Teodor Keko: Pse nuk erdhe?

teodor keko
Teodor Keko (1958–2002)

-Pse nuk erdhe? – e pyeta, ndërkohë që zhyti lugën prej plastmasi të kuq në kupën e bardhë të akullores.

Ne u ulëm në lokalin ajror me tarracë të gjerë të Pallatit të Madh të Kulturës, prej ku kundroje një copë Tiranë të murrme, të hirtë e jeshile e mal pa ngjyrë tamam, dhe unë mendova të merrja një konjak “Skënderbeu”, por ktheva mendje në minutën e fundit, pak i penduar nga ajo dreq vape, pak se nuk desha të eksitohesha edhe më, e më shumë se mos konjaku ishte i përzier me ujë.

Mërzia kapërdihet, kur nuk shoqërohet nga dhembja e kokës. Bashkë me të, zoti të ruajtë!

Porosita edhe unë akullore, por ishte aq e ngrirë, sa m’u desh ta përsëritja mot a mo, si plagjat, gjestin e Anisës, që e shkrinte paksa atë masë jo ftohëse, por mpirëse, duke e copëtuar pareshtur me majën e lugës, a thua po ndiqte taktikën e njohur të Skënderbeut me ata shkopinjtë që thyheshin lehtas fare veç e veç.

Kushedi edhe unë mund të filozofoja për madhështinë e taktikave skënderbejane, që i hynin në punë edhe mbrojtësve të atdheut, edhe shkrirësve të akullores, po rreth atij çasti m’u ngulit në kokë edhe një krahasim tjetër i copëtimeve të Anisës, se si dreqin arrita e mendova turbull “si fytyra e atij djalit që më njohu përfundimisht me Anin”, dhe u drodha e i harrova të gjitha prej konstatimit se unë isha një qenie, që mund të majmesha shpirtërisht e fizikisht vetëm nga vdekja.

-Kam pasur mamin sëmurë, -ma ktheu ajo, duke gënjyer natyrisht fare pa cipë, se merrej vesh, sikur e ëma të zinte shtratin me një mjeke si Anisa te koka, tani duhet të qe bërë gjellë për krimbat në atë botë e as që bëhej fjalë për shërim shkencor të saj, madje, edhe sikur të ekzistonte zoti atje lart e të betohej ta ndihmonte, sepse Ani i vockël do t’ia jepte barnat ose gabim, ose të paktën dhjetëfish më të mëdha se sasitë e rekomanduara, me dëshirën e mirë, të kuptohemi, që të përshpejtoheshin ritmet e shërimit të mamit.

Ishte një gënjeshtër tepër banale dhe unë u hoqa sikur e hëngra dhe u hodha e ndërrova temë, kur e pyeta:

-Ç’thotë Franca?

Ajo u gjallërua befas dhe për herë të parë u ndie mirë në tryezën me ca gërvishtje shpirtkëputëse zemrash të shpuara me shigjeta e vizatimesh pornografike naiviste, tryezë që e pranoi kur ia afrova, vetëm për të mos më fyer barbarisht.

-Do të iki! –klithi duke u shkrythur me një hapje krahësh. –Viktorit këtë javë i vdiqën dy pacientë dhe spitali nuk ia pranoi për të gjallë. Qejf, ëë?…

-E di, -ia ktheva ftohtë, -njërin nuk ia pranova unë, atë gruan e shëndoshë…
Ishte krejt e vërtetë, nuk po mashtroja dhe ai mjek pati rënë në zi vërtet nga një goditje e beftë tromboze që, në fund të fundit, s’kishte ç’ti bënte, edhe sikur të ndodhej mbi kokën e së vdekurës, vetëm me duar e pa goditës elektrik.

Tromboza ime dhe një infarkt i stërpërsëritur dy ditë më pas ia kishin rënduar dosjen me vërejtje Viktorit, ia kishin kthyer në arkivol dosjen Viktorit të mjerë, që arriti të qante në kokërr të lotit herën e parë në pavijon, duke m’u lutur t’ia shtroja për të gjallë të vdekurën safi aty.

Por unë nuk u dorëzova. Shumë prej Anisës dhe pak, sepse nuk isha pederast.


-Ti ishe në turn vërtet atë ditë?-pyeti Anisa mosbesuese, pastaj duket i llogariti ditët me mendje, “ai djali u mbyt më tre gusht, që ishte e martë, sot jemi…” dhe i rezultoi se unë nuk po mburresha kot më kot, sepse përplasi duart hokatare:
-O zot, sa të ka mallkuar! Madje, edhe mua më paska sharë qelbaci, sepse tha për ty: i bëfsha atë punë edhe dashnores së tij!

Qesha hidhur, “ish –dashnores” thashë, i bëra sakaq një shenjë kamerierit të më sillte një dopio konjak, pastaj shtova se ai Viktori s’kishte pse ta trembte Anin e vockël, pasi ajo nuk kishte më gjë me mua dhe ai nuk do të arrinte kurrë ta provonte engjëllin e magjishëm në shtrat, edhe sikur të bëheshin realitet sharjet e lëshuara në adresë time.
-Dhe unë prandaj nuk erdha!-ma preu ajo e inatosur.

Duket e pa që mua s’më bëri përshtypje fyerja e saj dhe ndërroi ngjyrë:
-Maks, e lëmë këtë bisedë?-m’u lut.-Ne për respekt u takuam edhe ato pesë-gjashtë herë…

-Gjashtë! –saktësova unë, duke ngritur gjashtë gishta para syve të saj.
-Boll tani. Shoqëri e dendur…-po e la shprehjen në mes. Nuk shqiptonte fjalë banale.
-Ti e di vazhdimin?-pyeti e bindur që unë e dija.
-Po!
-E, pra, -foli ajo ngritje shfajësuese e supeve.
Diku nën vatat e ngritura nën fustan ishin shenjat e dhëmbëve të mi, ca vezake të verdhëlleme tashmë, që po galoponin drejt fikjes.

-Me një fjalë, nuk do të vish më?

-Jo!-ma ktheu pa asnjë ngurrim.

Unë shtyva kupën e akullores anash dhe mora gotën e konjakut.
-Konjaku pihet mirë me akullore!-foli përkujdesëse ajo.
-Mos ki frikë, nuk më zë!-e sigurova.


Pastaj u ndera drejt saj mbi tryezë. E kisha fare pranë dhe ia ndjeva aromën e parfumit që kishte hedhur diku rrëzë qafës e nën sqetulla.

-Harroje këtë që do të të them tani, -i pëshpërita, -më duket se kam rënë në dashuri me ty!

-A ekziston dashuria sot?-më pyeti në një mënyrë që merrej vesh qartë se donte të thoshte pikërisht të kundërtën.

Unë e ndjeva deri në zemër se e dashurova tërësisht dhe u përpoqa ta kapja për dore, po fshiva syprinën blu të tryezës, sepse ajo e tërhoqi pëllëmbën e saj hollake dhe më tha shkoqur e lodhshëm, se nuk kishte asnjë kuptim ta eksitoja veten e ta ushqeja me iluzione.

Kishte kauzë të shtrenjtë ajo e zot na ruaj nga njerëzit me synime të mëdha e luftarake, se ata e fshijnë nga lista dashurinë.

Janë si ata strategët e luftërave me nam, që hartojnë taktika ushtarake tek tryezat e mëdha të shtatmadhorive, dhe në fund psherëtijnë ëndërrimtarë:
-Sikur të vriten nja dhjetëmijë ushtarë nesër!

Dhe prapë vajta e u tregova idiot, kur iu luta me fytyrë të shndritshme nga djersitja e sakaqshme:

-Të lutem!
-Nuk bëhet ajo punë! ma ktheu.

Mendova se e la me aq e do të ngrihej e të më linte si trung në tryezë, mirëpo ajo shtoi befas gati me ngut, se, aktualisht, nuk kishte as moshën e as kohën për të rënë në dashuri!

-Kam të tjera synime, -ma ktheu shkoqur, -dua të ndihem njeri tamam, tamam femër me personalitet, edhe profesionalisht, edhe materialisht!

U acarua befas, si një njeri i inatosur me vetveten, pse tha diçka për të cilën kishte vendosur të memecëronte, dhe i thërmoi edhe më shkoqur fjalët në atë gojën e saj të bukur me një gjuhë tmerrësisht të gjatë e të lëvizshme:


-Unë dua të bëhem mjeke e aftë, që të mos i lëpihem e trembem shefit tim e t’i zgërdhihem gjithë ditën si kineze; dua të vishem bukur e të mos bëhem lypsare për një palë reçipeta e geta, nuk dua t’i jem asnjeriu mirënjohëse e t’ia di për nder e as të jem borxhlie, dua të jem e pavarur!…

Por i pavarur është i afti dhe i pasuri, -shtoi e lodhur tashmë, a thua kjo aftësi e pasuri ishte tepër larg, atje ku mund të arrije dot. –Ja, kaq!-rifitoi inatin zëri i saj. –Mos më prit më!

Unë do të shkoj për studime pasuniversitare jashtë shtetit! Shefi im për veten e vet e kreu shkollën e lartë jashtë, u bë dikushi dhe, që të mbetet shef i përjetshëm, tha: shkolla jonë është e mrekullueshme, ato andej janë me ndikime, të bëjnë spiun!…

Dhe e mbylli rubinetin!…Po unë do të bëj gjithçka, vetëm të iki andej dhe të mos pyes më për idhujt, si puna jote!

Ç’logjikë barbare e të pakundërshtueshme ruante brenda vetes kjo lubi, por unë e dashuroja atë çdo çast edhe më marrëzisht dhe arrita t’i thosha me mllef për veten time e sarkazëm për verbërimin tim vullnetar para këtij realiteti:

-Sikur të ishte pak më patriote!

-Patriotë janë njerëzit e aftë!-ma ktheu pa e pasur mendjen tek unë, pastaj duket u përmend që e kisha fyer, se shtoi në çast sarkastike:

-Edhe ti, mos më fol mua për patriotizëm! Unë, të paktën, nuk lutem që të vdesë populli, që të kryej atë punë një mbasdite, ose të ndihem përkohësisht i lumtur!

*Shkëputur nga libri i Teodor Kekos: “Lajmëtarja e vdekjeve”

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

“E TË TJERA, E TË TJERA”, BOTOHET E PLOTË POEMA SATIRIKE QË TEODOR KEKO SHKROI NË ’97-ËN, FLET BASHKËSHORTJA E TIJ

Botohet e plotë dhe me pjesën e dytë, poema satirike e Teodor Kekos. Kjo poemë është shkruar në 1997-ën, “E të tjera, e të tjera”.

Shkrimtar e politikan, 20 vjet pas ndarjes nga jeta, bashkëshortja e tij Xhuli thotë se kërkon të sjellë për publikun, një kolanë me vepra të zgjedhura.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult