Kërkesa për ansambël rezident – e pazgjidhur përfundimisht për gati krejt teatrot komunale – për teatrin “Adriana” të Ferizajt, s’ka marrë përgjigje pozitive tash e dy dekada. Por këtë kapitull esencial për funksionimin si institucion i mirëfilltë teatror syno ta përmbyllë në 75-vjetorin e themelimit. Komunës së Ferizajt tashmë ia ka adresuar kërkesën për hapje të konkursit për aktorë e për staf teknik
Teatri i qytetit të Ferizajt, “Adriana”, synon që në 75-vjetorin e themelimit të ketë edhe ansambël rezident të aktorëve, por edhe staf të rregullt administrativ e teknik. Është një kërkesë e papërmbushur tash e dy dekada. Për këtë i është drejtuar Komunës së Ferizajt, por ende nuk dihet se kur do të hapet konkursi për 18 vende të punës. Deri te ky proces ka arritur pasi Komisioni i Granteve në kuadër të Ministrisë së Financave në prill të vitit të kaluar ka aprovuar financimin komunal për teatrot sa i përket viteve 2020-2022, transmeton ‘koha.net’.
Me miratimin e buxhetit për këtë vit në mars, tetë teatrove të qyteteve u është hapur rruga që të shpallin konkurse për staf rezident. Teatri “Adriana” për këtë vit ka në dispozicion 173 mijë e 950 euro për staf të rregullt dhe për projekte teatrore. Janë 20 aktorë dhe 10 anëtarë të stafit mbështetës që punojnë me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta. Sikurse në krejt teatrot e qyteteve, shfaqjet janë realizuar me projekte të përkrahura nga komunat dhe Ministria e Kulturës.