Tërmeti në Shqipëri me pasoja edhe në monumente të kulturës

Ekspertët e monumenteve po shohin në Durrës dëmtimet në murin rrethues ndërtuar nga perandori bizantin “Anastasi I”, me origjinë nga Durrësi. Nga 500 metra, pjesë e këtij muri, që kanë mbijetuar deri në ditët tona, nga tërmeti i fundit është dëmtuar “kulla C”, thotë profesor Gjerak Karaiskaj, një njohës shumë i mirë i kalave dhe fortifikimeve në Shqipëri.

“Fortifikimet e periudhës së Anastasit janë shumë të rëndësishme në Shqipëri. Është një kala e bërë me porosi direkt nga perandori, e një cilësie shumë të lartë dhe ato të mesjetës janë shumë më mbrapa se sa këto për nga cilësia e ndërtimit”.

Studiuesi mendon se pjesa e murit që ështe shembur i përket periudhës së pas tërmetit të vitit 1273, që ka shkatërruar gati plotësisht qytetin. Ky mur, që tashmë është shembur, nuk e ka gjerësinë e murit të ndërtuar nga perandori bizantin, thotë Karaiskaj.

“Kulla C, quhet kjo që është rrëzuar, sepse tre kulla kanë ngelur nga ajo periudhë. Kjo është ristrukturuar dhe një herë më përpara, gjatë mesjetës. Muri që ka rënë, është jo i gjithi i periudhës mesjetare, por ka marrë pjesë edhe nga periudha e Anastasit. Rënia është shkaktuar nga ristrukturimi i asaj periudhe. I gjithë muri që sheh nga ana e detit ka qenë i rrëzuar dhe është ndërtuar një mur mesjetar, jo me atë gjerësi që ka pasur muri antik dhe me themele të reja, dmth nuk është mbështetur mbi themelet e vjetra”.

Drejtori i Kulturës Kombëtare në Durrës Alban Ramohitaj thotë se po katalogohen të gjitha dëmet dhe po përgatiten projektet ndërhyrëse.

“Është ngritur grupi i punës për të verifkuar të gjitha dëmet e mundshme që kemi dhe për të bërë katalogimin e këtyre dëmtimeve. Për hir të së vërtetës ka pasur dëmtime të tjera pasi ky tërmet qe mjaft i fortë. Kemi pasur dëmtime në murin e Porto Romanos por për fat nuk është rrëzuar, ka dëmtime dhe një çarje perimetrale, e cila ishte vënë re dhe në tërmetin e 21 shtatorit. Ka patur dëme edhe në disa godina historike, kemi pasur dëme dhe në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, por jo në objekte, por në strukturën e godinës.”

Ndërsa profesor Karaiskaj shpjegon se si mund të ringrihet kulla e dëmtuar.

“Pjesët që kanë rënë do vendosen ku kanë qenë. Por kjo do kohën e vet. Do bëhet studimi i plotë nga ana arkitektonike, historike dhe e konsolidimit, por kjo do kohë”.

Dëmet nga tërmeti kanë prekur edhe godinën e Muzeut Arkeologjik në Durrës, por jo objektet e tij të ekspozuara në mjediset e brendshme. Përgjegjës i muzeut Bledar Bica thotë se situata e godinës do të certifikohet nga ekspertët.

“Për momentin ne jemi në gatishmëri këtu në punë, por muzeu qëndron i mbyllur pasi presim certifikimin nga ana e specialistëve mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Në përgjithësi për sa i përket objekteve ka spostime të disa objekteve të vogla, me çfarë kemi parë”.

Krahas Durrësit dëme nga tërmeti janë vërejtur edhe në kalanë e Prezës dhe kalanë e Krujës. Profesor Karaiskaj thotë se këto dëme janë të rikuperueshme ndërkohë që nevojitet mbështetja me investime për t’i mbrojtur monumentet nga rreziqet natyrore.

“Ka rënë një pjesë e kullës së Prezës por nuk është shumë e rëndësishme sepse nuk ka plasaritje poshtë kullës, është vetëm pjesa e sipërme që ka çarje dhe kjo pjesë është e re. Në Krujë ka një çarje të shkëmbit, nuk ka rënë. Në Krujë janë bërë dy ndërhyrje më parë dhe Kruja gjithmonë i ka pasur këto probleme që duan ndërhyrje për t`i mbrojtur nga tërmetet e ardhshme”.

Tërmetet historikë kanë lënë gjurmët me shkatërrimet në Shqipëri dhe monumentet e trashëgimisë kulturore mbeten dëshmi e përpjekjeve njerëzore për të lënë pas dëmet e natyrës.

VoA