Teodor Keko: Ti, mund të më duash- por nga unë mos prit asgjë…

teodor keko
Teodor Keko (1958–2002)

Nga Teodor Keko

Ti, mund të më duash sa të duash, por nga unë mos prit asgjë!…
Kështu m’u përgjigj ajo femër e bukur dhjetë vjet më parë, ajo femër me kaçurrela të zeza e sy jeshilë të thellë. E ndërkallur në një xhup të madh atë acar janari, teksa prisnim në radhën e gjatë, si zakonisht, të blinim dy shishe me qumësht për fëmijët tanë të vegjël.

Pata bërë çmos t’ia fitoja zemrën dhe kohën e kisha pasur me bollëk, sepse çdo dy ditë, nga ora tre e mëngjesit deri në orën shtatë ne këtë punë kishim: hy në radhë e prit me shpresë të marrësh ndonjë shishe qumësht, mirëpo Xhina nuk ishte tunduar. Unë sillesha mirë me të.

Sa herë nuk arrinte të blinte qumësht, vezë, apo gjalpë dhe mbulohej nga trishtimi e zhgënjimi bashkë. Unë do t’i jepja diçka nga racioni i vajzës sime dhe ajo gjithmonë do të më falënderonte butësisht.

Por vetëm kaq! Me të zgjatur unë kthetrat e fjalëve propozuese për t’u takuar qoftë edhe një herë të vetme, ajo mblidhej si iriqi, duke më kujtuar atë frazën, se, kur flet, shumë-shumë, shtrembërohet buza, kurse kur e jep shtrembërohet bytha!…

Propozimeve të mija ajo nuk u kthente kurrë përgjigje. Më refuzonte butësisht, derisa unë, si duket, u bëra vërtet një rrodhe bezdisëse për të e ajo arriti e më tha fjalinë e mësipërme.

Sidoqoftë, ky ishte për mua një lloj ngushëllimi. Ishte ngushëllues fakti, që ajo nuk më shau ” idiot”, ndodhta sepse vlerësoi propozimin tim, i cili, pavarësisht nga parapëlqimet e saj, vetëm kënaqësi përmbante, apo ndoshta sepse vlerësoi sakrificat e mia të panumurta, kur ngrihesha në pikë të sabahut e zija dy rradha, një për vete e një për Xhinën, vetëm që ajo të mos mërzitej, të flinte gjysmë ore më shumë e të mbushte trastat plot me ushqime në kohë krize.

Po në ëndërr a mund të bëj dashuri me ty?, e pyeta më shumë për ta ngacmuar atë kryevepër të natyrës njerëzore.
Sa dhe si të duash!, ma ktheu shpërfillëshm dhe kështu u ndamë.

Nga ai prag agimi, me qiellin e përflakur nga pas malit, si një trëndafil, unë fillova të shoh Xhinën në ëndërr. Fillimisht, ajo i nënshtrohej në shtrat pa më të voglin kundërshtim lojërave të mia erotike të pafundme, të cilat ishin imagjinuar me dhjetra herë më parë, kur shpresoja një PO prej saj.

Por gradualisht, pas konsumimit të jetës së rregullt seksuale, ne filluam të ndërtonim një jetë të rregullt familjare, me të gjitha hallet tona respektive. Tani ëndrrave të hardallosura pija jo rrallë kafe me Xhinën, duke diskutuar hallet tona: mbarimin e lekëve, mungesën e mishit e të peshkut, të vezëve dhe cokollatës, të qumështit e të patateve, të gjitha këto aq të domosdoshme për rritjen e fëmjëve tanë dhe, sa herë ndodhnin këto biseda natën, unë do të gjeja rastin t’i dilja përpara ditës, t’i tregoja ç’kisha parë në ëndërr dhe t’i ofroja ndihmën time.

Ajo më dëgjonte me respekt, buzëqeshte vazhdimisht lehtë nën buzë, pastaj vazhdonte rrugën. Dhe kurrë nuk më shau e as më shtyu me përbuzje! Vetëm më shihte ngultas, duke pritur me durim derisa të mbaroja përçartjet e mija. Sjellja e saj e rriste edhe më shumë vlerën e Xhinës brenda meje, pasi unë kurrë nuk i kisha kapërdirë femrat torollake, që ofendoheshin kur ju ofroje kënaqësinë e shtratit. Kjo kategori xhadash, që i binin së mirës me shkelma e grushta bashkë, mua më kujtonin thënien e gjyshit tim: Unë me bukë, ajo me gurë!…


Xhina ishte kontinent tjetër. Ajo nuk i mohoi kurrë vlerat dashamirëse të propozimit tim, por justifikohej thjesht, duke u shprehur se shtrati nuk i jepte kënaqësi. Mbase mungesë hormonesh seksuale, përfundonte gjthmonë duke u skuqur e nënqeshur pafajësisht…..

*Shkëputur nga libri me tregime: “Hollësira fatale”


ObserverKult

Lexo edhe:

LLORA, POEZI NGA ISMAIL KADARE