Të kam thanë se s’ka fuqi që mund të na ndajë…

letër dashurie

“Sidoqoftë, të kam thanë se s’ka fuqi që mund të na ndajë”

Më 8 të Prillit 193…

Gjithmonë pamja e qeshun e Margeritës ka ndikue tepër në shoqen time të pandame: mërzín. Mirëpo kësaj radhe, edhe kjo e kishte bjerrë këtë dhanti të natyrës. Kurrë ndonji herë nuk e kam pà kaq të shqetsueme sa sot. Unë e kuptova menjiherë se dishka do t’i kishte ngjamë dhe i kisha rà pikës: ate e kishte qortue randë i ati dhe e kishte shtrëngue me imponim që të shkëpusi çdo lidhje me mue. E ama ishte mundue për së tepërmi me më justifikue përpara të shoqit, por parashtrimi i saj jo vetëm që s’ishte marrë parasysh, por bile edhe i ishte kanosë i shoqi. U shqetsova pra, po aq sa Margerita, me që nuk e besojsha kurrë se do të has në nji kundërshtim të tillë.

Eh fat, paske vendosë me qëndrue nopran për gjithë jetën!
-Si t’ia bajmë, Memli? –më pyeti ajo ndërsa e kisha humbë mendjen kushdiku.
-S’kemi shka bajmë, Margeritë; fati na ka në dorë dhe me fatin tonë luen tjetër kush.
-Të shofim se ç’do të të thotë baba!-shtoi ajo me nji ton të shpejtë që tregonte se e kishte harrue këtë frazë.

-Baba?! Pse a do të flasi me mue-a?
-Po, të djelën do të vijë këtu, për të bisedue me ty.
-Le t’urdhnojë!
-Ç’do ti thuesh ti, Memli?

-Të vërtetën, qëllimin tim të sinqertë-shtova tue ma mbushë zemrën hove të reja ngushëllimi. Rrënqethjet e shpeshta, që ma kishin përshkue shtatin deri atëherë, u parritën. Më gjante tamam, sikur do të dilsha përpara gjykatësit, i cili kishte me dhanë vendimin e dënimit me vdekje, ase këthimin e lumnìs.

Të djelën po e pres me pa durim njashtu si ditën e nji gjyqi fatal. Më bahet se s’ka me zbardhë kurrë ajo ditë që do të më ballafaqojë me atë njeri, i cili ka në dorë fatin tem, jetën time.
Edhe Margerita e shkretë, u largue e pikllueme fort. Për të më ngushëllue, më tha:
-Sidoqoftë, të kam thanë se s’ka fuqi që mund të na ndajë.

*Shkëputur nga romani i Mustafa Greblleshit: “Gremina e dashunis”

Përgatiti: ObserverKult

————

Lexo edhe:

GIBRAN: TË KEQEN ASKUSH NUK UA JEP DOT, PA E PRANUAR JU VETË