kthehen dallëndyshet e zeza
dhe do ndërtojnë folezat e tyre në ballkonin tënd,
e një tjetër herë me krahun në xham
do të thërrasin për lodrim;
por ato që ndalnin fluturimin
për të kundruar bukurinë tënde dhe gëzimin tim,
ato që mësuan emrat tanë,
ato … nuk do të kthehen!
Do të kthehen dorëzonjat e dendura
të kacavirren mureve të kopshtit tënd,
dhe, edhe një herë, në mbrëmje,
përherë e më të bukura,
do të hapen lulet e tyre;
por ato, stolisur me vesë,
bulëzat e të cilave i shikonim të dridheshin
e binin si lotët e ditës…
ato … nuk do të kthehen!
Do të kthehen fjalët e zjarrta të dashurisë
të kumbojnë në veshët e tu;
zemra jote, ndoshta, do të mund të zgjohet nga gjumi i thellë,
por i heshtur, kredhur në mendime dhe i gjunjëzuar,
ashtu si dikush adhuron
Zotin në altar,
siç të kam dashur unë ty …,
i zhgënjyer:
kështu, askush nuk do të jetë në gjendje të të dojë!
Ujdisi në shqip: Rielna Paja
ObserverKult
Lexo edhe:
GUSTAVO ADOLFO BECQUER, ROMANTIKU I FRYMËZUAR NGA HAJNE
Gustavo Adolfo Becquer, përfaqësuesi më i madh i romantizmit spanjoll, është shumë më tepër se një klasik.
Jeta e tij, krijimtaria e tij, vargjet e tij prekëse, ndikimet e tij magjike dhe bukuria e hijshme e veprave të tij, kanë pushtuar imagjinatën e miliona njerëzve për shekuj me radhë. Shkrimtari, dramaturgu dhe poeti romantik, Gustavo Adolfo Becquer konsiderohet themeluesi i lirikës moderne spanjolle. Dashuria për një këngëtare e bëri atë të shkruante “Rimat”, të cilave u detyrohet famën letrare.
“Rimat” janë në origjinë të rrymës intime të poezisë të frymëzuar nga Heinrih Heine (Hajnrih Hajne), e cila iu kundërvu retorikës pompoze të poetëve të mëparshëm romantikë.
Shkrimin e plotë e gjeni KËTU