Teodor Keko: Balada e djalit të vogël që shëtit me hënën

teodor keko natën

Nga Teodor Keko

Babai pinte ditën dhe natën bënte sherr
me nënën,
vogëlushi lemerisej, dënesë kishte këngën,
kruspullosur në kuvertë dridhej nëpër lot
derisa vinte gjumi i madh e shpëtimplot.
Një ditë babai s’piu. Qetësi e madhe ra,
vogëlushi deri vonë iu përkëdhel në krah,
i lumtur s’desh të flinte, “O ba nuk kam
gjumë fare!”,
po ba-ja e çoi hopa në shtratin nën dritare.
Vogëlushi qeshte vetëm në errësirë me zë,
kjo mbrëmie ish dhe lodër dhe përrallë për atë
dhe ndërsa lumturia në gjumë po e ndillte
krejt i habitur ndjeu në xham një trokitje.
U ngrit i çuditur mbi doçkat e holla,
pa hënën pranë të ndritur edhe i iku goja,
iu duk hëna si ftua, iu duk si gji plot qumësht
dhe doçkat sakaq zgjati drejt saj fare
hutueshëm.
“A vjen me mua, hëna i tha lehtas në vesh,
të shkojmë bashkë në pyll, të Bukurën të gjesh?”
Dhe djali shkoi pas saj zbathur me kanotiere,
Ra në një pyll të bukur mbushur me ketra
degëve.
Atje… Çudi e madhe! E BUKURA E DHEUT
ish nëna e tij. Ai syçkat i shqeu.
Iu hodh nënës në qafë, me shpirt hënës i tha:
“E sheh? Është mami ime! Ej, më të bukur s’ka!”
Po dheu zu të tundej dhe mami u tmerrua,
Nga ferrat doli xhindi, kuçedër ish, dragua,
ku shkelte shtypte lulet, drurët digjte zjarr,
vogëlushi njohu babin, e zu një tmerr i madh.
Ai pinte raki, kish vrarë zogj dhe drerë,
me shishen në kokë i ra mamit ca herë.
I vogli u tmerrua, pas hënës u ngjesh,
I lutej e i lutej: “Hajde të ikim shpejt!”
Në vesh hëna e pyeti: “Babi yt është ky?”
Vogëlushi tundi kokën: “Jo!” Veç s’e pa në sy.
Një gur në tokë rrëmbeu dhe bamb shishes i ra,
u derdh në fushë rakia dhe xhindi u bë plak.
Pastaj dhe më i ri, pastaj i mirë u bë…
Dhe djali humbi rrugën dhe s’mbajti mend
asgjë.
U zgjua vogëlushi, në dhomë syçkat derdhi,
Ai kërkonte hënën, në xham tani ish dielli.
“Ç’po bën i tha i ati, vishu të shkojmë në kopësht!”
Ku humbi hëna, tha vogëlushi nëpër lot.
Unë mbrëmë dola shëtitje me hënën e verdhë…
Dhe gjithë ç’kish parë të atit ia tha menjëherë.
Pastaj pa befas nënën që qante e që dridhej
dhe thirri: “Ma, mos qaj! Babit ia theva shishen!…”

ObserverKult


Lexo edhe:

TEODOR KEKO: UNË HIJEN TIME NUK E NJOH…