Teuta Kurti: “Ethet e së Premtes” më dhanë titullin artist!

Këngëtarja e njohur, Teuta Kurti rrugëtimin në muzikë e nisi nga talentshow “Ethet e së premtes mbrëma” në vitin 2004, ndërsa nga atëherë ka bërë një rrugë të gjatë, të mbushur me suksese e këngë të bukura e të dashura për publikun.

Intervistoi: Lindita Canolli-Fejzullahi/ObserverKult

Si ka lindur tek ju pasioni për muzikën, kush e ka vërejtur së pari talentin e juaj?

Teuta Kurti: Fatmirësisht kam pasur fatin të jem pjesë e një familje që është marrë me muzikë, konkretisht nëna ime ka studiuar për piano. Po ashtu duhet të theksoj se në familjen time gjithmonë është dëgjuar muzikë e mirëfilltë. Andaj dëshira dhe pasioni im për muzikën kanë qenë vazhdimësi e kësaj.

Talenti im për muzikën e kanë vërejtur normalisht familjarët e mi, qysh në moshën 4 vjeçe, kur kam filluar të këndoj këngë. Madje kam kënduar këngë të Whitney Huston dhe Stevie Wonder.

Kënga e parë që e keni kënduar, a ju kujtohet. Cila këngë ka qenë, mosha dhe ku e keni kënduar. Na flisni për emocionet

Teuta Kurti: Këngën e parë që e kam kënduar zyrtarisht nëse mund të them ka qenë në kompeticionin “Ethet e së Premtes”.

Këtë këngë e kam kënduar në moshën 16 vjeçe dhe ka qenë kënga Fallin’ e Alicia Keys. Emocionet natyrisht se më kujtohen, i kam ende të freskëta, por fatmirësisht gjithçka shkoi mirë dhe kënga u prezantua në mënyrën më të mirë. Duhet të theksoj se juria më ka pritur shumë mirë.

Ju e keni kryer shkollën e mesme të muzikës, pastaj keni vazhduar studimet më tej në Fakultetin e Arteve për solo këndim. Si erdhi deri te vendimi për të studiuar për muzikë?

Teuta Kurti: Unë kam përfunduar Shkollën e Ulët të Muzikës për Piano në Mitrovicë në shkollën ‘Tefta Tashko’. Duke e parë veten që e doja këtë profesion po ashtu edhe prindërit donin dhe më përkrahnin, ishte më e lehtë vendimi për të studiuar për muzikë.

Nga ‘Ethet e së Premtes ’ kanë dalë shumë emra të njohur të muzikës…sikurse ndodhi edhe me juve. Çka ju kujtohet nga ky kompetencion, gjegjësisht çka ju dha ky kompeticion?

Teuta Kurti: Kompeticioni ‘Ethet e së Premtes’ më dha titullin artiste. U bëra këngëtare e nje muzike serioze, e këndimit LIVE. Për tre muaj aty mora një përvojë të paharruar. Falenderim i veçantë këtij kompeticioni, sepse falë tyre jemi në rrugën e artit sot.

Pas ‘Etheve të së Premtes’, juve ju është hapur rruga për të marrë pjesë në shumë festivale, pra një angazhim intensiv. Cili ishte raporti juaj me festivalet. A jeni ndarë të kënaqur me pjesëmarrjet?

Teuta Kurti: Unë ndahem e kënaqur edhe kur nuk fitoj dhe kjo nuk do diskutim. Mirëpo me dhimbset shumë kënga, vlera e saj, puna ime që bëj unë aty dhe kompozitori.

Por gjithsesi mendoj që kënga mund të mbijetoj edhe nëse nuk fiton. Publiku është ai i cili ka vlerën më të madhe për mua.

A keni pasur një model të një këngëtari para se të merrni ‘vulën’ e këngëtarit. Nëse po kush ka qenë?

Teuta Kurti: Po kam pasur shumë bende të ndryshme. Por si tip këngëtari të kompletuar, pra model e kam pasur dhe vazhdoj ta kem Stevie Wonder.

Cila është kënga që të ka dhënë më së shumti emocione përgjatë dy dekadave në këtë rrugëtim, qoftë në kompeticione që ke marrë pjesë, qoftë jashtë saj. Pse?

Teuta Kurti: ‘Perendo pa lindur’ është kënga që është punuar me shumë dashuri dhe shumë përkushtim, dhe pikërisht kjo këngë nuk mori asnjë çmim. Por edhe përkundër këtij fakti, kjo këngë e imja deri më sot është më e dëgjuara.

Ju pas krijimit të familjes, e bëtë një ‘pauzë’ nga fesivalet, nga këndimi nëse mund të themi kështu. Pastaj u kthyet në dy festivale, si ishte ajo ndjesia e kthimit pas një angazhimi intensiv që keni pasur?

Teuta Kurti: Normalisht çdo rikthim është i mirë. Festivalet vërtet kanë një rëndësi të veçantë në jetën e një artisti.

Muzika e mirëfilltë, a mendoni se do t’i mbijetojë frymave e zhanreve që po mbretërojnë tani. Si mendoni se mund të shpëtojmë nga kjo?

Teuta Kurti: Nëse vazhdon me këtë avaz nuk do të mund t’i shpëtojë  sepse po ka shumë prurje të muzikës komerciale. Por,  kam shpresë se mund të shpëtojë falë disa artistëve që ende po e mbajnë gjallë muzikën e mirëfilltë.

Në 2022 u ‘rikthyet’ me risjelljen e këngës ‘Margjelo’ …Nga erdhi ideja për rikrijimin e kësaj kënge.

Teuta Kurti: Po u riktheva në skenë me remix-in e këngës “Margjelo”. Përpunimin për “Margjelo” e kam bërë në bashkëpunim me DJ Sill.

Ai ma dha idenë dhe pa hezitim pata vendosur që ta bëjë bashkëpunimin dhe u prit shumë mirë.

A keni menduar ndonjëherë të bëni ndonjë bashkëpunim me Ronën e Vesën, ‘trion’ që e njohin krejt nga ‘Ethet e së Premtes 2’. Kjo sidomos për veçantitë e zërave që i keni?

Teuta Kurti: Patjetër se po, do ta pranoja me shumë kënaqësi, por me të thënë të drejtën nuk është se kemi biseduar shumë lidhur me këtë pjesë.

Ju edhe pse viteve të fundit nuk keni qenë aktive me këngë, ashtu siç mësuam ka kohë që ju jeni mësimdhënëse. Na flisni shkurtimisht për këtë pjesë, ku dhe si po shkon, më shumë detaje nga puna që po bëni?

Teuta Kurti: Po jam mësimdhënëse në shkollën e Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Aty ligjëroj lëndën e Solfezhos tash e 13 vite.

Po ashtu jam mësuese e muzikës në shkollën “Don Bosko” për ciklin e ulët. Por përveç kam shumë nxënës të cilët i mësoj, pra privat për solokëndim dhe piano.

Është puna më e dashur, më e mirë të merresh me fëmijët, gjegjësisht puna më e mira që mund ta ketë dikush.

Mësimdhënia përveç që u jep dije nxënësve, unë më shumë marrë prej tyre. Pra, është zingjirore. Po ashtu jam pjesë e Operas së Kosovës.

Po ashtu e keni pasur një rol për përzgjedhjen e fëmijëve për të marrë pjesë në kompeticione në Shqipëri. Kjo në kuadër të kujt është organizuar. Cilat janë kriteret e konkurimit?

Teuta Kurti: Po kam pasur fat të jem si përzgjedhëse e këngëtarëve  të ‘Voice “ dhe “The Voice Kids Albania”.

Kënaqësi të punosh me talente dhe fëmijë të ndryshëm arti. I falenderoj që e kanë besimin te unë.

Sa është e vështirë të bëhet kjo përzgjedhje e fëmijëve, duke e ditur se edhe ju keni kaluar në këtë rrugë?

Teuta Kurti: Shumë sepse ka shumë talente të cilët ndodh që nuk e kanë momentin e tyre andaj u jepet kohë dhe kurajo shumë.

A presim që Teuta t’i kthehet këndimit sikur në fillim. Nëse po kur, nëse jo, pse?

Teuta Kurti: Nuk kam vendosur ende saktësisht se kur dhe me çka do të rikthehem. Kjo për shkak të angazhimeve…Ka një kohë që më merr Opera e Kosovës të cilën punë e punoj me shumë dashuri e kënaqësi.

Cilat janë angazhimet e juaja tani për tani, a jeni duke punuar në ndonjë projekt muzikor, apo ndonjë projekt tjetër?

Teuta Kurti: Tash kemi përfunduar Meshën e Verdit me Filarmoninë e Kosovës dhe Operën, derisa jemi në pritje të fillimit të shfaqjes tjetër të Operas, premierë.

Porosia juaj për artistët e rinj, ata që duan t’i hyjnë rrugës së muzikës?

Teuta Kurti: Të punojnë shumë, të ushtrojnë shumë dhe asesi të ndikohen nga rrethi. Të ndjekin endrrën e tyre e cila nuk do ti zhgenjëj asnjëherë. /ObserverKult


teuta kurti

Lexo edhe:

TEUTA KURTI: NJË LULE QË M’KA ÇIL’ TASH (TEKSTI DHE KËNGA)

Kënga “Një lule që m’ka çil’ tash” e kënduar nga Teuta Kurti

Një lule që m’ka çil tash,
aman…
midis shoqeve m’bante dritë

Bukurinë ma ke me naze
n’zemrën teme ke zanë vend

A e din djalë se ç’është maraku,
aman…
ti hala s’e ke provu

Me i vu’ vesh se çka thonë hallku
kishim tretë kishim maru’

Këngën e plotë mund ta lexoni dhe shikoni videon KËTU:

ObserverKult