Teatri Kombëtar i Kosovës nis publikimin e shfaqjeve online

Teatri Kombëtar i Kosovës, në pamundësi të zhvillimit të shfaqjeve në sallë, si pasojë e masave për parandalim të përhapjes së koronavirusit, ka njoftuar se shfaqjet do të vijnë në shtëpitë e artdashësve.

Përmes një njoftimi për media, TKK-ja thotë se edhe përkundër rrezikut nga koronavirusi, teatri nuk mund të ndalet pasi që “ai ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht”.

Adrian Morina, ushtrues detyre i Drejtorit Artistik në TKK, ka bërë me dije se këtë të premte (03.04.2020), në ora 20:00, në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Facebook, do të sjellin (livestream) superkomedinë “I ligu për mend”, nga Gjergj Fishta, me regji të Altin Bashës.

Ndërsa ditën e shtunë (04.04.2020), në ora 20:00, TKK-ja do të shfaq një nga produksionet e veta më të mira të mjeshtrit të madh William Shekspeare, “Tregtari i venedikut”, me regji të Mathew Lenton.

Njëjtë, sipas Morinës, do të vazhdohet edhe gjatë javëve që vijnë.

“Jemi me shpresë se kjo praktikë të dështojë sa më shpejtë dhe së bashku t’i rikthehemi shtëpisë sonë të shenjtë, TEATRIT”, përfundoi Morina.

Në njoftimin e TKK-së kërkohet nga qytetarët që të respektojnë këshillat e institucioneve shtetërore për masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.