Teatri Eksperimental rikthen shfaqjet në sallë. Neritan Liçaj: Na thonë të marrim leje në ministri, por…

Pas 8 muajsh mbyllje, Teatri Kombëtar Eksperimental i Tiranës i vendosur në Art turbina rikthen shfaqjet brenda në sallë. Këtë të shtunë dhe të dielë, do vihen dy premiera për fëmijë, “Hans dhe Gretel” e “Përtej imagjinatës” në orën 10:30.

Në kuadër të masave anticovid, do përdoret vetëm 30 % e kapacitetit të sallës, e përkthyer ndryshe, vetëm 1 në çdo tri ulëse, ndërsa publiku do të ketë në mënyrë të detyrueshme maska. Matje e temperaturës në hyrje dhe në dalje si dhe dezinfektim pas çdo shfaqje, parasheh vendimi i eksperimentalit.

Endri Çela, regjisor, thotë se është i lumtur që rinis jeta kulturore në teatër. Po ashtu, regjisori Mateo Dervishaj, shprehet se ‘Hans dhe Gretel’, ishte një pjesë që e donte që kur ishte fëmijë.

Ndërkaq, Teatri Kombëtar ende nuk ka njoftim publike për nisjen e sezonit të ri artistik. Të premten sindikata e artistëve të skenës, ka thirrur një takim me aktorët.

Neritan Liçaj, thotë se “Teatri lajmëroi takim, dhe unë erdha. Pastaj pashë që takimin e kish thirrur sindikata. Çudi më vete që për takimin e sindikatës na njofton administrata e teatrit. Ne na thonë që duhet të kërkojmë leje për shfaqje në ministri. Por ne s’kemi pse marrim leje, sepse nuk ka më gjendje fatkeqësie. Sapo u shemb teatri, mbaroi gjendja e fatkeqësisë. Atëherë pse të marrim leje? Cili ligj na ndalon të punojmë? Ne duhet të vijojmë punën duke respektuar protokollet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë”- tha Liçaj për News 24 e Balkanweb.

Teatrot janë mbyllur që prej marsit të këtij viti, për shkak të pandemisë, duke paralizuar jetën kulturore dhe duke lënë të papunë, dhjetëra artistë që punojnë me projekte.