“Ti je lodhur…”, Leka Sefla lexon poezinë e Edward E. Cummings

Ti je e lodhur,
(mendoj)
nga ky mister i
vazhdueshëm i të jetuarit e
vepruarit.
Edhe unë.

Ndaj,
eja me mua
të ikim larg e më larg-
(veç unë dhe ti, kupton!)

U argëtove,
(mendoj)
dhe i bëre copë e çikë lodrat
e tua më të shtrenjta,
e tani disi e lodhur je;
E lodhur nga gjërat që
thyhen, dhe-
Thjesht e lodhur.
Edhe unë.

Por sonte vij me një ëndërr
në sytë e mi,
dhe trokas me një trëndafil
në portën e pashpresë të
zemrës sate-
Hapma!
Do të të rrëfej për vende që
Askush s’i di,
e nëse do,
vendin e përsosur për të
marrë një sy gjumë.

Ah, eja me mua!

Hënën do ta shfryj, atë bulë
të mrekullueshme,
që kurdoherë pluskon dhe
një ditë;
do t’këndoj këngën
e zymbylit
të yjve të mundshëm;

Do kuturis nëpër stepat e
qetë të ëndrrës
derisa të gjej Lulen e Vetme
që do ta ruajë (mendoj)
zemrën tënde të vogël
kur hëna del nga deti

Përktheu: Beti Njuma