Të shtunën përcillet në banesën e fundit Moikom Zeqo

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo që u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm do të përcillet në banesën e fundit ditën e shtunë.

Në nder të tij do të zhvillohen homazhe ditën e shtunë në hollin e jashtëm të Muzeut Kombëtar nga ora 10:00 deri në orën 14:00. Të afërm, miq e të tjerë që e kanë njohur e dashur punën e tij do të kenë mundësi t’i japin lamtumirën e fundit shkrimtarit të njohur që u nda nga jeta parakohe për shkak të një sëmundje të rëndë në moshën 71-vjeçare.

Largimi i tij hidhëroi shumëkënd për shkak të peshës së tij në kulturën tonë kombëtare.

Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.