“Të shkruarit shqip”, nga Mid’hat Frashëri

Midhat Frashëri

Një shqiptar kur merr pendën në dorë dhe zë të shkruajë, një mijë të vështira i dalin përpara: nuk gjen dot fjalë, nuk i lidh dot këto fjalë dhe të shumtave s’u di ortografinë. Duke qenë se gjuhën e flasim, këto të vështira e çuditin njeriun dhe mestohet pse ca gjuhë që nuk i di aq mirë për të folur, i shkruan më lehtë e më drejt.

Nga Mid’hat Frashëri

Për të gjetur përgjigjen e kësaj, duhet më parë që të na mbushet mirë mendja se gjuha në të folur është e lirshme dhe me të shkruar është ndryshe. Njeriu nuk shkruan dot kurrë ashtu si flet, se një shkrim i tij bëhet i shëmtuar dhe për të qeshur, nëse nuk zbatojmë rregullat e shkronjëtores; kur shkruajmë duhet t’u vëmë re mirë fjalëve, frazave, ortografisë.

Për t’i ditur këto rregulla të shkrimit, duhet që njeriu të ketë lexuar shumë. Edhe ne shqiptarëve kjo na mungon. Kam parë shumë shqiptarë, që qahen nga rëndësi e gjuhës dhe s’kanë marrë kurrë libër në dorë. Kam parë ca të tjerë, që duan të shkruajnë, pa marrë mundimin të lexojnë më parë. Që të mundim të jemi të zotë të përdorim pak pendën, duhet të kemi lexuar, të kemi jo vetëm lexuar sa për të shkuar kohën, po duke vënë shumë re shkrimin, librat shqip, që janë shkruar gjer më sot. Duhet më parë të dimë gjithçka mbi gjuhën tonë, duhet të nxëmë gjithë sa është bërë, sa është gatuar për shqipen.

Këtu më kujtohet një anekdotë e vogël; trembëdhjetë vjet më parë, me guximin q’i ep njeriut djalëria, desha të shkruaj ca gjëra në gjuhën time. Kisha kënduar, që kur isha fare i vogël disa libra shqip, kisha marrë shije dhe dëshirë të madhe; desha të nis duke shkruar një Dhetregonjë, për të bërë një varg librash diturakë, edhe dorëshkrimin ja shpura Naim Frashërit, që ta shihte.

E kam si sot në mend. E këndoi, duke vënë shumë re disa faqe të defterit, këndoi nga mezi dhe nga fundi. Mandej me atë zë dhe mënyrë, me ato fjalë q’ai dinte t’i thoshte aq mirë, më dha këto këshilla:

“Gëzohem që ke shkruar, por mos u lodh; të këshilloj që më parë të këndosh gjithë sa libra shqip – edhe këta s’janë të shumtë – që kanë dalë. Këndo dhe mëso edhe shkronjëtoren, se shkronjëtorja është rrënj’e gjuhës, pa ditur mirë rregullat e shkronjëtores, nuk mund të shkruash drejt e bukur”.

Këto fjalë gjthnjë i kam ndër mend, se këto fjalë na rrëfejnë të metat tona, të metat që kanë gjithë ata që shkruajnë.
Librat, që janë shkruajtur gjer më tani s’janë të shumtë, po sa vallë mes të tyre janë shkruar mirë? Një këndim me pak vërejtje do të na tregojë se ata që shkruajnë pa lajthim të madh, janë fort të paktë, shumë të paktë.

Më të shumtët e tyre, që shkruajnë, për fat të keq, s’dinë as më të parat rregulla të gjuhës sonë. Duke shkruar, s’marrin fare mundimin të mestohen për bukurinë dhe thjeshtësin’ e gjuhës. Ata s’kanë matur kurrë thellësin’e gjuhës, hollimet e saj dhe kjo padije u jep guxim, i bën të besojnë se janë shumë të ditur.

Edhe kështu, shkrimet janë plot lajthime gjuhe, shkronjëtoreje dhe ortografie.

Lumo Skëndo

*Botuar në gazetën “Lirija”- Selanik, 6 shënëndre 1908

ObserverKult


Lexo edhe:

MID’HAT FRASHËRI: Ç’FITUAM NGA KONGRESI I MANASTIRIT?