Trashëgimia botërore: Ritualet e pranverës të arbëreshëve dorëzohen zyrtarisht në UNESCO

Ritualet e pranverës, njohur si “Moti i madh” i Arbëreshëve është dorëzuar zyrtarisht në UNESCO.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Kulturës Elva Margariti e cila shprehet se viti i ri nis edhe me këtë lajm të mirë. “Le ta nisim këtë vit të ri me një lajm të mirë, që vjen nga bota arbëreshe, nga “gjaku ynë i shprishur”, ajo degë besnike, që prej 500 vjetësh ruan traditat dhe gjuhën, që morën me vete, kur lanë tokën mëmë”, u shpreh ajo.

“Ritualet e pranverës, njohur si “Moti i madh”, kjo pasuri e jashtëzakonshme traditash kulturore, rite festash, lindjesh, dasmash e vdekjesh, këngësh, vallesh, kostumesh popullore e zejesh është dorëzuar zyrtarisht në UNESCO, si kandidate për listën e praktikave më të mira të trashëgimisë botërore”, njoftoi Margariti.

Po ashtu, Margariti uron fondacionit “Prof. Papas Francesco Solano”, profesorët e nderuar Francesco Altimari e Matteo Mandala për përkushtimin dhe mbledhjen e kësaj pasurie./ATSH