Trashëgimia kulturore në Durrës pas goditjes që pësoi gjatë tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të 2019, mbetet ende në rrezik.
Në dy nga objektet më të goditura, siç është Kulla C, pjesë e murit antik të kalasë dhe shtëpia muze ‘Aleksandër Mosiu’, ende nuk po punohet mjaftueshëm për t’i rikthyer vizitorët.
Përveç se përforcimit paraprak në kullën C të kalasë antike e cila daton e shekullit V-VI e ndërtuar nga Perandori Anastas I, nuk është marrë asnjë masë tjetër.
Tashmë ekspertët kanë hartuar projektin si dhe kanë nisur mbledhjen e materialeve të nevojshme.
Vonesat në punime sipas ekspertëve lidhen me veçorinë që kërkohet gjatë rikuperimit të objekteve të kulturës, duke marrë një kohë më të gjatë.
Ndaj për ringritjen në këmbë dhe rikthimin në identitet të Kullës C antike kërkohen 11 muaj punime.
Ndryshe nga këtu, në shtëpinë 150-vjeçare muze ‘Aleksandër Mosiu’ puna ende nuk ka nisur.
Brenda kësaj shtëpie ku ruhet etnografia e qytetit jo vetëm qëndron e mbyllur, por është jo funksionale për vizitorët.
Në këtë shtëpi, pjesë e trashëgimisë kulturore ka përfunduar vetëm ekspertiza e përcaktimit të shkallës së dëmtimit.
Koha në të cilën do të ndërhyhet për restaurimin e saj ende nuk dihet, por ekspertët thonë se janë marrë të gjitha masat që objekti të mos ketë dëmtime të mëtejshme./tvklan