Barije Karabollaj, është gruaja të cilën shkrimtari Agron Tufa e përmend se është një shembull i dhimbjes, sakrificës, qendresës dhe dinjitetit njerëzor.
Bahrija ka shkruar një letër personale për shkrimtarin, me fjalë të thella e prekëse për gjithë kontributin që Tufa ka dhënë në krye të Institutit të Studimeve të Krimeve Komuniste, duke denoncuar publikisht autorët e krimeve, dhe atyre që dikur ishin persekutor dhe sot janë sërish në pushtet.
Kjo ishte arsyeja që e detyroi shkrimtarin të linte Shqipërinë dhe të kërkonte azil politik, duke u larguar nga vendi. Kjo është e pashembullt në një vend demokratik, por ngaqë në këtë vend krimet e komunizmit nuk janë ndëshkuar, protagonistët e tij, ata që sot ende rrojnë kanë ngritur krye.
Tufa ka marrë kërcënime prej të cilave nuk mori asnjë mbrojtje shtetërore, as garanci për jetën, duke lënë të nënkuptuar se komunizmi de fakto vazhdon të mbajë peng politikën në Shqipëri.
Por, ja një qytetare, ish e dënuar politike, përcjell një letër të dhimbshme, prekëse e me dinjitet për shkrimtarin, prej së cilës Tufa jep përgjigjen. Po botojmë të plotë letrën e Barije Karabollit dhe si e nderon shkrimtari qytetaren.
Barije Karabollaj shkruan:
“Ti ishe shpresa ime.
Per ty o njeri i mire Agron Tufa.
Dua t’i shkruaj dy rreshta, se ti ishe shpresa ime, por jo, se harrova që në atë vend nuk ka vend për njerëz të mirë.
Po mendova se shpresa vdes e fundit, ja që nuk qenka e vërtetë kjo e thënë.
Se në atë vend o miku im, edhe Zoti të zbresi në tokë nuk ja del dot.
Ashtu e qete dhe duke menduar, me ato sy si gjithmonë e humbur m’u kujtua një film.
Ku një shqiponjë e plagosur fluturonte, shumë herë i afrohej tokës.
Unë ngelesha me drithërima në shpirtë, frika ime se nuk do ja dilte dot.
Por jo, nuk u rrëzua.
Ajo fluturoj lartë e më lartë.
Pra dua të them, se çdo gjë që flitet dhe shkruhet do fundin por edhe kuptimin.
Kjo ka qenë frika ime edhe per ty miku im, se mos ndonjë do të godiste pabesisht.
Po kelyshët nuk e dinë, se zagarët zënë lepurin, por jo kurrë një shqiponjë.
Ti për mua dhe për shumë shqiptarë të vrarë, e të vuajtur je një hero i gjallë dhe engjëjt e qiellit të kanë zgjedhur ambasadorin e tyre.
Se janë të bindur, që ti kudo të jesh do të luftosh për të vërtetën.
Para disa muajsh lexova nje shkrim te poetit Kujtim Cekani ku te bente pyetje; kush je ti Agron Tufa.
Unë e di kush je ti.
Ti je ai shpëtimtari i dhimbjeve të të gjithëve atyre nënave që ua therën femitë për gjak.
S’kishte si të ndodhte ndryshe.
Të detyruan të braktisje atdheun dhe gjithë engjëjt që ishe e vetmja shpresë.
Nuk të lanë miku im.
Po ti prapë je dhe do të jesh shpëtimtari i dhimbjeve, me penën tënde të artë.
Dhe me shpresë se një ditë Zoti atë vend të bekuar, do e shpëtoj nga kriminelët komunistë.
Njerëzit kërkojnë Zotin ta shikojnë me sy.
Nuk e kuptojnë dot se Zoti është prezent në sytë në zemrën në shpirtin e të gjithë atyre që japin shpresë për të sëmurët, për të humburit, për të vrarët.
Zoti është prezent në të gjithë ata/ato, që japin dashuri e respekt për njeri-tjetrin.
Ndaj ti miku im ishe një shpresë, dritë nga Zoti dhe unë akoma shpresoj.
Thonë të vdekurit nuk flasin, por kjo nuk është e vërtetë.
Të vdekurit flasin më shumë se të gjallët.
Ndaj njerëzit me dritë perëndie në shpirtë dëgjojnë, shikojnë, flasin edhe gjuhën e të vdekurve.
Ata që kujtojnë se shuan shpresën time dhe të shumë të tjereve, kanë frikë nga të vdekurit.
Dhe një ditë, të vdekurit do të jenë gjykatësit e tyre.
Edhe që duart kanë filluar më dridhen nga e shkreta sëmundje, nuk mund të rrija pa i shkruar këto vargje.
Ti gjithmonë do të ngelesh për mua njeriu i parë, që i dhe dritë shpresës time.
Zoti të bekoftë miku im fisnik Agron Tufa.”
Ja përgjigja e shkrimtarit Agron Tufa:
“E dashur zonjë Barije Karabollaj, faleminderit që më çmon kaq shumë! Jeni ju shembulli i dhimbjes, sakrifikimit, qëndresës dhe dinjitetit njerëzor që na jepni kurajë për të mos u pajtuar me të keqen, për të mos harruar plagët e për të denoncoar krimin. Nëse ne si shoqëri nuk jemi të aftë ta ndjejmë dhimbjen tuaj njësoj si tonën, ose pothuaj njësoj, e ardhmja jonë ka dështuar dhe ne nuk e meritojmë atë. Ka shumë forma për ta luftuar krimin çnjerëzor komunist dje dhe trashëgiminë e tij sot. Secili mund të bëjë diçka sipas mundësisë. Vetëm kështu e vetëm atëherë ne do të jemi së bashku; vetëm atëherë i qetësojmë, së bashku, shpirtrat e pafajshëm që i mori dora katile e vfasësve; vetëm në këtë mënyrë do gjejmë pak ngushëllim në këtë botë të ashpër të ndarë në sojlinj si ju, dhe sojsëzë si fytyrat e kriminelëve të djeshëm, që jo vetëm nuk u ndëshkuan, por bëjnë karierë e pasuri”.