Afrim Demiri: “E gjithkohshmja Andërr”/ Poetika e vrame nga lufta

Timo Merkuri Bajram Mjeku E gjithkohshmja Andërr

Poetika e vrame nga lufta

(Recension për librin e Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja Andërr”, Littera, Prishtinë, 2024)

Libri “E gjithkohshmja Andërr”, e autores Donika Dabishevci është një kronikë poetike për luftën. Një kronikë ku së bashku me njerëzit vritet edhe vet poetika, por mbijeton fjala si trajtë e kujtesës. Si rrallë herë në ndonjë libër tjetër portreti i luftës sfidohet nga fjala artistike, se tek Andrra e Donikës. Cila është kjo Andërr?!

afrim demiri poetika e gjithkohshmja anderr çelës gjuha e heshtjes

Nga Afrim DEMIRI

Andrra e lirisë, e mbijetimit apo një metafizikë e papërshkrueme. Andrra është antiportreti i luftës, është njerëzorja përballë antinjerëzores. Si e solli gjakftohësinë e rrëfimit autorja derisa i ngjallë peizazhet e dhembjes që gufojnë nga gjaku i përflakur. Si i ngriti ajo vdekjet e pafajshme në heroizmin e heshtur karshi barbarisë egërshane. Një rrëfim të tillë e kam ndjerë vetëm tek libri ” Lufta nuk ka fytyrë gruaje” të nobelistes Svetllana Aleksejiviq, kurse Donika nëpërmjet vargjeve sjell epikën e tragjikës që ka përmasat e tragjedive antike.

Nuk është thanë kot që mbase surealizmi krijon lehtësinë më të pranueshme me e bartë artistikisht dhembjen e lufës, me e zhvendosë realitetin tragjik në hapësira ku ruhet brumi i njerëzores para krimit antinjerëzor. Por jo! Poezia në këtë libër vjen me ritmin ekzistencial, me fuqinë e rrëfimit të një dëshmitareje që fuqinë e fjalës e lidhë me frazeologjizmat e njeriut tonë të thjeshtë që me vdekjen ndeshet ballëpërballë si me arushën, por e ruan drejtpeshimin psikik para makthit.

Është kjo një qëndresë e një gjame epike homerike ku lemeria përbihet deri në heshtje dhe etika ngrihet mbi vdekjen. Ky është vargu poetik i Donikës që figurat, metaforat, simbolet i gurëzon në dhembje i kthen në armë të folmës së njeriut tonë të rëndomtë, në gjuhën që flet pak e thotë shumë.Vargu i saj dëshmon poetikën e vrame në luftë krahas fateve njerëzore. Çdo poezi merr përmasat e një monumenti përkujtimor, për masakrat, për njerëzit që vdekja i nxen në shtëpitë e tyre derisa përgatiten t’i lajnë sytë për ditën e re.

Donika ia çjerrë fytyrën luftës, i hakmerret për viktimat e saja. Vdekja e prekë etninë e saj. Një vdekjeje kolektive i kundërvihet një individ që rastisë të jetë poete. Kjo poete e ndjek luftën edhe në Sarajevë, Gazë apo në Kijevë! E demaskon! Krijon përmasën e njerëzorës globale. Libri zgjerohet del përtej kufinjëve të Kosovës. Andrra merr përmasën edhe të sotmës ajo shtrihet gjithandej rruzullit. Nuk jam i sigurtë a është dashtë të del nga rrethi i kujtesës sonë nga dhembja autentike?! Por poetika e dhembjes nuk njeh kufinj!.

“E gjithkohshmja Andërr” e Donika Dabishevcit, krahas “Lum Lumit” të Ali Podrimjes, do të jenë libra emblematik për dhembjen njerëzore pavarësisht nga rrafshi se kush e sjell atë.
Sepse poezia e para e ndjen tërmetin e zemrës, pa menduar prej kujt po vjen ai.

ObserverKult

Lexo edhe:

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË U KUSHTOHET VIKTIMAVE TË LUFTËS NGA DONIKA DABISHEVCI
GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
AGRON GASHI: POETIKA E VDEKJES MIZORE TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!