Gjeni? Vrasës serial? Viktimë? Ideolog? I çmendur? Apo të gjitha bashkë?
Për 16 vjet rresht një njeri i panjohur i mbiquajtur nga mediat dhe FBI “Unibomber” terrorizoi Amerikën. Kreu 16 atentate me pako-bomba që u dërgoheshin me postë personave të ndryshëm, në qytete dhe universitete të ndryshme amerikane, të cilët kishin të përbashkët një gjë: ishin pjesë e stafeve akademike të internetit dhe hitech. Në një rast bomba iu vu një avioni. 3 të vdekur dhe 18 të gjymtuar.
Sipas ekspertëve të FBI supozohej që krimineli i panjohur ishte një njeri që i përkiste botës së njohur të krimit, me inteligjencë nën mesataren dhe i pashkolluar. Në bazë të këtij profili të krijuar nga FBI në listën e të dyshuarve bënin pjesë mbi 2500 persona që përmbushnin kriteret e profilit të Unabomber.
Po kush ishte Theodore John Kaczynski?
Lindur në vitin 1942 në Chicago nga dy prindër me origjinë polake.
Në moshën 16-vjeçare IQ e tij vlerësohet 167, një nga më të lartat në botë, karakteristike vetëm e gjenive dhe i jepet bursë studimesh në Universitetin e Harvardit duke u bërë studenti më i ri në moshë në historinë e universitetit më cilësor të planetit.
Në moshën 20 vjeçare kryen Master në Matematikë dhe në moshën 23 vjeçare bëhet PHD, më i riu nga doktorantët amerikanë në historinë e Matematikës.
Në vitin 1967 bëhet fillon punë në Universitetin e Berkeley duke u bërë profesori më i ri në moshë në historinë e universiteteve te Kalifornisë.
Ndërkohë publikon studimet shkencore më të avancuara të epokës dhe fiton të gjithë çmimet akademike për matematikën në rang botëror.
Papritmas vendos të ndërpresë karrierën e vet dhe në vitin 1971 shkon në Montana, blen një copë të vogël toke, ndërton një kasolle që nxente veç një krevat, nje karrige, një sobë më dru dhe pak rafte në mur, pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm dhe jeton aty i shkëputur nga kontaktet sociale më botën për 25 vjet me radhë. Ushqehej me gjueti dhe lahej në një lumë që kalonte aty pranë.
Por matematicieni brilant nuk u shndërrua te ajo kasolle në Unabomber, vrasës serial.
Transformimi i tij lidhet me një ngjarje tepër të pazakontë dhe kriminale.
Në vitin 1962 CIA po provonte një mënyrë të re dhe të sofistikuar të marrjes në pyetje të spiunëve sovjetikë. Teknikat kishin të bënin më leximin e mendjes të armikut të kapur. Ky lexim i mendjes bëhej me aparatura të sofistikuara që nga valët elektromanjetike e deri te karrigja elektrike në voltazh jo vdekjeprurës.
Për të provuar efikasitetin e teknikave krerët e CIA iu drejtuan Harvardit, profesorit Henry Murray, një nga psikologët më të famshëm të epokës, cili përzgjodhi studentët që konsideroheshin mendjet më të ndritura të Harvardit. Mes tyre edhe Ted. Studenti që thyhej nga torturat psikologjike përjashtohej nga eksperimenti i radhës. Por Ted vazhdoi të merrte pjesë duke i rezistuar fuqisë shkatërrimtare të procedurave dhe eksperimenteve që u bënë më trurin dhe mendjen e tij. Kjo zgjati rreth 2 vjet. 200 orë eksperimente nuk arritën ta thyejnë mendjen e Ted, por arritën të deformojnë në mënyrë të pakthyeshme personalitetin e tij. Nga një njeri i ndrojtur me fare pak shokë, ai u kthye në një qenie antisociale, u mbyll përjetësisht në vetvete dhe askush nuk dinte se çfarë po gatuhej në trurin e tij.
Nga ditari i tij mësohet se qëllimi i tij ishte revolucioni antiteknologjik, gjë që do të arrihej duke vrarë fillimisht kokat e shkencës në universitete të ndryshme amerikane, pasojë e zhgënjimit që i dha profesori i Harvardit që dikur kishte qenë idhulli i Tedit 16-vjeçar.
Avokatët e tij u përpoqën ta nxirrnin të çmendur në mënyrë që t’i shpëtonin jetën. Kur Ted mësoi këtë gjë u vetëvarë në qelinë e tij, por mbijetoi falë ndërhyrjes së gardianëve. Pas disa procedurave legale, Ted vazhdoi gjyqin pa avokat dhe e pranoi fajin, duke rrezikuar kështu dënimin me ekzekutim me karrige elektrike. “Nëse do pranoja versionin e çmendurisë çfarë kuptim do të kishte kauza për të cilën unë luftova tërë jetës? “ shkruan ai në një prej librave që botoi si i burgosur.
Në vitin 1998 kur matura e tij do të bënin takimin e përvjetorit Ted në aplikimin që duhej plotësuar në këtë rast shkruajti: profesioni- I burgosur dhe te çmimet që kishte fituar në jetë renditi të parat në listë 8 dënimet me burgim të përjetshëm dhe pas tyre titullin PHD, Masterin dhe shumë çmime të tjera prestigjioze që kishte fituar.
Vazhdon të jetojë në burgun e sigurisë më të lartë në Florence, Colorado. Librat e tij ideologjikë konsiderohen manifeste dhe studiohen si alternative në universitete të ndryshmë të botës dhe e kanë shndërruar vetë atë në një legjendë të mendimit të lirë dhe figurë cult të rangut botëror.
“Industrial Society and Its Future” fillon me paragrafin “Revolucioni Industrial dhe pasojat e tij kanë qenë një shkatërrim për racën njerëzore. Teknlogjia ka një efekt destabilizues mbi shoqërinë, e bën të papërmbushëshme jetën e saj dhe shkakton përhapje masive të vuajtjes psikologjike mes njerëzve. Shumica e njerëzve e kalojnë kohën e tyre për qëllime të padobishme për shkak të përparimit teknologjik. Kaczincky i quan këto “aktivitete surrogate” kur njerëzit shkojnë drejt qëllimesh artificiale pa asnjë esencë brenda, duke përfshirë këtu edhe punën shkencore, konsumimin e zbavitjeve dhe lojërave elektronike, aktivizmin politik dhe tifozllëkun për sportin.
Që në fund të viteve ’80-të ai parashikon që avancimi i mëtejshëm teknologjik do të çojë drejt zhvillimit më të thellë të inxhinierisë genetike ku qënia njerëzore do të fillojë të përshtatet për të qenë e pranueshme në nevojat artificiale të shoqërisë, në vend që të jetë e kundërta. Njeriu e krijoi teknologjinë për ta bërë shërbyese të vet, por përfundoi në skllav të teknologjisë. Është teknlogjia ajo që tashmë përcakton natyrën e sjelljes njerëzore dhe sociale.
Kaczynski beson se përparimi teknologjik duhet ndaluar, duhet ndërprerë sa nuk është vonë dhe jo të ecet me mendimin se teknologjia duhet pranuar si e paevitueshme. Ai bën fjalë për revolucion anti-teknologjik dhe rikthim në jetën e thjeshtë primitiviste ku njeriu është zot i kërkesave të veta dhe jo skllav i ndërlikimeve që burojnë prej tyre. Ai argumenton se erosioni i lirive njerëzore është një produkt natyral në një shoqëri industriale sepse “sistemi duhet të rregullojë sjelljen e njerëzve në mënyrë që sistemi të funksionojë dhe reforma e sistemit është e pamundur kur kërkohen ndryshime drastike të tij për shkak të ndryshimeve dhe çrregullimeve të mëdha teknologjike që përcaktojnë dhe sundojnë systemin.”
Prandaj, vazhdon ideja e tij, tani është koha për rebelimin total ndaj teknologjisë, për sa kohë që teknologjia akoma nuk na ka mposhtur tërësisht
Kaczynski parashikon që rreth viteve 2020 deri në 2080 teknologjia do e skllavërojë përfundimisht sistemin social njerëzor dhe sjellja e njerëzve do të jetë sjellje teknologjike dhe vetë njeriu një krijesë artificiale teknologjike.
Koha më e mirë për revolucionin antiteknologjik, sipas tij, është kur shoqëria njerëzore të jetë krejt e çoroditur dhe e paqëndrueshme përballë realitetit teknlogjik.
Një pjesë e madhe e manifestit të tij ideologjik i dedikohet diskutimit rreth të majtës dhe të dhjathtës amerikane. Kaczynski fajëson për shumicën e agjendave teknologjike antisociale të majtën. Sipas tij “e majta përbëhet nga socialistët, kolektivistët, njerëzit politikisht korrekt, feministët, gay, aktivistët e njerëzve me mundësi të kufizuara, aktivistët për të drejtat e kafshëve dhe të ngjajshmit e tyre ambientalistë.
Ai beson se pamundësia e njerëzve për të qenë rehat me veten e tyre, kolektivizimi i shpirtit, mendjes dhe ndjenjave është motori lëvizës i të majtës, gjë që çon në një nga manifestimet më të përhapura në botë të çmendurisë në botën tonë. Prandaj edhe revolucioni antiteknologjik duhet të jetë edhe anti i majtë, larg çdo bashkëpunimi me të majtën, pasi sipas tij majtizmi në një plan afatgjatë është i papajtueshëm me natyrën, me liritë njerezore dhe avokate e djallit siç e quan ai teknologjinë moderne.
Gjithashtu Kaczynski kritikon të djathtët, konservatorët, duke i përshkruar ata si budallenj që nga njëra anë lehin kundër bjerrjes së vlerave tradicionale, dhe nga ana tjetër me entuziazëm mbështesin progresin teknologjik, zvetënimin e qënies njerëzore dhe rritjen ekonomike.
Në Netflix ka pak ditë që qarkullojnë dy filma tepër interesantë rreth jetës së tij, njëri artistik me 8 seri i titulluar “Manhunt” dhe tjetri “Unabomber – In His Own Words”, dokumentar i rrëfyer nga vetë Ted Kaszincky.
Përgatiti: Artan Gjyzel Hasani