Do të shëtis me gruan udhëve të heshtura…

Do të shëtis me gruan udhëve të heshtura…, poezi nga Mikel Marti i Pol

Kur të kem datëlindjen
e të mbush 35 vjet,
do të kërkoj harresë për ata që vdiqën
dhe paqe për ata që mbetën.

I kapitur, i zhgënjyer si një eremit,
do t’u thërras djemve plangprishës
për kthim në shtëpinë e t’et
dhe kur të ngryset
të gjithë librat do t’i djeg.

Dua që të gjithë ta dinë
se kam ndërruar lëkurë përsëri,
dhe ndofta ngaqë vozis
kundër rrjedhës së kohës dhe modave,

tash besoj më fort se kurrë
në mirësinë e njerëzve
dhe në një të ardhme paqeje e dashurie.

Kur të kem datëlindjen
e të mbush 35 vjet,
do t’i ftoj miqtë e do t’u shkruaj letra
atyre që janë larg,
që të gjithë të më kujtojnë.

Si të kem ngrënë darkë,
në qoftë një natë e qetë,
do të shëtis me gruan udhëve të heshtura
dhe në çdo qoshe do të ketë një sinjal
që unë e pres.

Mandej, si të jem kthyer në shtëpi,
do të lexojmë poezitë e para,
që i kam shkruar njëzet vjet të shkuar
kur qeshë çunak i urtë e gjithë zjarr.

Përktheu: Aurel Plasari

*Titulli i origjinalit: “Kur të mbushë 35 vjet”

——————–

LEXO EDHE:

Marin Soresku: Ti të më thuash: “Të dua”…

Haj ta besojmë çdo gjë që themi.
Është një lojë shumë e bukur.
Ti të më thuash: “Të dua”
dhe unë të gëzohem si kalama,
si të më paskëshe dhuruar një biçak
me dorezë kocke.

Të më thuash çiltas
gjithë sa mendon
për fqinjët, për gjithësinë,
për shiun.
Ose të mos më thuash asgjë
dhe gjithë mendimet e mia
t’ia bëjnë me kokë
e të thonë “po”…

Poezinë e plotë mund ta gjeni KËTU