Që nga e premtja e 17 janarit, Teatri Kombëtar i Kosovës ka mbetur edhe pa drejtor të përgjithshëm, pasi që zyrtarisht, Agim Sopit i ka përfunduar mandati për ta menaxhuar këtë institucion.
Regjisori Sopi, në dhjetor të vitit 2015, ishte emëruar në postin e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së, në kohën kur Këshilli Drejtues e kishte shkarkuar nga kjo pozitë Valdet Avdiun, me arsyetimin se ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka keqmenaxhuar me mjetet financiare.
Pas dy vjetësh qëndrimi si menaxher i Teatrit Kombëtar, Sopi ishte larguar nga kjo detyrë, pasi që Këshilli Drejtues me gjashtë vota për e një abstenim kishte votuar për shkarkimin e tij.
Në atë periudhë, kryetarja e Këshillit Drejtues të TKK-së, Burbuqe Berisha, kishte deklaruar se pas shqiptimit të dy vërejtjeve në adresë të Sopit, është marrë vendimi për largimin e tij nga kjo detyrë.
Ndërkohë Sopi insistonte se arsyet politike, si dhe përplasjet e tij me anëtarët e Bordit të TKK-së për sa i përket miratimit të repertorit për vitin 2018 ishin disa nga arsyet e largimit të tij nga pozita e shefit të teatrit.
Papërshtatshmëria politike dhe komentimi i punës së Bordit, sipas tij, ishin të tjera arsye që atë e larguan nga pozita e drejtorit.
Sido që të jetë, Agim Sopi pas shumë pengesave ia kishte arritur që për katër vjet ta udhëhiqte institucionin më të lartë teatror të vendit.
Nga ana tjetër, Fisnik Ademi, i cili është kryesues i Bordit të TKK-së, i ka thënë Kohavisionit të jenë konsultuar me Ministrinë e Kulturës, që pozita bosh e drejtorit të përgjithshëm të zëvendësohet me ushtrues detyre deri në hapjen e konkursit.
“Jemi dakorduar me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës që një punëtor i brendshëm i këtij institucioni të ushtrojë detyrën e drejtorit të përgjithshëm. Kemi kërkuar nga Ministria që të hapen konkurset për dy pozitat menaxhuese të Teatrit. Të mërkurën do ta bëjmë publik emrin e ushtruesit të detyrës”, ka thënë Ademi.
Osman Gashi, udhëheqës i divizionit për komunikim publik i Ministrisë së Kulturës, i ka thënë KTV-së se MKRS-ja me lejen e Ministrisë së Administratës Publike brenda kësaj jave do të hapë konkursin për drejtorin e përgjithshëm dhe artistik të Teatrit Kombëtar.
Aktualisht Teatri Kombëtar i Kosovës, përpos që ka mbetur pa drejtor të përgjithshëm, po vazhdon që ushtrues detyre të drejtorit artistik ta ketë aktorin rezident, Adrian Morina.
Pa drejtor ka mbetur edhe Baleti i shtetit, ndërkohë ky institucion po udhëhiqet nga balerini Kreshnik Musolli./ktv