Nuk dinë të shkruajnë…
Në një supermarket, një grua e moshuar zgjodhi një qese plastike për të futur ushqimet që kishte blerë. Arkëtari e qortoi se zgjedhja e saj nuk ishte ekologjike dhe i tha: “Fatkeqësisht, brezi juaj nuk e kupton lëvizjen ekologjike. Ne të rinjtë po paguajmë për brezin e vjetër që shpërdoroi të gjitha burimet!” Zonja e moshuar i kërkoi falje arkëtarit dhe i shpjegoi: “Më falni, nuk kishte asnjë lëvizje pro mbrojtjes së mjedisit në kohën tonë”.
Ndërsa po largohej nga supermarketi, arkëtari shtoi: “Ishin njerëz si ju që shkatërruan të gjitha burimet në kurrizin tonë. Vërtet, nuk kishte absolutisht asnjë shqetësim për mbrojtjen e mjedisit në kohën tuaj”.
Më pas, paksa e inatosur, plaka tha: “Në kohën time ne ngjitnim shkallët në këmbë: nuk kishim shkallë lëvizëse dhe as ashensorë. Ne nuk e përdornim makinën sa herë që duhej të lëviznim dy metra: ne ecnim në këmbë me kilometra të tërë. Por, është e vërtetë, ne nuk e njihnim lëvizjen ekologjike.
Nuk njiheshin pelenat njëpërdorimshe: i lanin me dorë pelenat e të porsalindurve. I thanim rrobat jashtë të nderura në një litar. Në kuzhinë, njerëzit i përgatisnin vetë ushqimet, nuk kishte pajisje elektrike të specializuara për të gatuar pa mundim. Nuk kishim kositëse bari ose traktorë me benzinë: për kositjen e barit përdoreshin krahët dhe veglat e punës. Punonim fizikisht, nuk kishim nevojë të shkonim në palestër për të vrapuar. Por, është e vërtetë, ne nuk e njihnim lëvizjen ekologjike. Pinim ujë nga burimi kur kishim etje. Nuk kishim filxhanë apo shishe plastike për ta hedhur ujin.
Fëmijët mbushnin stilolapsat e tyre me bojë, në vend që të blinin një stilolaps të ri çdo herë. Ne zëvendësonim briskun në vend që ta hidhnim pas disa përdorimeve. Por është e vërtetë, ne nuk e njihnim lëvizjen ekologjike. Njerëzit merrnin autobusin ose trenin dhe fëmijët shkonin në shkollë me biçikletë ose në këmbë. Në vend që të përdornin makinën e familjes si një shërbim taksi 24 orë në 24.
Fëmijët mbanin të njëjtin këllëf lapsash për disa vite, fletoret, lapsat, gomat, mprehësit dhe aksesorët e tjerë i mbanim sa të mundeshim. Jo me dëmtimin e parë t’i hidhnim poshtë dhe të blinim të tjera. Nuk kishim mundësi ekonomike. Por, është e vërtetë, ne nuk e dinim lëvizjen ekologjike!
Kishte vetëm një prizë elektrike në dhomë dhe jo një seri me shumë priza për të furnizuar të gjithë grupin e aksesorëve elektrikë “thelbësorë” për të rinjtë e sotëm. Ndaj mos më mërzitni me lëvizjen tuaj mjedisore! Ne ankohemi vetëm se nuk e kemi marrë mësimin mjaft herët, për të shmangur gjenerimin e idiotëve të rinj si ju, të cilët mendojnë se kanë shpikur gjithçka.
Të rinj që nuk shkruajnë dot 10 rreshta pa bërë 20 gabime drejtshkrimore, që nuk kanë hapur një libër tjetër përveç aplikacioneve në celular, që nuk e dinë se kush e ka kompozuar “Boleron”, që nuk e dinë se ku kalon Danubi, kur i ofron zgjedhje midis Vjenës dhe Athinës, etj. Por që ende besojnë se mund të japin mësime për të tjerët, nga kulmi i injorancës së tyre!”./bota.al
ObserverKult
LEXO EDHE: I KENI RRAHË GRATË SA HERË QË JU KA KCY NAJ NERV N’KRY…