“THE OLD BRIDGE – URA E VJETËR” – VEPËR ME INTERESIME TË GJERA STUDIMORE

Arjeta Ferlushkaj, pas librit studimor Pasqyrat e postmodernitetit (2012) vjen me librin e saj të dytë, me përmbledhjen studimore The old bridgeUra e vjetër (2020).



Nga Arben PRENDI *

Libri i saj i parë Pasqyrat e postmodernitetit (2012) u prit me interes nga publiku i specializuar në studimin e letërsisë si një studim që do të sillte një studiuese premtuese, në radhën e studiuesve dhe kritikëve të letërsisë shqiptare. Konstatoj me kënaqësi se autorja vijon ta ruajë e ta kultivojë kërkesën për studimin e letërsisë siç na e dëshmon edhe ky libër i saj i dytë, kërkesë të cilën me siguri do të ketë mundësi ta plotësojë më tej në vendbanimin e saj të ri, në mesin e komunitetit shqiptar në Amerikë, komunitet me një histori të gjatë kontributesh e rezultatesh të rëndësishme për mbijetesën e kulturës dhe letërsisë shqipe.

Thelbi i këtij libri të dytë shpreh lidhjen e vijueshme të autores me letërsinë dhe studimin e saj, pavarësisht lëvizjes edhe në zhanre të tjera të përafërta si eseja, recensioni për libra e autorë, shkrimi publicistik etj.

Konceptualisht, vëllimi studimor në katër kapitujt por edhe titulli kryesor “The old bridge-Ura e vjetër” shpreh edhe zhvendosjen e autores në një kontekst të ri, në atë të jetës së komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e të cilit ajo është bërë tashmë, sigurisht duke ruajtur urat e komunikimit me kulturën mëmë por edhe duke u integruar në atdheun e ri. Siluetat e këtyre urave i vërejmë që në pjesën e parë të vëllimit, tek artikulli “Procesi i të lexuarit, sfidat dhe një mundësi për të mësuar”, ku shprehet shqetësimi për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe tek nxënësit e komunitetit shqiptaro-amerikan, për të vijuar me pjesën e dytë ku merret në shqyrtim vepra letrare e një autoreje që është pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan, siç është Albana Melyshi Lifschin, ndërsa në pjesën e tretë dhe të katërt “Ura e vjetër” na nxjerr gradualisht në kontinentin tjetër…

Në pjesën e parë “Shfletime” vihen në dukje rëndësia dhe vlera e veprës letrare dhe joletrare të disa autorëve të traditës apo bashkëkohësisë, të cilët, ose kanë mbetur jashtë vëmendjes së studiuesve ose është thënë shumë pak për ta. Të tillë janë artikujt për veçori të veprës dhe personalitetit të autorëve, si: At Benardin Palaj, At Vinçens Prennushi, por edhe të autorëve të tjerë, si: Ferik Ferrra, Mark Lucgjonaj, Fran Camaj, Alfred Çapaliku, Mentor Quku etj. Këto janë shfletime të rastit por edhe fokusime të përgjithshme mbi vepra të caktuara. Në mbyllje të pjesës së parë, autorja, në artikullin “Procesi i të lexuarit, sfidat dhe një mundësi për të mësuar”, shpreh shqetësimin për një rënie të interesit për leximin e letërsisë nga brezat më të rinj por edhe gjetjen e rrugëve të duhura për t’ua afruar atyre përmes formave më tërheqëse dhe praktike, veçanërisht për nxënësit e shkollave në Shqipëri, por edhe për nxënësit shqiptarë në SHBA. Në këtë artikull autorja e sheh letërsinë, përveçse si një krijim që ngjall përjetime dhe kënaqësi estetike, edhe si një mënyrë efikase për transmetimin e kulturës dhe gjuhës shqipe tek nxënësit me origjinë shqiptare në SHBA.

Në pjesën e dytë “Hulumtime dhe studime”, na shfaqet potenca e autores si studiuese dhe kritike letrare. Përmes një ligjërimi të konsoliduar dhe vënies në përdorim të instrumenteve teoriko-letrare të metodave të ndryshme kritike bashkëkohore, autorja tenton të kryejë interpretime interesante dhe me vlerë mbi veprat letrare të disa autorëve të njohur e më pak të njohur, si: Ernest Koliqi, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Albana Melyshi Lifschin, Ag Apolloni.

Me mjaft interes për studiuesin e letërsisë por edhe për mësuesit e letërsisë apo për të interesuarit e tjerë është qasja kritike ndaj autorëve të sipërpërmendur. Kjo qasje nxjerr në pah vlerat e njëmendta të veprave letrare të bëra objekt si edhe aftësitë e autores për të hyrë në strukturat artistike të këtyre veprave në mënyrë profesionale dhe të guximshme, duke asimiluar përvojat e teorive letrare bashkëkohore të cilat bëhen çelësa për dekodifikimin e mesazheve të fshehta të tekstit letrar apo të mekanizmave me të cilat funksionojnë shtresat tekstuale të veprave të shqyrtuara.

Në artikullin studimor mbi novelat e Ernest Koliqit, autorja zgjedh konceptet e “kujtesës së pavullnetshme” të Prust-it dhe “kohën si vazhdim” të Bergson-it për t‘i aplikuar në zbërthim të kodeve të botës shpirtërore dhe psikologjike të personazheve, por edhe të kodeve të tekstit të fshehura në shtresat e katër teksteve të përzgjedhura. Herë pas here autorja i referohet në analizën e këtyre teksteve edhe psikanalizës së Frojdit (Freud), sipas së cilës fëmijëria ka një rol të rëndësishëm në jetën e mëpasme të njeriut.

Ndërsa, në artikullin kushtuar teknikave narrative që përdor në tregime e novela shkrimtarja Elvira Dones ajo veçon elemente kompozicionalë dhe narrativë, si: mbyllja unazore, analepsën dhe prolepsën, futjen e elementit rast, lojën me kohën dhe hapësirën ndërsa nga ana tematike vlerëson se prozat e Dones paraqesin tjetërsimin e njeriut nën diktaturë, stadin e ri të tjetërsimit të njeriut modern dhe qëndrimin se fati i njeriut është gjithnjë paradoksal.

Mund të vihet re se, në këto punime autorja synon me qëllim apo intuitivisht të pranëvejë autorë të afirmuar me autorë më pak të afirmuar apo më pak të studiuar, siç është rasti me Koliqin dhe Dones apo Ridvan Dibrën dhe Ismail Kadarenë, Albana Melyshi Lifschin e Ag Apollonin. Në fakt hapësirën më të madhe në këtë kapitull e zënë studimet për autorët që krijimtarinë e tyre e botuan pas vitit 1990 dhe në mënyrë të veçantë autori Ridvan Dibra, vepra e të cilit ka qenë objekt shqyrtimi nga autorja edhe në librin e parë “Pasqyrat e postmodernitetit” (2012) por që tashmë analizohet dhe interpretohet nga pikëvështrime të tjera. Në interpretimet e reja për veprën e Ridvan Dibrës studiuesja është fokusuar në veprat Triumfi i Gjergj Elez Alisë, Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë, Nudo, Mjerimi i gjysmës, Franc Kafka i shkruan të birit, Kanuni i Lekës së Vogël etj. Edhe këtu ajo e zgjeron gamën e kërkimeve dhe inventarizimeve në drejtim të elementeve postmoderne në prozat e këtij autori, veprën letrare të të cilit studiuesja e përshkruan të pasur me veçori dhe tipare të letërsisë postmoderniste. Besoj se kontributi i interpretimeve kritike të lidhura me këtë autor do të përbëjnë një ndihmesë me vlerë për studiuesit e tjerë që mund të merren me veprën e tij letrare në të ardhmen. Përmes këtyre studimeve, ajo ofron disa mundësi praktike dhe teorike për t’iu qasur teksteve “problematike” dhe “provokative” të shkrimtarit Ridvan Dibra.

Në veçanti, studiuesen e kanë intriguar elementët e letërsisë moderne dhe postmoderne në strukturat artistike të veprave letrare të autorëve shqiptarë bashkëkohorë, në strukturat narrative dhe kompozicionale si edhe në ato semantike. Kërkimi i saj mëton të gjejë dhe të inventarizojë se si funksionojnë këto struktura në raport me veçori të tjera të veprës letrare dhe çfarë ndikimi kanë ato tek vlera estetike e tekstit letrar.

Zakonisht, një pjesë e studiuesve të letërsisë preferojnë të merren me vepra dhe autorë të konfirmuar për vlerat e veprës së tyre letrare. Studiuesja Arjeta Ferlushkaj guxon edhe në këtë drejtim ta thotë fjalën e saj, ndaj me interes janë edhe artikuj studimorë për shkrimtarë pothuajse të pastudiuar siç është rasti i shkrimtarit shkodran Qemal Draçini (1922-1947), i cili vdes në moshë fare të re për shkak të torturave në burgjet komuniste. Në artikullin në fjalë studiuesja merr në shqyrtim tregimin “Era” si një shembull të qartë të talentit të ndërprerë të një prozatori që premtonte shumë të ishte ndër shkrimtarët e rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe, nëse nuk do të binte mbi të kazma e diktaturës komuniste, e cila synoi ta varroste përgjithmonë edhe veprën e tij letrare. Pjesë e kësaj kurajoje profesionale janë edhe studimet për vepra letrare të shkrimtarëve Albana Melyshi Lifschin dhe Ag Apolloni. Albana, një nga shkrimtaret e talentuara, pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan e Agu një nga shkrimtarët e talentuar të brezit më të ri në Kosovë. Kësisoj, studiuesja  ka përvijuar, me siguri jo rastësisht, edhe një përfaqësim simbolik të degëve të letërsisë tonë kombëtare.

Në artikullin për romanin Yjet nuk janë të kuq, evidentohen mjetet që janë përdorur për të ndërtuar autenticitetin brenda rrëfimit artistik si dhe shqyrtohet lloji dhe roli i komunikimit që veprat e kësaj autoreje ndërtojnë njëra me tjetrën (dialogimi). Shqyrtimi në roman i raporteve ndërmjet fakteve të jetës reale dhe atyre fiksionale, ndërmjet jetës nën regjimin komunist në Shqipëri dhe përpjekjes për integrim të emigrantëve në SHBA, përbën një nga synimet e këtij studimi që nxjerr në pah natyrën e veçantë të veprës letrare të shkrimtares Albana Melyshi Lifschin.

Artikulli për librin Mesjeta ime të shkrimtarit Ag Apolloni është ndër më interesantët e këtij vëllimi dhe përveç zhdërvjelltësisë në përdorimin e termave kritikë, tek autorja dallohet edhe frymëzimi për të provuar klasifikime kundra rrymës apo kundra termave tradicionalë me të cilët zakonisht klasifikojmë se kur një tekst përbën një tekst letrar, poezi, tregim apo roman. Kjo edhe për shkak të lëvizshmërisë së natyrës së tekstit të veprës në fjalë, tekst që kalon herë nga domeni i tekstit letrar e herë nga domeni i tekstit eseistik autobiografik apo tjetër fare. Duke qenë një vepër kapriçioze (studiuesja e pranëvë me roman-à-clef, roman çelës, term i Madeleine de Scudéry) me një tekst të luhatshëm dhe vështirë të klasifikueshëm, studiuesja zgjedh t’i qaset duke çmontuar kodet e saj si mënyra më interesante për të komunikuar me veprën, por edhe për t’ia zbuluar atë lexuesit të mundshëm. Kjo tentohet përmes analizës dhe interpretimit të pesë kodeve të aplikuara në vepër: Inventio (Eurexis), Dispositio (Taxis), Elocutio (Lexis), Memoria (Mnemoa), Pronuntiatio (Hypocrisis).

Në pjesën e tretë të vëllimit: “Urat e shtypit shqiptar të diasporës”, në artikullin për gazetën “Albania” (1897-1909) të drejtuar nga Faik Konica, autorja thekson rolin e tij në programin dhe orientimin e “Albania-s” drejt kulturës evropiane perëndimore. Roli i kësaj gazete në krijimin e një fryme dhe letërsie kritike të shkëputur nga propaganda e thatë atdhetare lidhet pazgjidhshmërisht me idetë dhe projeksionet që kishte Konica për kulturën shqiptare. Konica me “Albaninë” e tij u bë një parapërgatitës edhe i zhvillimeve të letërsisë dhe kulturës shqiptare në fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit XX. Siç e analizon edhe autorja në këtë artikull, vërtetë që “Albania” cilësohet si kryevepra e tij, e cila duhet parë edhe si urë që lidhi e përtëriu lidhjet e kulturës shqiptare me atë evropiane perëndimore dhe merita padyshim i takon Faik Konicës, i cili e shihte shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve vetëm duke ndjekur modelin e jetës dhe kulturës së qytetërimit evropian perëndimor.

Me mbylljen e “Albanisë”, Konica do t’i përkushtohet bashkë me Fan Nolin gazetës tjetër “Dielli” në Amerikë, e cila pati një jetë më të gjatë… Në artikullin në vijim, i kushtohet rëndësi rolit dhe misionit të gazetës “Dielli” për ndriçimin dhe afirmimin e kulturës kombëtare, por edhe për ruajtjen e identitetit të saj në rrethanat jetësore të komunitetit shqiptar në Amerikë përgjatë një shekulli e në vijimësi. Siç shtjellohet edhe në këtë artikull, gazeta “Dielli” u bë një universitet për emigrantin shqiptar në botën e re. Autorja konsideron se gazeta “Dielli” vijon misonin e saj edhe në ditët tona duke ruajtur ato parime e motive që ishin në themel të krijimit të saj, pavarësisht ndryshimeve e përshtatjeve me kohën dhe rrethanat e reja në të cilat ajo botohet. Studiuesja vë në dukje, me këtë rast, lidhjet mes shoqatës “Vatra” dhe gazetës “Dielli”, lidhje të cilat i shërbejnë komunikimit me komunitetin shqiptar dhe përcjelljes së mesazhit se ata nuk janë vetëm…

Në pjesën e katërt të librit: “Modele suksesi, kemi dy shkrime publicistike të kushtuara modeleve të suksesshme të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, artikulli për dr.Ermira Babamusta dhe organizatën shqiptare “Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots”. Përmes këtyre artikujve, autorja dëshiron të përçojë mesazhin se përmes punës dhe angazhimit shqiptarët që jetojnë në Amerikë mund t’ia dalin madje me sukses deri në nivelet më të larta të administratës amerikane si shembulli i dr. Ermira Babamustës, drejtoreshë e fushatës elektorale për presidentin Obama, e vlerësuar për punën dhe angazhimin e saj me çmime e tituj të lartë, apo shembulli i aktivistëve të organizatës “Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots”, e cila luan një rol të rëndësishëm në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Pjesa më e madhe e artikujve dhe studimeve të paraqitura në këtë vëllim studimor janë botuar në disa organe të shtypit dhe në revista shkencore të profilizuara në studimet letrare, pra e kanë kaluar filtrin e verifikimit të disa vlerave thelbësore që duhet të kenë punime të kësaj natyre. Mbetet që me këtë botim të zgjerohet rrethi i receptimit të tyre, duke synuar publikun e specializuar në fushat që u përkasin artikujt, por edhe publikun tjetër që përveç studimeve të thelluara në çështje teorike të veprës letrare, mund të gjejnë artikuj formues dhe informues të vlefshëm për autorë, vepra, figura e personazhe të botës shqiptare. Pra, kategori me interesa të ndryshme kulturore mund të gjejnë veten në secilën nga pjesët e këtij vëllimi studimor.


* Prof. as. dr. Arben Prendi është drejtor i Departamentit të Letërsisë pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. 

ObserverKult