Thënie nga Albert Kamy: Pas njëfarë moshe, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij…

Albert Kamy ishte shkrimtar, filozof, publicist, dramaturg, eseist, punoi gjithë jetën e tij për revoltën kundër dhunës, shtypjes, tiranisë, dhunës së jashtme dhe të brendshme, absurdit, diktatit.

Krijimtaria e tij e gjerë përfshinë pjesë teatrale, romane, novela, poema dhe ese, ku autori zhvillon kryesisht temat e absurdit dhe revoltës si kundërpërgjigje e qenies.

Në vazhdim ObserverKult ua sjell disa thënie të tij:

– Budallenjtë këmbëngulin gjithmonë.

– Njerëzit bëjnë sikur e respektojnë drejtësinë, por ata i gjunjëzohen vetëm forcës.

– Njeriu është e vetmja krijesë që refuzon të jetë çfarë është.

– Shtypi i lirë mund të jetë i keq ose i mirë, por pa lirinë nuk mund të jetë tjetër përveçse i keq.

– Pas njëfarë moshe, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij.

– Kush nuk jep asgjë, asgjë s’i mbetet.

– Të të bëhet zakon dëshpërimi është më keq se vetë dëshpërimi.

– Pasioni më i madh i këtij shekulli është servilizmi.

– Sa krime janë kryer vetëm sepse autorët e tyre nuk mund të duronin ta kishin gabim.

– Të krijosh është t’i japësh formë fatit tënd.

– Ndershmëria nuk ka nevojë për rregulla.

Albert Kamy

I nderuar në moshën 44-vjeçare, me Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1957, Albert Kamy është fituesi i dytë më i ri në histori.

Albert Kamy (1913-1960) ishte përfaqësues i letërsisë franceze jo metropolitane. Origjina e tij në Algjeri dhe përvojat e tij atje në vitet ’30, ishin ndikime dominuese në mendimin dhe veprën e tij.

Ai është më i njohur për romanet e tij “I huaji” (1942), “Murtaja” (1947) dhe “Rënia” (1956). Kamy u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë e vitit 1957. Motivimi: “për prodhimin e tij të rëndësishëm letrar, i cili me një seriozitet të qartë ndriçon problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohët tona”.

Albert Kamy përdori romanin e tij debutues, “I huaji” (1942), si një platformë për të eksploruar absurditetin. Ky ishte koncepti qendror për shkrimet e tij dhe në thelb të trajtimit të pyetjeve rreth kuptimit të jetës. Në veprën e tij, Kamy trajtoi tema që varionin nga tjetërsimi deri te pamjaftueshmëria e vlerave tradicionale.

Ishte një figurë kryesore letrare në mesin e shekullit të XX. Ai shkroi gjithashtu një ese filozofike me ndikim, “Miti i Sizifit” (1942) dhe disa pjesë skenike, duke përfshirë Kaligula (1945), një prodhim historik në Teatrin e Absurdit.

Vdiq më 4 janar 1960, afër Sens, Francë.

Përgatiti: A. S.- ObserverKult

——————————

Lexo edhe:

DE NIRO: NUK TË NEVOJITEN GJITHMONË FJALËT PËR TË SHPREHUR NDJENJAT…