Një leje nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Administratës Publike po e mban “peng” zgjedhjen e drejtuesve të rinj në disa nga institucionet më të rëndësishme kulturore në vend. Teatri Kombëtar i Kosovës , Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Baleti Kombëtar i Kosovës aktualisht janë pa drejtorë e vetëm me ushtrues detyre, por Ministria e Kulturës ende nuk di si t’i japë zgjidhje këtij ngërçi.
Në qershor, Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin, në bazë të të cilit u vlerësua se nene të caktuara të Ligjit për Zyrtarët Publikë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ndonëse nuk është shfuqizuar në tërësi, kjo instancë i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë në përputhje me gjetjet e aktgjykimit.
“Aktualisht nuk lejohet hapja e konkurseve për rekrutim të stafit të përfshirë edhe për pozita drejtuese siç janë drejtuesit e institucioneve të kulturës”, është përgjigjja e Ministrisë së Kulturës për ‘Kohën’.
“Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë duhet nxjerrë akte nënligjore, të cilat përcaktojnë procedurat e rekrutimit të punonjësve në të gjitha pozitat”, transmeton ‘koha.net’.
Kështu, Ministria e Kulturës do të jetë për ca kohë në pritje të njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, që lejon hapjen e konkurseve për pozita drejtuese.
Në fund të janarit të sivjetmë, MKRS kishte paralajmëruar konkurs për dy pozitat më të larta menaxheriale në hierarkinë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.