Teodor Drajzeri, ky pionier i letërsisë moderne amerikane dhe gjigand i shkollës natyraliste botërore, ishte ndër të parët që, me penën e tij të artë, i bëri skanerin më të plotë shoqërisë amerikane të shekullit XX, në të gjitha dimensionet e saj: politike, morale dhe social-ekonomike.
Nga Sejdo Harka
Kjo, ndoshta ishte një nga arsyet kryesore, që ai u përzgjodh si një nga 100 shkrimtarët më të shquar të botës për shekullin e XX. Ai është jo vetëm mjeshtër i madh i fjalës, por dhe i trillit krijues amerikan, me origjinë gjermane, që i dhuroi botës një pasuri të madhe artistike shumëdimensionale. Padyshim që në këtë mori të madhe veprash, vend të rëndësishëm zë triologjia “Gjeniu”, përkthyer nga M.Bobrati dhe ribotuar nga shtëpia botuese “Argeta LMG” e familjes Memet Gëzhilli. Në pjësën e parë të kësaj triologjie pasqyrohet “Rinia”, në pjesën e dytë “Lufta me jetën”, ndërsa në pjesën e tretë “Revolta”.
Objekt të këtyre shënimeve të shkurtra, kësaj here kemi bërë pjesën “Gjeniu” në moshën e rinisë, që ndoshta është libri më i bukur artistik i Drajzerit, brendia e të cilit shfaqet sa drejtpërdrejt, me nuanca autobiografike, aq dhe metaforikisht, duke ngritur në art pasionet dhe përgjegjësitë e brezit të ri amerikan, për të ecur përpara me hapin e kohës. Por, para se të analizojmë vlerat e papërsëritshme të këtij romani të pasionit të rrallë, po ndalemi për t’u rikujtuar lexuesve me pakë fjalë se kush është Teodor Drajzeri:
Ai lindi më 27 gusht të vitit 1871, në Terre Haute-Indiana të SHBA- së, dhe u nda nga jeta më 28 dhjetor të vitit 1945 në Los Anxhelos. Arsimin e lartë e kreu i në universitetin Indianos, në vitet 1889-90. Karrierën e tij ai e nisi si gazetar në të përditshmen “Chicago Tribune” ku u bë i njohur me disa shkrime të bukura për shkrimtarë të mëdhenj si, Nathaniel Haw Thorne, William Dean Howells dhe disa intervista me personalitete të njohura të politikës së vendit. Në vitin 1893 martohet me Sarah White, e cila u nda nga jeta në një moshë të re.
Edhe pse Drajzeri u mor edhe me poezi, tregime, kujtime e monografi, suksesi i tij i padiskutueshëm u bë romani i gjatë. Romani i tij i parë ishte “Motra Keri” (1899), por edhe pse ky roman nuk u pëlqye shumë vazhdoi të shkruante romane të tjera me të cilët do të bënte emër. Në romanin e dytë “Jennie Gerhard” (1911), ai sjell historinë e dhimbshme të një gruaje, që shet trupin e saj me një burrë të pasur për të ndihmuar familjen e varfër. Më pas ai shkroi triologjinë e përbërë nga “Financieri” (1912), ku pasqyrohet jeta e një manjati amerikan të transportit, “Titan” (1914), që u pasua më tej nga libri “Një udhëtim në Forty”, ku përshkruhen përshypjet e tij nga udhëtimet e tij nëpër Europë.
Romanet që e bënë Drajzerin më të njohur ishin triologjia “Gjeniu”, shkruar në vitin 1915 dhe përkthyer e ribotuar disa herë, jo vetëm në shumë gjuhë të botës, por edhe në gjuhën shqipe në të cilin trajtohen çështje të thella të pasionit, moralit, të dashurisë dhe të shkatërrimit të barrierave të së vjetrës që pengonte të renë përparimtare. Në 10-vjeçarin e dytë të shkeullit XX Drajzeri botoi edhe disa vëllime me tregime dhe esse si: “Liria dhe histori të tjera”, “Dymbëdhjetë burra”, “Ngjyra e një qyteti të madh”, dhe dramën “Rolet e natyrës dhe të mbinatyrës”(1916).
Drajzeri ka shkruar edhe disa vepra autobiografike si “Një libër për veten time”. Në vitin 1925, ai botoi pjesën e parë të veprës së tij madhore “Një tragjedi amerikane”, subjekti i së cilës është ngritur mbi historinë e një vrasjeje, që u quajt vrasja më e madhe e shekullit, përmes të cilit fshikullohet ashpër sistemi ligjor amerikan i kohës.
Mesazhet e tij u bënë shtysë e fuqishme për reformat më të thella sociale, të cilat do të sillnin ndryshime të thella në jetën shoqërore të Amerikës së shekullit XX. Në vitin 1931, T.Drajzer shkroi librin “Agimi”, ku rrëfen për fëmijërinë dhe rininë e tij. Ndërsa në vitin 1938, ai zhvendoset në Los Anxhelos, ku vendosi të merrej me marketingun e të drejtave të filmit .
Në vitin 1944 mbasi gruaja e tij e parë kish ndërruar jetë, martohet me Helenën, e cila do ta ndihmonte për botimin e vëllimit të tretë të triologjisë “Yerkes”. Kurse dy veprat etij të fundit “Bulwark”dhe”Stoiku”, u botuan pas vdekjes së tij, në vitet 1946-‘47. Ndërsa në vitin 1974 u botua libri me kujtime “Shënime për jetën”. Krijimtaria e Drajzerit do të shquhej për karakteret me pasione të fuqishme shumëdimensionale, të cilët luftojnë të “vrasin” krimin dhe dogmat morale të kohës, si dhe për realizimin e pasioneve dhe ëndrrave të tyre të bukura.
Po le të rikthehemi përsëri për t’u ndalur tek vlerat e papërsëritshme artistike, ideore dhe filozofike të romanit “Gjeniu” në moshën e rinisë. Sapo nis ta shfletosh këtë libër, mrekullohesh nga magjia që të rrëmben për ta lexuar me një frymë, deri në faqen e fundit. Kjo magji buron nga gjuha e ëmbël, trilli magjepsës dhe ëndrrat e bukura të një djaloshi amerikan, që e shtyjnë të kapërcejë male dhe fusha, për të thyer çdo pengesë dhe për të prekur ëndrrën e tij të madhe të gjeniut, piktor. Ngjarjet e këtij romani zhvillohen mes viteve 1884-‘89, në qytetin e vogël të Aleksandrisë në shtetin amerikan, Ilinois.
Ishin kohërat, kur ky qytet kish nisur të fshinte paçavrat e prapambetjes.
Ndaj kish nisur të preferohej shumë nga të ruinjtë amerikanë. Në qendër të trillit të romanit qëndron djaloshi 17-vjeçar, Juxhin Uitilla, i cili rridhte nga një familje as e varfër, as e pasur. Babai i tij, Tomasi që bënte punën e agjentit të shitjes së makinave qepëse, siguronte të ardhura modeste për familjen. Juxhini, nga që ishte fëmija më i vogël i familjes dhe ishte shëndetlig, përkëdhelej nga prindërit. Ndërsa, nga që ata adhuronin shumë poetin e poemës “Idealet e mbretit”, e pagëzuan me emrin e tij, me dëshirën që dhe Juxhini i vogël të ecte në gjurmët e tij.
Ai ishte një fëmijë tepër i heshtur dhe i ndjeshëm, me një temperament të dukshëm prej artisti. Ishte i turpshëm, por merrte flakë shpejt. (10) Që në fëmijëri, ai lexonte autorë të mëdhenj si Dinkesi, Thekeri, Skoti.
Ishte tepër kureshtar dhe e tërhiqte eksplorimi mbi gjithçka të bukur e misterioze. Ishte i zgjuar, me humor dhe entuziasmohej shpejt. I pëlqente të pikturonte, por i dëshpëruar, i linte ato në mes duke menduar se nuk kishte talent. Por shpesh shfaqte pasionin për të zbuluar dhe shijuar të bukurën.
I pëlqente bukuria e një zogu që fluturonte, bukuria e një trëndafili të sapoçelur dhe degët e pemëve që lëkundeshin nga era. I pëlqenin rrugët, malet, fushat, turmat e njerëzve dhe veçanërisht vajzat e bukura, për të cilat ai sa nuk çmendej. Kur ai ishte 12 vjeç, i jati mendonte se Juxhini nuk ishte as për tregti dhe as për mësime.
Në moshën 17-vjeçare u njoh me Stela Eliotin, e cila ngjante me zanat e bukura e të pakapshme, që herë shfaqeshin dhe herë zhdukeshin papritur. Stela i pëlqente për buzëqeshjen e saj të ëmbël dhe zjarrin që mbante në shpirt. Juxhini nisi të pikturojë por ato shpesh i dukeshin si punë çiliminjsh.
Për t’u bërë zot i vetvetes, filloi të bëjë punë të ndryshme, herë si radhitës e herë si reporter i një gazeteje provinciale. Por ëndrra e tij ishte të shkonte në Çikago, ku mendonte të gjente vetveten. E trembte fakti se i mungonin paratë. Ndërkohë, ai kërkonte të gjente, se ku i kishte prirjet dhe talentin e tij: në pikturë, gazetari, apo në letërsi. Nga ana tjetër ai shqetësohej se pse nuk po mundet ta bënte dot për vete Stelën.
Juxhinit i pëlqente natyra, ku gjallëronte bari, pemët dhe pyjet. Hëna i dukej si e varur mbi pemë, si një disk i ndritshëm në qiell.
Ndaj i mahnitur meditonte: “Ç’botë e mrekullueshme, për të cilën kanë shkruar poetë të mëdhenj si Longfello, Brajat, Tenison…”! Ndërsa për egërsinë e jetës, ai bën pyetjen retorike: “Ç’është kjo shaka, që ne e quajmë jetë”?! Kur Juxhini u nis për në Çikago,u trishtua shumë. Parasysh i shfaqeshin: shtëpia e vogël, nëna, babai, Stela, të cilat i dukeshin si pjesë të shkëputura nga trupi dhe shpirti i tij. Sapo zbriti në qytet, njerëzit iu dukën si milingonat që rendnin nëpër rrugë të çakërdisura. E befasonin buçimat e lokomotivave dhe trenave, e karrocave dhe qerreve të mbushura me birra, qymyr, tulla, çimento…
Ishte pamja e vrullshme e një qyteti gjigand që po zgjohej nga gjumi provincial. Aty, Juxhini gjente gjithçka të bukur dhe të trishtë, që i zgjonte talentin për ta pikturuar me të gjitha ngjyrat. Këtu, çdo gjë rridhte më vrullshëm, prandaj njeriu duhet të punonte me tërë forcën e tij. Po, që ta bëje këtë, duheshin dije, guxim dhe vetveprim. Çikagua nuk ishte parajsa e përtacëve. Juxhini, ishte i magjepsur me Çikagon, por ende nuk ishte në gjendje ta pikturonte me ngjyrat e duhura vrullin e saj.
E sodiste atë mrekulli të rrallë, por nga që nuk e shijonte dot, i dukej sikur e vriste ai “shkëlqim i rremë”. Kalonte orë të tëra duke soditur bukurinë e rrallë të këtij qyteti të madh, por, kur e kuptonte se njeriu nuk mud te jetonte vetëm duke soditur, ndjente drithërimat e ngricave të varfërisë.
Kishte vendosur që gjithçka ta përballonte me forcat e veta, por ende s’kish siguri, nëse do t’ja dilte apo jo. Vendosi që krahas shkollës së pikturës, të bëjë çdo lloj pune, deri në riparues sobash dhe karrocier, ku njohu dhe egërsinë e shfrytëzimit të egër të njeriut nga njeriu.
Juxhini, kish kohë që kish nisur të pikturonte, por ende nuk kënaqej me pikturat e tij. Prandaj meditonte: “Nga e gjejnë artistët e mëdhenj atë bukuri dhe elegancë që derdhin në veprat e tyre të mrekullueshme”?!(67). Për të, ishin bërë idhuj artistë të mëdhenj si, Vereshagini dhe piktori nudist Bugros, i cili në pikturat e tij zbulonte ëmbëlsinë e epshit dhe shkëlqimin e syve e të buzëve të ndezura të vajzave të bukura.
Kjo botë Juxhinit i ngjante me një tempull të shenjtë, portat e të cilit hapeshin vetëm për njerëzit me talent. Por, a kishte ai talent?! Më vonë, ai do t’i tregonte botës se ç’ishte në gjendje të bënte me talentin dhe punën e tij, edhe pse vinte nga provinca. Për të realizuar ëndrrat dhe pasionin e tij, ai ishte i vetëdijshëm, se duhej punë, vullnet dhe dije.
Prandaj, ja nisi shkollimit për pikturë, si dhe punës për eksplorimin e gjithçkaje. Për të, tashmë bota e Aleksandrisë nuk mund të quhej botë. Ishte koha, kur Juxhini ishte dashuruar me Anxhela Bljun, e cila e tërhiqte, jo vetëm nga bukuria, por dhe nga temperamenti i saj i veçantë. Ajo, për të ishte vajzë e ndershme dhe me zakone të forta morale.
Ndjenjat e Anxhelës ishin më të forta se të Juxhinit, por ato zgjoheshin në trajta të ndryshme. Yjet ,nata dhe peisazhi, Juxhinin e bënin melankolik, ndërsa Anxhelës nuk i bënin shumë përshtypje. Arti, si formë e veçantë estetike, Anxhelën nuk e prekte fare, ndërsa Juxhinit i jepte kulmin e kënaqësisë. Historia, logjika, filozofia dhe psikologjia, përAnxhelën ishin libra të mbyllura, ndërsa për Juxhinin ishin “shtigje plot lule”, përmes të cilave rendet shpresa dhe gëzimi i tij”.(88)
Për Juxhinin rregullat e ngurta të mirësjelljes, të pranuara në shoqëri, s’kishin asnjë rëndësi. Ai i donte të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjendja shoqërore, por më shumë respektonte njerëzit që bënin sakrifica të mëdha dhe që veprimtarinë e tyre e zhvillonin në përputhje me moralin dhe parimet e pranuara nga e gjithë shoqëria. Për të njeriu, para së gjithash duhet të jetë njeri. Çdo gjë në jetë duhet të jetë e bukur, zbavitëse. Por, ai pranonte edhe ashpërsinë dhe tragjedinë e saj.
Kur në shkollën e pikturës, pati pedagogë që i thanë se nuk kishte talent, ai nuk u thye kurrë. Duke pikturuar Rudin, vajzën që pozonte nudo para studentëve të pikturës, ai u dashurua me bukurinë e saj të rrallë trupore. Tek kjo vajzë atij i pëlqeu, jo vetëm bukuria, por dhe thjeshtësia e saj. Por vajza që i pëlqente më shumë, ishte Anxhela. Bukuria dhe sjellja e saj e rrallë e preknin si artist, ndaj shtyhej drejt saj me të gjitha forcat, edhe pse për çështje të veçanta të sjelljes morale kishin mendime të ndryshme. Ai bashkohesh me mendimin e Anxhelës se njeriu në jetë ka një dashuri të vetme, ndërsa martesa është mirë të jetë një lidhje e përhershme.
Në një bashkim të tillë njeriu edhe mund të ndahej, por prishja e saj mund të sillte tronditje e fatkeqësi të mëdha.
Me Anxhelën, Juxhini arriti përfundimin logjik se nuk mund të jetonte dot pa të, sepse ajo ishte e thjeshtë e dashur dhe e pa djallëzuar.(125) Asnjë grua tjetër nuk mund t’ja shuante zjarrin, që i digjte shpirtin platonik. Anxhela ishte bërë për të simboli i ëndrrave të tij të bukura rinore. Kjo e shtyu atë t’i vendoste në gishtin e dorës unazën e dashurisë së përjetshme. Ata ishin komplementarë të njëri-tjetrit.
Ishte koha kur Juxhini meditonte për absurditetin e dogmave fetare dhe llumin e perversitetit të njeriut për çështjet morale. Dëshironte të martohej me Anxhelën, por ende i mungonin vlerat monetare. Për të, Anxhela ishte e përsosur. Largimi i tij nga Çikagua, drejt Nju Jorkut ishte e sigurtë se do t’i sillte një karrierë të mirë profesionale. E dinte, se jeta në krahët e Anxhelës, do të ishte e bukur, por në këto kushte varfërie ishte e pamundur. Nju Jorku e befasoi me mrekullitë e tij, ndaj filloi të meditonte: “Ç’gjë e bukur të jesh piktor në këtë vend”! Por, për një çast pezmatohej, kur e kuptonte se ende nuk ishte në gjendje t’i pikturonte këto mrekulli të rralla.
Prandaj ofshan gjithë emocion: “Ah sikur të arrinte ta pasqyronte atë bukuri si Daresi në Francë dhe Vereshagini në Rusi”! Në Nju Jork Juxhini përjetoi kontrastin e dhimbshëm mes shkëlqimit të rremë dhe vetmisë së ftohtë, që ai përjetoi ditët e para në këtë vend të panjohur. Ngado që endej, i vetmuar dëgjonte sirenat e trishta të anijeve, llapashitjen e ujrave të kripura që rrihnin pa mëshirë brigjet, pulëbardhat që fluturonin lart, dhe tronditej kur mendonte se ç’drejtim do të merrte jeta e tij. Pyetja që e shqetësonte në këto çaste ishte: “Ç’është arti për këtë qytet të hazdisur”?! Dhe tronditej, kur kuptonte se për këtë qytet rëndësi më shumë kishin veshjet, vizitat, udhëtimet, marrëdhëniet tregtare dhe luksi i grave, sesa arti dhe krijuesit e tij. Ky kontrast alogjik e bënte të vuante nga një indigjesticion mendor.
Në Nju Jork e magjepsin sheshet e bukura si ai “Uashington” bulevarde si “Broduei’ dhe pamjet e jashtëzakonshme të oqeanit. Eksplorimi i natyrës dhe i shpirtit të njerëzve që kish takuar, i kishte dhënë frytet e para. Ndërsa fjalët e ngrohta për pikturat e tij të bukura, që kish nisur të botonte në revistën “Truth, po i jepnin forcë e besim në rrugën e nisur. Për të, në botë s’mund të kishte gjë më të bukur se Anxhela.(167) Atij i vinte keq, që jeta nuk mund të ishte gjithnjë e lumtur dhe e përjetshme.
Ndaj shpesh mendonte për t’i dhënë përgjigje pyetjeve: “Ç’është jeta dhe trupi i njeriut? Si lind pasioni? Çuditet me faktin se si njeriu lind me pasione dhe dëshira të zjarrta, por dalëngadalë shuhet, dhe jeta një ditë mbaron.(179) Juxhini mrekullohet, kur sheh se mes tij dhe Anxhelës ekziston një dashuri e pakufishme, por pezmatohet, kur mendon për finalizimin e saj.
Kur ndodhet në Bllekud, në shtëpinë e Anxhelës, pranë babait të saj të mire, i dukej sikur ishte ulur në këmbët e një profeti të urtë. Ndërsa kur largohet, i dukej sikur u linte lamtumirën fushave të bukura, brigjeve të kaltëra, vargjeve të gjata të pemëve me një shumllojshmëri lulesh, kuajve, lopeve dhe njerëzve të familjes, që i kujtonin “Elegjinë e Greit”. Në atë kohë, Juxhini, edhe pse e kishte shfaqur dukshëm talentin, nuk u vetëkënaq kurrë.
Vazhdonte të eksploronte gjithçka, bile dhe pasionet e ëndrrat e tij. Nisi njohjen me gra të jashtëzakonshme si 30-vjeçarja Merem Finçi, të cilës Juxhini iu duk si një llampë e ndezur që lëshonte një shkëlqim qetësues.(195) Ndërsa Juxhini, tek ajo pa gruan e jashtëzakonshme, që ëndërronte një burrë me tipare të forta dhe temperament artistik. Kurse Kristina Cing, që i ngjante Anxhelës nga bukuria fizike, ishte krijuar për dashuri. Juxhini mësonte shumë nga këto gra pasionante dhe të bukura. Kur takonte mis Cingun, i rrënqethej trupi.
Juxhini, kur shihte kontraste shoqërore, nuk jetonte, por thjesht egzistonte. Kish besuar se arti ishte, jo vetëm rruga drejt lavdisë, por edhe drejt mirëqenies.Por shpejt bindet, e nuk paskësh qenë kështu, kur shihte se piktorët nuk ishin bërë kurrë të pasur. Artistët e mëdhenj, vërtet ishin krijesa të larta, por ata nuk vlersoheshin nga shoqëria. Kjo e bëri atë të arrinte në përfundimin logjik se “arti s’të jep asgjë, përveç famës. Ai e ndihmon për lulëzimin shpirtëror, por kjo nuk e ndalon të jetë një gjeni i verbër, i sëmurë dhe i mjerë”.(210)
Në moshën 25 -vjeçare e shqetëson pyetja se, si do të bënte, nëse nuk do t’i siguronte vlerat e domosdoshme monetare për të ecur në rrugën e tij krijuese gjeniale?! Ai kërkon ta ndajë lavdinë nga paraja. Nga Kristina mësoi shumë gjëra për muzikën dhe botën e operës. Ai kish arritur në përfundimin, se përtej jetës nuk egzistonte asgjë, përveç forcave të verbra që lëviznin pa qëllim.
Mbasi lexoi Spinozën, Spenserin, Shopenhaurin, ai nisi të eksploronte natyrën për të zbuluar shkaqet e dekompozimit të qenieve të gjalla. Entuziazmohej për krijesat e shumëllojshme, por dëshpërohej për mospërfilljen dhe ruajtjen e tyre. Ndaj, më në fund arrin në mendimin se edhe ai vetë, s’ishte gjë tjetër veçse një guackë, një fletë e rrëmbyer nga era, që s’kishte asnjë kuptim…Vazhdonte të studionte Darvinin, Hegelin, Lebokun për të zbuluar misteret e jetës.
Mendimi se e bukura lulëzon për pak kohë dhe pastaj zhduket bashkë me njeriun, e trishtonte shumë. Njohuri të thella për natyrën dhe shoqërinë, ai mori sidomos në eksplorimet 17-ditore nëpër male me Kristinën. Juxhini kish parë, se kjo grua ishte shumë bujare në dashuri. Debatonte me Kristinën për origjinën e jetës, qëllimet e saj, moshën e tokës, për lindjet dhë vdekjet e shumta etj.
Juxhini, edhe pse Anxhela ishte pesë vjet më e madhe e dashuronte atë marrëzisht. E megjithatë shpesh luhatej, ndoshta nga largësia e mungesa.
Kjo është më se e vërtetë: “Mungesa është dhoma e errët, ku dashnorët zhvillojnë negativët”. E megjithatë, vetëm Anxhela mund t’ja shuante zjarrin e dashurisë Juxhinit. Ajo më mirë të vdiste, se sa ta humbiste Juxhinin. Nëse Juxhini nuk do ta pranonte, asaj i mbetej vetëm liqeni.”Do ta linte këtë botë,ku dashuria kryqëzohej me dëshpërim”.(241) Por s’kaloi kohë, kur Juxhini të niset përsëri në Bllekad tek Anxhela. Krahas bukurisë së saj të rrallë, atë e nxiste edhe magjia e epshit.
Pasioni i marrë i Anxhelës:”Ose në altarin e martesës, ose në thellësitë e liqenit”, e kishin bindur Juxhinin për t’i kërkuar martesë. Juxhini, në rrugën e pasionit për t’u bërë artist i madh, nuk mund të mos eksploronte edhe për shumë çështje të tjera, siç janë raportet mes dashurisë, seksit dhe moralit. Ai bën përpjekje t’u jap përgjigje shumë pyetjeve të tilla si: A nuk varet bota nga mënyra se si jeton familja, që përbën gurin themelor në godinën e shoqërisë?
A mund të jetë i mirë një njëri, në se nuk është e mirë familja nga e cila rrjedh? Prindërit e Anxheles ishin të mrekullueshëm, por ishte ai, që tashmë e kishte njollosur nderin e saj. Po,a ishte ai fajtor për këtë?! Mos vallë jeta ishte bërë për t’u shijuar e jo për tu zhytur në brenga e halle?! Në fund të fundit, nuk ish ai dhe Anxhela, që i kishin krijuar epshet dhe pasionet. Për t’u çliruar nga paragjykimet dhe dogmat morale të kohës,ai hap grilat dhe dhoma mbushet me dritë e frymëmarrje. Prandaj, përfundon me apostrofin metaforik..”O Perëndi! Sa e bukur është jeta!(256) Por pas kësaj vinë “prangat”e përgjegjsisë familjare. Juxhini e dinte mirë, se sa e lidhur ishte Anxhela me rregullat morale familjare.
Pas kësaj vjen betimi solemn i martesës: “Juxhin Uitilla, a zotohesh ta marësh këtë grua për bashkëshorten tënde, të jetosh me të sipas vullnetit të Perëndisë në bashkimin e shenjtë të martesës? A zotohesh ta mbash, ta nderosh, si të shëndoshë, ashtu dhe të sëmurë dhe t’i qëndrosh gjithmonë besnik gjer në vdekje, duke i lënë mënjanë të gjitha të tjerat?-Zotohem!
Ky është preludi i kurorëzimit të një pasioni të bukur, siç është dashuria e vërtetë, që çimenton themelet e familjes dhe të shoqërisë së re moderne, në luftë me paçavrat dhe barrierat e një mentaliteti të vjetër.
ObserverKult
Lexo edhe:
D.DABISHEVCI: “NJI LETËRSI TJETËR”, LIBËR PROVOKUES QË SYNON TË HAPË DEBAT PËR DISIDENCËN