Teodor Keko: Pastaj ti ike dhe atje mbeti një varr, varr dashurie

teodor keko natën

Poezi nga Teodor Keko

Nuk kishte drita dhe ishte natë
dhe dhoma ishte gjithaq e ftohtë.
Veç sytë e tu mbushur me flakë
dhe trupi yt tmerrësisht i ngrohtë.

Një dashuri të verbërish qe
asgjë nuk pashë, as gjinj, as hije.
Pastaj ti ike dhe atje
mbeti një varr, varr dashurie.

Tani që erdhën dritat prapë
ti s’më përfill, ti nuk më njeh.
Dhe unë si mashkull gjysmë i marrë
në ëndrra veç të vesh e zhvesh.

Sot gjinj e hije shoh, por s’prek,
as ngrohtësia s’më vjen në gjoks.
Pa drita keq, me drita keq,
diçka na ishte, që kurrë nuk ndodh.

*Titulli i origjinalit: “Fatkeqësia”

ObserverKult


Lexo edhe:

TEODOR KEKO: Ç’KËRKON TANI PREJ MEJE…

Teodor Keko është poet, tregimtar dhe gazetar i njohur.

Shquhet për antikonformizmin e tij, mjeshtrinë dhe thjeshtësinë në rrëfim.

Ndër librat e tij më të njohur është “Hollësira fatale”, i botuar në vitin 2000 dhe një fragment nga ky libër mund ta lexoni në vazhdim:

Erioni i kundroi të gjitha këto, por ndjehej se pak përshtypje i bënin. Sic i rrinte mendja Jezusit të gozhduar te gozhdët, edhe atij i ishte fiksuar mendja te mënyra se si mund të bëhej realitet ajo ëndrra- seksi e magjike.
-Gjoksin e kishe pa rrudha, -ia nisi si me vete ai,-numër tre , me një thithë të plotë…
Vana qeshi lehtë. Tjetri i kishte rënë pikës. Ajo ishte e asaj mase!
-Mos ke pirë?-nuhati ajo, duke u zgjatur drejt tij. Pastaj u tërhoq e shtoi qetësisht: Le që tani ty nuk të bën më dëm alkoli, i bën, ti, dëm atij!…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU