Nga Ardit Roshi
Teatrin e vrava unë, e vrave ti, e vrau shteti, qeveria, opozita. Cilado të ketë qenë, kurdo ka qenë, në secilën anë. Teatri nisi të vdesë kur në fillim të viteve 2000, shfaqja “Gjethja” kishte mesatarisht 10 spektatorë në sallë, përveç premierës. Unë këtë e di sepse kisha fatin të luaja vetë në Teatrin Kombëtar tek “Armiku i Popullit” nga Henrik Ibsen, me regji të Agim Qiriaqit të ndjerë dhe në rolin kryesor Fatos Selen i ndjerë bashkë me Ahmet Pashën, Pavlina Manin, Liza Xhuvanin, Andon Qesarin, Bujar Asqeriun, Sokol Angjelin, Gëzim Rudin e shumë e shumë të tjerë. Pjesëmarrja, pas 7-8 shfaqjeve të para, ishte minimale edhe aty. Edhe kur në trupën e aktorëve bënin pjesë më shumë se gjysma e më të mirëve të vendit tonë.
Unë e vrava sepse mbas asaj shfaqje nuk luajta më në teatër, shkova vetëm 2-3 herë të tjera në teatër nuk vura më shfaqje në skenë si regjisor.
Ti e vrave sepse nuk shkove në teatër, nuk pyete për teatrin, nuk u interesove për teatrin deri ditën që u bë pjesë e diskursit politik.
Shteti e ka vrave me gjilpëra të mprehta për vite e vite me radhë duke e lenë të rrjedhë gjak. Gjilpërat ishin mosinteresimi, politikat skandaloze artistike, edhe para Ramës si ministër, edhe gjatë, edhe pas.
Qeveria e vrau sepse preu interesin për Akademinë e Arteve, laboratorin inkubues që duhet të lindë foshnjet shpirtërore artistike me të cilat teatri duhet të ushqehet.
Opozita e vrau sepse për ironi të fatit, u bë pjesë e diskursit dhe u interesua për vetë teatrin që e kishte injoruar me breza. Por kujdes, nuk u interesua për artin. U interesua për ndërtesën.
Teatri vdiq kohë më parë sepse shkolla që e furnizon, atë dhe teatrot në rrethe, u kthye nga politika në një alternativë për ata që nuk kapnin dot fakultete të tjera. U vra sepse prodhonte rreth 15-20 regjisore për brez dhe rreth 15-20 aktorë për brez që nuk dinin nga lidhej gomari në lidhje me vetë teatrin. Njerëz që paguanin njerëz artistë në thonjëza, për t’u bërë artiste vetë. Që merrnin provimin e hyrjes në shkollë dhe nuk u interesuan njëherë të merrnin kartën e studentit për të hyrë në teatër.
Teatri nuk është një ndërtesë. Teatri është një organizëm që jeton brenda shoqërisë. Teatri duhet të jetë zemra pulsuese e shoqërisë por ne e kthyem në apandesit. Dhe u dhamë gojë atyre që janë fiksuar mbas pamjes dhe estetikës, jo formës e funksionit, që të bënin më të ç’të donin.
Teatri u rrënua vite më parë por u prish natën nga një fadrome që e hodhi ne tokë si një kuti shkrepësesh. U prish natën sepse një zot e di pse. Kur je me të drejtën dhe kur shumë e shumë arkitektë e ekspertë të kanë thënë qe duhet zhdukur ndërtesa se nuk bën, dakord nuk bën them edhe unë, a e shpjegon dot këtë qëndrim dhe i qëndron deri në fund. Dhe shkon vetë në shesh tek teatri dhe u shpjegon vetë njerëzve arsyet. Publikisht, me logjikë. Jo nga qetësia dhe mbrojtja e zyrës që vetë njerëzit të kanë dhënë.
Teatri vdiq sepse ne luajmë teatër, të shëmtuar, hipokrit, mashtrues, të shpifur, me njëri-tjetrin e me veten. Ne shohim sinqeritetin dhe të vërtetat e pa rehatshme si një ves që duhet zhdukur, dhe sahan lëpirjen si një virtyt që duhet kurorëzuar. Sepse jemi dembele, jemi mësuar te marrim para pa punuar, kemi të gjithë ajfona dhe jemi të gjithë pa punë. Teatri vdiq sepse ne nuk lexojmë, por ankohemi. Nuk punojmë por justifikohemi. Nuk përmirësohemi sepse duam të na njohin vlerat që nuk nuk i kemi. Sepse ecim përpara me mllef dhe themi kur e ka ai pse mos ta kem edhe unë. Por jo të punoj e të përpiqem, jo. Të më vij nga qielli. Të ma japin, sepse e meritoj, edhe pse s’kam asnjë meritë. Edhe pse qesh si hu i pa gdhendur kur shoh shakatë e artistëve që as thonjëzat nuk i bëjnë punë, në salla kinemaje mbushur me mediokritet.
Teatri vdiq sepse ti ose je me mua, ose je kundër meje. Mendimi yt ndryshe të bën armik me mua. Se unë jam më i mirë se ty ngaqë kam me shumë ndjekës në një fallcitet që paraqet vetëm pjesë të stisura të një jetë që nuk egziston në realitet, por postohet sepse unë e di që ti atë do të shohësh. Teatri vdiq sepse ti ulesh në kafe e bën llogje. Pyet a e pa çfarë tha ai, a e për çfarë bëri ajo. Teatri vdiq sepse ti nuk di shqip. Dhe nuk do te mesosh kurre sepse familja dhe shoqeria ne pergjithesi te ka mesuar te besh te fortin dhe te venerosh doganierin e politikanin. Jo mesuesin e mjekun. Teatrin e vrave ti!
Teatri i ri duhet. Po, po. Duhet. Dhe duhet fiks aty ku ishte i vjetri. Sepse i vjetri nuk vlente më e nuk shpëtohej dot. Dhe i riu duhet ti kujtojë të gjithëve që teatri ka vdekur. Por hej, le të shohim anën pozitive. Në një vend ku askush nuk mban përgjegjësi, as policët për dhunën ndaj studentëve, as ministri për dhunën e policëve, as kryeministri që dhunën nuk e ka parë fare, as kryetari i bashkisë që shpjegon se çdo të bëhet me pilafin pas pilafit, as populli që e la situatën të katandiset kështu, të paktën pjeshkat, femra, meshkuj apo feshkuj qofshin, do të kenë ku të bëjnë një foto dhe poshtë saj të përdorin një frazë inspiruese, mbase mbase, marrë nga një aktor, autor apo regjisor i madh. Teatri ka vdekur me kohë!/ ObserverKult