Teatri i Mitrovicës fiton çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Egjipt

Teatri i Mitrovicës “Muharrem Qena” ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove “Sharm el-Sheikh International Theatre Festival” në Egjipt. Teatri i qytetit në këtë festival ka marrë pjesë me shfaqjen “Një vrasje e vogël aksidentale”.

Nga kjo ngjarje kulturore aktorja e Teatri “Muharrem Qena”, Qendresa Kajtazi, fitoi çmimin “Aktorja më e mirë”. Lidhur me këtë u.d. i drejtorit të teatrit, Sabit Sheremeti, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ndihen krenarë që fituan këtë çmim.

Sheremeti ka thënë se gjatë këtij edicioni ishin mbi katër mijë shfaqje teatrale që kishin aplikuar dhe se ishin “në garë”.

“Kujtojmë që këtë vit ka qenë nje konkurrencë shumë e fuqishme, mbi 4000 shfaqje teatrale kanë aplikuar në këtë edicion në ‘Sharm El-Sheikh International Theater Festival’”, ka thënë tutje ai.

Ai ka treguar se në këtë festival kanë shkuar me ftesë të drejtorit general, Mazen El Gharabwy, i cili sipas tij, iu bëri ftesë publike pas paraqitjes së Teatrit të Qytetit në Festivalin Ndërkombëtar “SITFY-Poland”, i cili u mbajt në Poloni.

Sheremeti ka shtuar se pritja nga delegacionet ndërkombëtare ishte e mirë, derisa bën të ditur se perveç trupës artistike dhe teknike në këtë udhëtim ishin të shoqëruar nga delegacioni i Komunës së Mitrovicës, duke filluar kryesuesja e Kuvendit Komunal Vesa Broja dhe drejtori i DKRS-së Fahri Jashari.

Ai ka theksuar se me shfaqjen “Një vrasje e vogël aksidentale”, brenda këtij viti do të jenë edhe në dy festivale mbarëkombëtare, në festivalin tradicional i komedisë “Mittrix Fest” që mbahet në Mitrovicë dhe në festivalin mbarëkombëtar “Ditët e Komedisë” që mbahet në Preshevë.

“Ndërsa për festivale ndërkombëtare jemi në pritje të ftesave ose selektimit dhe besojmë shumë që vitin e ardhshëm do të jemi edhe në një festival ndërkombëtar me këtë shfaqje”, ka theksuar tutje Sheremeti.

U.d. drejtori i teatrit “Muharrem Qena” ka potencuar se shfaqja “Një vrasje e vogël aksidentale” është një komedi që përqendrohet në pasojat e një akti të papritur dhe të paplanifikuar.

Historia e kësaj shfaqjeje zhvillohet rreth një çifti, Alen dhe Eva që pa dashur, përfshihen në një ngjarje tragjike që shndërrohet në një burim situatash qesharake dhe absurde.

“Ngjarja nis kur protagonisti kryesor, Alen duke u përpjekur të zgjidhin një problem të vogël, shkakton aksidentalisht një vrasje. Të tmerruar dhe të paqartë se si të reagojnë, ata përfshihen në një varg gënjeshtrash dhe manipulimesh për të mbuluar gjurmët. Por, çdo përpjekje për të zgjidhur situatën vetëm sa i fut më thellë në telashe, pasi në shtëpinë e tyre vjen gruaja e Piterit, të cilin Alen pohon se e ka vrarë”, ka treguar ai rreth shfaqjes.

Më tej, ai ka vijuar se me një përzierje të ngjarjeve absurde, keqkuptimeve dhe humorit të zi shfaqja nxjerr në pah absurditetin e situatave të përditshme kur ndodhin në rrethana ekstreme. Sipas tij, në fund gjithçka del jashtë kontrollit duke sjellur kështu një përfundim surprizues dhe të çuditshëm.

“Kjo komedi eksploron natyrën njerëzore, lakminë, frikën dhe aftësinë për të bërë gabime fatale, duke i paraqitur në një mënyrë të lehtë dhe argëtuese”, ka deklaruar Sheremeti.

U.d. drejtori i teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë ka përfunduar duke thënë se në këtë rrugëtim i kanë mbështetur Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)./telegrafi

ObserverKult


Lexo edhe:

AKTORËT E TEATRIT KOMBËTAR TË KOSOVËS NË GREVË, ANULOHET FESTIVALI I TEATRIT SHQIPTAR “MOISIU”