Kufizimet nga pandemia e zgjatur e kanë vonuar për një vit festën e ditëlindjes së aktores së njohur durrsake, Aishe Stari. Më 21 maj të vitit të kaluar, zonja e madhe e skenës kaloi kufirin e 80 viteve, por ajo e shmangu grumbullimin e shokëve e miqve të shumtë për shkak të COVID-19.
Ndërsa sot, teatri “Aleksandër Moisiu” dhe kolegët e saj kanë përgatitur një surprizë të këndshme për artisten e shquar. Sapo ka dalë nga botimi libri – album kushtuar veprimtarisë artistike të Mjeshtres se Madhe, Aishe Stari.
Gjithçka dëshmon rrugën artistike, nga hapat e parë në trupën e Varietesë dhe më pas në teatrín e Kukullave, e deri në rolet në teatrín dramatik, në kinema dhe në Televizion. Vetëm pak orë para takimit festiv në Hollin e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, aktorja me karrierë 60 – vjeçare pranon të ndajë me lexuesit, disa nga ndjesitë e saj për profesionin si dhe të tregojë stacionet më të rëndësishme të jetës artistike.
Megjithë paragjykimet e fundviteve 1950 për artistët, Aishe Stari heq dorë nga dega e Biokimisë që kishte filluar, për ta zëvëndësuar me studimet në degën e aktrimit.
“Fakulteti më pengoi të largohesha nga Shkencat, dhe u detyrova ti shkruaj Liri Belishovës, që në atë kohë ishte anëtare e Byrosë Politike” – tregon Aishe Stari. I shkruajta, pasi duke qenë grua do ta kuptonte dëshirën time.
Kështu fitova lejen për t’iu nënshtruar konkursit dhe për të nisur formimin si aktore në Institutin që sapo ishte krijuar”. Ajo thotë se trupa e Varietesë në Durrës ka qenë si një familje për të dhe se ka shkuar në punë gjithmonë me kënaqësi.
“Ndjeheshim mirë të gjithë, sa që edhe unë ngacmohesha me pjestarët e trupës siç ndodh edhe në një shtëpi”.
Vajza nga Durrësi që mban diplomën nr 1 e përfundoi shkollën me diplomantët e parë aktorë Edi Luarasi, Mimika Luca, Serafin Fanko, Filika Dimo, Albert Vërria, Mario Ashiku, Donika Barçi, Viktor Bruçeti, Mexhide Pupi, Miho Gjini, etj.
Aishe Stari do të bëhej shumë shpejt “Ylli (Star) i Estradës së Durrësit, siç e quan Flori Slatina (autor i librit – album) për aktoren, që sot feston 81-vjetorin e lindjes.
“Tani mendoj ndryshe, madje jam e bindur që kam qenë me fat, por në vitin 1961, më dukej se kisha përfunduar nga Teatri në Estradë. Regjisori Gjergj Vlashi insistoi që të aktivizohem me trupën e Varietesë, ku gjeta aktorët Spiro Strati, Enver Likmeta, Ramazan Njala, Sandër Pepa, Aleks Llazari, e më pas edhe Lumturi Dashi, Fadil Hasa, Roland Koça dhe Muharrem Hoxha. Fillova me disa imitime fëmijësh në premierën “Stafeta e viteve” dhe më pas me rolet e shumtë. Unë isha e vetmja aktore me shkollë në Variete, por kolegët e mij ishin mjaft të talentuar, shumë seriozë me punën, dhe me siguri kam mësuar shumë më tepër unë prej tyre”
Nëse trupat e tjera kishin aktorë si Tano Banushi apo Skënder Sallaku, çfarë e bënte Varietenë e Durrësit të kishte aq shumë sukses?
Në shfaqjet tona kishte gjetur vend edhe kupleti, teatri i hijeve dhe ai i xhepit, poezia humoristike, e po ashtu komeditë e shkurtëra nga autorët e huaj. Estrada është gjini e vështirë, por të jep shumë mundësi. Duhet të krijosh 3-4 role në një shfaqje dhe brenda pak minutash të paraqesësh një figurë. Nga ana tjetër në trupën tonë regjisorët kanë preferuar një ngarkesë thuajse të njejtë për secilin aktor në çdo premierë. Kjo e ka larguar prej nesh smirën apo xhelozinë e sëmurë. Ky ishte burimi i harmonisë dhe e ngrohtësisë në trupë. Falë regjisorëve Gjergj Vlashi dhe Haxhi Rama kemi punuar së bashku si në një familje të madhe.
Interpretimi i poemës satirike “Pleshti dhe xixëllonja” të Dritëro Agollit ju dha mjaft emër?
Po, dhe në Takimin e organizuar në Peshkopi jam vlerësuar me Medaljen e Artë. Fillimisht më dukej sikur kishte dallim racial në vargjet e saj. Kur regjisori Gjergj Vlashi më bindi që mund ta realizoj poemën, u mbylla me një magnetofon për disa ditë në kabinën time në teatër dhe kam ripërsëritur dhjetra herë tekstin, por më shumë interpretimin.
Kur jeni aktivizuar për herë të parë në teatrin dramatik? Po në kinema?
Pas disa përvojave me komedi në Estradë, roli i parë në teatër mbërriti në vitin 1980, në veprën e Molierit “I sëmuri për mend” (1980). Më pas edhe në shfaqje të tjera deri te “Ëndrra e një nate vere” (2013). Kam interpretuar edhe në filmat “Dasma” dhe “Udhëtim në pranverë”, por ai që mbahet mend është “Fije që priten”. Nuk ishte e lehtë. Më duhej të shkoja për xhirime në Tiranë çdo ditë dhe pastaj të kthehesha në Durrës për shfaqjet e estradës. Kujtoj se sa jam alarmuar në një rast, kur makina na u prish në Maminas. Angazhimi në variete ka qenë arsyeja kryesore se përse kam luajtur shumë pak filma. Më vonë, pas viteve 1990 jam aktivizuar në kinokomeditë e regjisorit Arjan Culiqi. Janë të gjitha përvoja shumë interesante e të bukura.
Si mund ta ruajë një aktor kondicionin fizik?
Përmes punës. Unë e dua punën. Atë që më jep teatri, kënaqësinë që më japin spektatorët nuk e gjej askund. Prandaj jam përfshirë në teatrín e Kukullave, prandaj kam punuar individualisht me fëmijët e kopshteve dhe të shkollave fillore. Tani më ka ndërprerë pandemia. Gjatë muajve të izolimit i kam ndjekur me simpati artistët që zhvillonin nëpër lagje koncertet në karantinë. Edhe unë po pres të rifilloj me spektatorët e vegjël. Sa do të punoj? Jetën na e ka falur Zoti dhe duhet ta falënderojmë atë. Për të tjerat nuk kanë të bëjnë vitet. Për sa kohë e ndjej veten mirë do të punoj, pasi nuk bëj dot ndryshe. Teatri është jeta ime./shqiptarja.com