Nga Dashnor Kaloçi
Atë fund dimri të largët të vitit 1975, pas muaj e muaj xhirimesh tepër të lodhshme, teksa mbaronte edhe dublën e fundit të rolit të tij te filmi “Përballimi”, (Martini, sekretari i partisë i rrethit të Korçës), aktorit të madh Bujar Lako, nuk do t’i shkonte kurrë nëpër mend se e gjithë ajo punë tejet rraskapitëse me xhirime në temperaturë disa gradë nën zero, në disa prej fshatrave më të thella të Korçës, mund t’i shkonte e gjitha dëm dhe të mos kishte asnjë vlerë, pasi të gjitha pelikulat me rolin e tij do të përfundonin në koshin e plehërave dhe prej aty në turrën e zjarrit.
Madje, kjo do të ishte e keqja më e vogël dhe tepër fatlume për të, pasi fare lehtë nga një aktor i njohur kinematografie, ai mund të përfundonte si punëtor i thjeshtë në ndonjë ndërmarrje ndërtimi larg Tiranës, në ndonjë rreth të humbur, apo në rastin më të mirë si masovik në ndonjë Vatër Kulture, të ndonjë fshati të largët kushedi se ku.
Dhe e keqja nuk do të mbaronte këtu, pasi “për hir të tij”, nuk do të shpëtonin paq, pa ndonjë masë, as regjisori i filmit, Viktor Gjika dhe skenaristi Teodor Laço, të cilët bashkë me drejtorin e filmit, i kishin besuar aktorit Lako rolin kryesor, atë të sekretarit të Partisë.
Por të gjitha këto, peripeci që do të binin mbi kokën e tij, pa pasur asnjë faj, aktori i njohur Lako, që mbante titullin “Artist i merituar” nga viti 1985, dhe prej vitesh një nga yjet e kinematografisë shqiptare, për ironi të fatit, në gjallje të tij nuk e mësoi kurrë të vërtetën mbi këtë letër…?!.
E gjithë ajo punë titanike që duhej për realizimin e një filmi, ku një shtet i tërë nuk kursente asgjë, do të shumëzohej me zero, pasi filmi do të ndalohej dhe do të hiqej nga qarkullimi.
Dhe në djall do vente jo vetëm puna e tij rraskapitëse si aktor për realizimin e rolit të Martinit, por edhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me të ardhmen e zymtë që e priste.
Po përse mund të ndalohej filmi “Përballimi”, kur ai ishte pëlqyer dhe ishte vlerësuar me superlativa, jo vetëm nga drejtoria e Kinostudios dhe organizata e Partisë e atij institucioni, por në adresë të tij, kishin filluar lëvdatat edhe nga “shokët e Udhëheqjes”, në Komitetin Qëndror të PPSH-së, që i “vinin vulën” dhe filmit i jepej leja e posaçme që të shfaqej për publikun e gjerë?!
Por edhe kjo, pra ndalimi i filmit mund të ndodhte, madje fare lehtë, pasi ishte “vija e masave”, ajo që mund të dilte mbi Udhëheqjen e lartë të Partisë…?!
Dhe kaq do të mjaftonte që… të gjithë shokët e Partisë në rrethin e Korçës dhe në Tiranë, deri lart në Komitetin Qendror, të viheshin në lëvizje.
Dhe kështu ka ndodhur vërtetë, atë korrik të nxehtë të vitit 1976, kur ajo letër e veteranit nga fshati Lubonjë i Korçës vuri në lëvizje Komitetet e Partive të Korçës e Tiranës, të cilat i raportonin me shkresa zyrtare kabinetit të Ramiz Alisë, që asokohe mbante postin e sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe mbulonte artin e kulturën.
Letra e veteranit nga Lubonja për udhëheqjen e lartë
Letra e veteranit Z.K. nga fshati Lubonjë e Korçës, i cili ankohej se si ishte e mundur që aktorit Bujar Lako i ishte dhënë roli pozitiv dhe kryesor në filmin “Përballimi”.
Kjo letër mungon në arkivin e Komitetit Qendror të PPSH-së, pasi ajo i është drejtuar Komitetit të Partisë të rrethit të Korçës, ku u xhirua pjesa më e madhe e filmit dhe prej nga ishte origjina e aktorit Bujar Lako, nga familja e babait.
Në atë letër, veteran Z.K. mund të ketë vënë shënimin “për dijeni Komitetit Qendror të PPSH-së”, ç’ka duhet të thoshte se Komiteti i Partisë së Korçës duhet të vinte në dijeni me shkresë përcjellëse edhe Komitetin Qendror të PPSH-së.
Dhe të gjitha këto janë bërë në muajin qershor të vitit 1976, pak kohë pasi kishte dalë në kinematë e rretheve ky film.
Komiteti i Partisë së Korçës, (firmosur nga sekretari i parë, Enver Halili) i dërgon një shkresë zyrtare Komitetit të Partisë së Tiranës, prej nga varej asokohe në rrugë partie edhe Kinostudio “Shqipëria e re”. Në atë letër shkruhet:”
Letra e sekretarit të parë të Korçës për Pirro Kondin
Partia e punës e Shqipërisë
Ekz. Nr….
Komiteti i partisë rretit Korçë
Korçë, më 2.7.1976
Nr. 596/1 Prot.
Lënda: Dërgohen të dhëna mbi biografinë e Bujar Lakos
Komiteti i partisë së rrethir Tiranë
Gjegje shkresës suaj, Nr. 887. datë 19.5.1976
Lidhur me kërkesën tuaj për qëndrimin e Shëndet Lakos, babait të aktorit Bujar Lako, në periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, sqarojmë si më poshtë: Për verifikimin e problemeve që ngrini në shkresën tuaj, u ngarkua nga ana jonë një grup shokësh, të cilët pasi biseduan me disa nga veteranët e rrethit, shkuan edhe në fshatin Lubonjë, ku ka banuar familja e Bujar Lakos.
Nga biseda që u bë me Telha Shtyllën, ish-sekretar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Lubonjës, Fetah Saliun, që e ka njohur mirë Shëndetin gjatë viteve të luftës, Rustem Kolacin, sekretar i organizatës bazë të Partisë në Lubonjë dhe Dhimitër Macukën, sekretar i byrosë së partisë së kooperativës së Vithkuqit, ku bën pjesë Lubonja, duallën këto konkluzione:
Shëndet Lakua para okupacionit fashist dhe pas tij ka qenë mësues në zonën e Vithkuqit.
Nuk ka qenë oficer dhe komandant i para-ushtarakëve, por shpesh vishte uniformën që u kishte dhënë qeveria disa mësuesvet.
Pas themelimit të Partisë, ai u aktivizua me anën e Lëvizjes Nacionalçlirimtare (si dhe kushëriri i tij, Riza Lako Lubonja), i cili punon në Tiranë dhe po e patë të nevojshme, mund ta pyesni për veprimtarinë e Shëndetit.
Fisi i tij ishte i lidhur i gjithi me luftën.
Mbas krijimit të Ballit Kombëtar, Shëndeti shkoi në çetën e Safet Butkës, që ishte dhëndër në fisin e tyre. Aty qëndroi 2-3 muaj.
Nuk është e vërtetë që ka qenë komisar i çetës, se sikundër thotë Telha Shtylla, në atë kohë komisar i çetës së Safet Butkës ka qenë Syrja Qafëzezi.
Pasi u largua nga Safet Butka, ai erdhi në shtëpinë e tij në Lubonjë, ku nuk pati asnjë rast propagande në favor të Ballit e kundra Partisë. Dy javë pas kthimit të tij në familje, e motra e tij, Sulltana Lako, doli partizane.
Si qëndroi disa kohë në Lubonjë, ai u largua në qytetin e Korçës, ku u strehua familjarisht në shtëpinë e Abedin Shkëmbit, i cili ishte ndër aktivistët dhe simpatizuesit e Luftës Nacionalçlirimtare.
Nuk na del që të ketë ndihmuar aktivisht Luftën, e të ketë marrë pjesë në vrasjen e spiunëve Et’hem Frashëri dhe Lefter Ruços, por sikundër deklaroi Llasko Vasili, ai e kishte parë këtë të fundit kur kryente atentatin kundër Et-hem Frashërit, e megjithëse e njihte, nuk e kallëzoi tek autoritetet e vendit.
Nuk qëndron gjithashtu fakti se Shëndeti, pas vrasjes së Safet Butkës, është emëruar zv/komisar policije.
Gjatë bisedës me shokët e Lubonjës, na thanë se Z. K. (në letër emri dhe mbiemri është i plotë), i cili e rëndon në deklaratën e tij, sikundër përmend në deklaratën tuaj, nuk ka shkuar mirë me familjen e Shëndet Lakos.
Sekretari i Komitetit të partisë, Enver Halili
Letra e Çajup Rusmalit për Pirro Kondin
Letra e sekretarit të parë të Korçës, Enver Halili, ku sqarohej biografia e babait të Bujar Lakos, ka mbërritur te zyra e Çajup Rusmalit në Komitetin Qendror të PPSH-së, i cili mbulonte institucionet artistike të Tiranës dhe ai menjëherë ia ka dërguar Pirro Kondit, sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së Tiranës. Në atë letër përcjellëse shkruhet:
Sh. Piro!
Po ju dërgoj të dhënat e K.P. të Korçës dhe mendimin e K.P. të Tiranës për aktorin Bujar Lako, i cili në filmin “Përballimi” ka rolin e sekretarit të Partisë.
Ne si sektor jemi dakord me mendimin e K.P. të Tiranës.
9. VII. 1976 Çajup Rusmali
Letra e Pirro Kondit për Ramiz Alinë
Letra e ardhur nga Komiteti i Partisë së Korçës, ku informohet mbi biografinë e babait të Bujar Lakos, (Shëndet Lako) ka mbërritur edhe në Komitetin e Partisë së Tiranës, në zyrën e Pirro Kondit, i cili menjëherë ka njoftuar eprorin e tij, Ramiz Alia, me anë të një letre ku shkruhet:
Shoku Ramiz Tiranë,
13.VII. 1976
Mbas verifikimit që iu bë biografisë së Bujar Lakos, (aktor i Teatrit Popullor, që lot rolin e sekretarit të Partisë në filmin “Përballimi”), u kërkua dhe mendimi zyrtar i K.P. Korçë, që iu bashkëngjitet.
Si këtu (u pyet Myslim Islami, punonjës në Institutin e M-L, Riza Lubonja në M.P.B. etj., që janë nga fshati i tij) dhe nga Korça, na thuhen të njëjtat të dhëna. Qenia vetëm 2 muaj në fillim me çetën e Ballit të S. Butkës është gjëja më e rëndë për babanë e tij.
Të tjerat që na u thanë (zv/kuestor dhe komisar i çetës së Safet Butkës), janë shpifje. Gjithë rrethi i familjes së tij, me një qëndrim shumë të mirë. Vetë është kritikuar dhe dënuar për “sjellje jokorrekte”, sepse bënte dashuri me një vajzë, babai i së cilës nuk donte ta martonte më të dhe bëri zhurmë në katër anët.
Ca më vonë, pa dëshirën e babait, ai u martua me vajzën e tij dhe tani “rrojnë të lumtur dhe të gëzuar”.
Si K.P. i Tiranës dhe sektori ynë, unë mendoj se këto s’duhet t’i bëhen pengesë për të lojtur edhe role kryesore nëpër filma.
Konkretisht, filmi “Përballimi”, meqë është bërë dhe është bërë mirë, (po të doni mund të kërkoni ta shikoni) të lejohet të hidhet në publik. Presim mendimin tuaj meqë ju kishin informuar ndryshe.
9. 7. 1976 Piro Kondi
Komiteti i Tiranës: Filmi “Përballimi” të qarkullojë
Komiteti i Partisë së Tiranës ishte dakord që filmi “Përballimi” të lejohej të qarkullonte, por megjithatë, ai i kërkon miratimin sektorit të Arsim-Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH-së. Kjo gjë shihet dhe nga letra përcjellëse e sekretarit të dytë, Sotir Kamberi, ku shkruhet:
Partia e punës Shqipërisë
Sekret
Komiteti i Partisë
Ekzemplar Nr. 1
Tiranë, Nr.887/1 Prot.
Tiranë, më 7.VII.1976
Komiteti Qendror të PPSH
(Sektorit të Arsim-Kulturës) Tiranë
Bashkëngjitur po ju dërgojmë shkresën e Komitetit të Partisë së Korçës, ku sipas kërkesës sonë dërgohen të dhëna mbi biografinë e aktorit të Teatrit Popullor, Bujar Lakos.
Mbi verifikimin dhe vlerësimin që i bën Komiteti i Partisë së Korçës qëndrimit të Shëndet Lakos, (babai i Bujarit) në periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare, jemi të mendimit se biografia e tij nuk përbën pengesë për mosqarkullimin e filmit “Përballimi”, në të cilin Bujari ka një rol kryesor. Filmi mund të qarkullojë.
Sekretari i K.P. i Tiranës
Sotir Kamberi (firma)
Siç shihet edhe nga letra e mësipërme dhe e gjithë korrespodenca tjetër që publikuam, u desh bujaria dhe zemërgjerësia e sekretarit të parë të rrethit të Korçës, Enver Halilit, që të sqarohej biografia e babait të aktorit Bujar Lako dhe filmi “Përballimi” të lejohej të qarkullonte pa asnjë lloj pengese./ vjosa.net
ObserverKult
Lexo edhe:
DO TË SHËTIS ME GRUAN UDHËVE TË HESHTURA…
Do të shëtis me gruan udhëve të heshtura…, poezi nga Mikel Marti i Pol
Kur të kem datëlindjen
e të mbush 35 vjet,
do të kërkoj harresë për ata që vdiqën
dhe paqe për ata që mbetën.
I kapitur, i zhgënjyer si një eremit,
do t’u thërras djemve plangprishës
për kthim në shtëpinë e t’et
dhe kur të ngryset
të gjithë librat do t’i djeg.
Dua që të gjithë ta dinë
se kam ndërruar lëkurë përsëri,
dhe ndofta ngaqë vozis
kundër rrjedhës së kohës dhe modave,
tash besoj më fort se kurrë
në mirësinë e njerëzve
dhe në një të ardhme paqeje e dashurie.
Kur të kem datëlindjen
e të mbush 35 vjet,
do t’i ftoj miqtë e do t’u shkruaj letra
atyre që janë larg,
që të gjithë të më kujtojnë.
Si të kem ngrënë darkë,
në qoftë një natë e qetë,
do të shëtis me gruan udhëve të heshtura
dhe në çdo qoshe do të ketë një sinjal
që unë e pres.
Mandej, si të jem kthyer në shtëpi,
do të lexojmë poezitë e para,
që i kam shkruar njëzet vjet të shkuar
kur qeshë çunak i urtë e gjithë zjarr.
Poezinë mund ta lexoni KËTU:
ERVIN HATIBI: KISHE PRITUR KAQ VITE TË RRITESHA…
Poezi nga Ervin Hatibi
Kishe pritur kaq vite të rritesha; mbaj mend sa herë vija
S’më flisje, vite me radhë, as që më shihje, dhe mendoj se
S’doje të më rëndoje, moshën e burgut s’kisha mbërritur
Kur erdhi dita, më pak se dhjetë minuta më fole, mjaftuan
Fjali të shpërndara, mirë që ishin filmat, t’i lidhja
Litari i lagur u prish nga goditjet
Fije-fije m’u shprish litari për trup
Vite me radhë, binte zilja e derës dhe direkt heshtje binte
Se ktheheshe ti nga puna, Kombinati i Autotraktorëve,
Plak dhe punoje të plotësoje vitet për pension. Shteti
S’të lëshonte pa ta gjobitur rininë kur kalëroje
Mes kodrash, ullishtash të vjetra. Hapej dera
Hark që vazhdon e gjuan shigjeta, biçikleta, pastaj ti
Në shtëpi sillje zì dhe uleshe i vetëm të haje
Dhe lugën në pjatë përplasje sa herë dikush bënte të fliste
Me sy ajrin blu tendosje, pas buke atë radion e madhe ndizje
Deri në fund volumin, radioja zmadhohej, dhe kokën
ObserverKult