Testi i Arritshmërisë do të mbahet më 28 maj

Testi i Arritshmërisë për klasat e 9-ta do të mbahet më 28 maj, kështu ka njoftuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës.

Sipas njoftimit të MASHTI-t, për shkak se është kohë pandemie, forma e organizimit të sistemimit të nxënësve në klasë duhet të realizohet një nxënës në një bankë, kurse në çdo klasë do të lejohen vetëm nga 15 nxënës.

“Ministria e Arsimit është e vendosur dhe e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, ndërsa ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi. Organizimi i testit do të realizohet sipas kërkesave dhe standardeve më të larta, duke garantuar testim cilësor dhe të besueshëm”, thuhet në njoftim.

Të gjithë nxënësit që i nënshtrohen këtij testi rezultatet pritet t’i marrin më 7 qershor.

“MASHTI fton të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces që të respektohen në përpikëri rregullat dhe masat kundër COVID-19. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kërkon që çfarëdo parregullsie eventuale në Qendrën e Testimit të raportohet me shkrim në DKA dhe në MASHTI”, thuhet tutje në njoftim.