
Nga Amrita Pritam
Me vetëdije të plotë dhe me shëndet të mirë, po shkruaj sot testamentin tim:
Pas vdekjes sime
rrëmoni në dhomë.
Kërkoni çdo send
që është i shpërndarë,
i pambyllur me kyç
kudo në shtëpinë time.
Ëndrrat e mia ua dhuroni
të gjitha atyre grave,
të cilat të ngujuara mes
kuzhinës dhe dhomës së gjumit
kanë humbur botën e tyre.
Kanë harruar prej vitesh
ç’është të ëndërrosh.
Shpërndajeni të qeshurën time
mes banorëve të shtëpive të të moshuarve,
fëmijët e të cilëve
kanë humbur
në qytetet vezulluese të Amerikës.
Ka disa ngjyra
që ndodhen në tryezën time.
Me to ngjyhet sari i vajzës
cepat i së cilës janë vulosur
me gjakun e burrit të saj.
Ai që u mbështoll me tringjyrëshen
u varros mbrëmë.
Jepuani lotët e mi
të gjithë poetëve.
Nga çdo pikë loti
do të lindë një poemë,
Ju siguroj.
Nderi dhe emri im i mirë
janë për gruan,
e cila shet trupin e saj
që e bija të shkollohet.
Sigurohuni që të kapni rininë
e vendit, çdokënd.
Dhe u përcillni
zemëratën time.
Ata do të kenë nevojë për të,
Vjen revolucioni.
Dalldia ime
i përket
atij Sufi
që,
duke braktisur gjithçka,
është nisur në kërkim të Perëndisë.
Më në fund,
Ç’ka mbetur?
Zilinë,
lakminë,
zemërimin,
gënjeshtrat,
egoizmin tim,
Këto
thjesht
Kremojini me mua…
Në shqip: Irena Dono
ObserverKult
Lexo edhe:





