Luan rolin e tij në film, aktori shqiptar rrëfen takimin me Zlatan Ibrahimoviqin

Granit Rushiti dhe Dominic Andersson Bajraktari janë shqiptarët, pjesë e filmit që rrëfen jetën e futbollistit të njohur Zlatan Ibrahimoviq, traileri i të cilit u publikua në qershor.

Rushiti, 20-vjeçar, me origjinë shqiptare nga Kosova, është në rolin e aktorit që ka interpretuar Ibrahimoviq në versionin e periudhës midis moshës 17 dhe 23 vjeç. Gjigantin suedez të Milanit, nga mosha 11 deri 13 vjeç e ka interpretuar Dominic Bajraktari Andersson, edhe ky me rrënjë shqiptare.

Filmi “I Am Zlatan” (“Unë jam Zlatan”), drejtuar nga Jens Sjogren, një regjisor suedez 44-vjeçar, shkruar nga Jakob Beckman e David Lagercrantz, do të jetë i pari në jetën e Ibrahimoviq, pas dokumentarit të vitit 2015.

Filmi, i xhiruar midis Suedisë dhe Amsterdamit, është shtyrë për të dalë në kinema muajin janar të vitit 2022, jo në shtator të këtij viti, sikurse ishte paralajmëruar. Këtë lajm e konfirmon edhe aktori që intepreton Zlatan, Granit Rushiti, për “Insporti”. Ai bëri të ditur se publikimi i filmit është shtyrë për janar për shkak të koronavirusit, gjithashtu zbuloi bisedën që pati me Ibrahimoviq pas xhirimeve në “I Am Zlatan”.

“E kam takuar Zlatanin tri ditë më parë, më tregoi historinë e tij se si ka arritur të jetë ky lojtar që është. Ndërsa diskutuam për vështirësitë që kemi pasur gjatë xhirimeve, Ibra më pyeti nëse e vizitoj Kosovën.

I tregova se e kisha parë së fundi duke luajtur pikërisht në ndeshjen e Suedisë me Kosovën, në Prishtinë. Ai më tha: Pse nuk i tregove sigurimit se ke qenë aktor i filmit, ke luajtur rolin tim, sepse do të kishin leju me hy dhe me pas kontakt me mua”, – rrëfeu Rushiti për “Insport”.

Aktori kosovar tha se në fakt kishte tentuar të kontaktonte me Ibrën në Prishtinë, por sigurimi i kombëtares suedeze nuk e kishte lejuar.

LEXO EDHE: Shqiptarët me role kryesore në filmin për jetën e Zlatan Ibrahimoviq