Ti je më i fortë se ky spital…të lutem mos u bë hije!

Dajo, ka kohë që ushtarë të paftuar ta bëjnë ugar shpirtin. Atë shpirtin tënd të bardhë tebeshir erdhën padukshëm si llambë e djegur me mall të zjarrtë. Vrapojnë si morrnicë në shpinën tënde të mpirë si nata.

Nga Arlind Farizi

Hanë, pinë si pushtues të diçkaje të çmuar. Të çmuar sa jeta (Ndoshta më herët s’do të na kishte shkuar mendja kurrë te ky krahasim as mua, as ty!). Kanë meny të pasur, dajo, mushkëri të bardha e të zeza. Hanë mish, pinë gjak e limfë… Sosin ëndrrat e të një gjalli…
Dajo, vetëm ti e di se sa dhembje ke kur ndjen se si harxhohesh përditë, kur ndjen se si zvogëlohesh, tretesh… Dajo, ka kohë që ti je arenë virusesh. Je arenë ku vdekja nget me shpejtësi ere. Je betejë mes virusit dhe hemoterapisë…
Dajo, e ndjej thellë pafuqinë ndaj këtij ligji mjekësor. Dajo, Ti do ta fitosh këtë luftë si çdo tjetër në jetë. Ti do t’i kthehesh vetvetes sërish si mikut më të mirë. Si një gruaje që u pjesëtua dikur në dhjetëra letra e fotografi matanë mureve të mallit e që sot mbase vjen në kokën tënde kur bën bilancin e asaj që humbe e fitove në kaq pak jetë, kaq pak gëzime e rini.
Ti do jetosh shumë gjatë… Ti nuk do majmesh nga vdekja, jo!
Dajo, Ti sëmundjen e mat me kilogramë e centimetra dhe nuk të brengos hijeshia, as flokët e rrëzuara. Dje e kërkove një pasqyrë që m’u bë se i rash qark botës për të ta dhënë në dorë. Pastaj pashë si bëre Gjergj Elez Alinë para Bajlozit të rëndë që dikur qe fytyra jote.
Dajo, kur të shoh të vetmuar, të strukur nën një batanie të ngrohtë si shpirti yt, më vjen të të kap, të përqafoj fort. Pastaj të ulem afër teje e përsëri të ngrihem dhe përsëri të të përqafoj… Dhe përsëri, deri në tejngopje.
Dajo, Sa herë kam dashur të të tregoj dashurinë time. Sa herë kam provuar të të them je më shumë së një dajë. Se ti i dije më mirë se çdokush gabimet e mia, se ti dije butësisht të korrigjoje nipin tënd. Se ti ishe gati të shtije pushkë për mua…
Daja nuk është ai burri i shtëpisë së nënës që ka kultivuar mbrojtjen e motrës e të gjithçkaje që ajo e ka të shenjtë e të shtrenjtë. Daja është miku, është ai i riu që e ke vëzhguar më gjatë si vishej, si krihej, si e mbante briskun dhe që doje të ishe ai kur të rriteshe, që doje të të rrëfente historira kur të plakej. (O zot, aq i sigurt qesh se ai do të plakej).
Dajo, më dhimbsesh shumë. Kur ti e nis fjalinë dhe nuk e nxjerr dot në fund nga kollitja e thatë, kur mundohesh të ngrihesh në këmbë e ne duam të të ndihmojmë, e kur dëgjojmë atë frazën klishe të atij që po ligështohet: ”Jam ende i fortë”…
Ti je më i fortë se ky spital dhe e mban në shpinë këtë mbrëmje të fundit me krahët që i ke endur mbi male. Dajo, mos u bëj hije. Je ende gjallë, është vetëm një sëmundje dhe fat i paracaktuar që ti do ta kalosh si rufën. Të lutem mos u bën hije… se njeriu vetëm njëherë e humb trupin… Dajo, Ti s’do të shkosh kurrë harresës. Do jesh gjeth i blertë në kujtimet tona.
Dajo, ti je mes skajeve të kordeles së quajtur jetë. Në mes-jetë. Të shtrëngon keq sëmundja. Të lidh si Laokont. Dajo, ti s’duhet të vuash kësi dënimesh E ka gabim Atena… Dajo,ti je Trojë e pamposhtur… Mes grilave të kraharorit tënd rri një zemër e madhe, me përmasa bote. Dajo.
Ajo zemër s’bën të pushojë.
Më bien ndërmend ditët e peshkimit, grepi yt zinte trofta të vogla, imi yje. Ti poeti, thoshe, ata nuk zënë gjëra që mund të piqen në zgarë. Qeshnim të dy. Mua më vinte plasje që shkruaja vjersha dhe s’mund të isha i shkathtë sa ti. E ti mu për atë më doje. Se shkruaja vjersha. Të premtoj, dajo, se gjithë jetën time një poezi të mirë do ta bëj. Sall një, sall një xhevahir…
Sëmundja jote më bëri të kuptoj se vija e jetës në dorën tënde gënjen. Nuk u besoj më shenjave të fatit. Edhe zodiakun e dëshpëron, e tëhuajëson nga shpresa kjo sëmundje me emër insekti, Dajo.
Kur të shoh ashtu, brenda meje lind një zog dhimbjeje dhe malli që cicëron heshtazi varur në një degë shpirti. Dajo, më fal, s’mund të qaj. Po nxjerr xixa kristali. Sëmundje monotone si pizhamet e tua përlyer me jod. Horizonti i ftohtë si diagnoza e mjekut, shkruar latinisht që kërcejnë e zhduken në një tingull shiu… Dajo, tani kur unë po shkruaj për ty sëmundja jote del e m’i mbyt metaforat përnjë. Viruse kriminele që gjuajnë pa gabime…
Dajo,ky tekst është i mbështjellë me pikëllim. E ti s’ke për ta lexuar kurrë. Sapo ta mbaroj, do ta mbys, do ta cof. Dajo, e varros çdo metaforë të botës në këmbim të një dite tënden më shumë pa dhembjet e trupit. Bëhu e gjallë ëndërr mjekësore!

Bëhu më mirë! Dajo, Mos ik! Mos e mbush natën me akthe. Beso në përjetësi, Sëmundja jote sall një dhimbje është. Një dhimbje që nesër do ta shpallim të paqenë.
Kjo orë e familjes ka për të ndaluar bashkë me dhimbjet e tua. Vetëm erë e jodit ka për të mbetur në hundët tona për mijëra vjet. E ndjej, hapa të zinj afrohen, e qarkojnë shtëpinë. Dhimbja, kjo fqinjë jona e heshtur, me tonelata e rëndë, po shpërngulet, por skush s’do të banojë më në dhomën e saj. Errësira që andej do të na gërryejë sa të jemi gjallë. Shpinës më bien mijëra shkopinj të ujtë…

ObserverKult


rekomandime leximi nga arlind farizi

Lexo edhe:

ARLIND FARIZI: NANA E DJEGUR…

Nga Arlind Farizi

Nana u kollit ndryshe. Thellë, e u rra. Nana po ikte… Thirra ndihmën e shpejtë. E ajo erdhi shumë ngadalë! Rrugën nga fshati deri në qytet qe e gjatë dhe e frikshme. E prekja nanën, ka shpina, fytyrën e saj plot rrudha mundimi, për m’i thënë se jam këtu me ty, se ti m’ke dhënë mua jetën, e unë ty, unë ty, vetëm pak kujdes.

Nana merrte frymë shumë, e hapësira e veturës së ndihmës së shpejt qe e vogël. Nana donte 02.

Lutesha rrugës. Nan’ rri e gjallë. E atje po të dërgojmë, në atë spital që sigurisht është shtëpi shprese e mbijetese, tek ajo kuti plastike në formë spitali modular të lutem dil e gjallë!

Nan, ka pakëz vende boshe, kjo kuti shprese, prej plastike, e korridore të ngushta frike,  por do intervenoje diku nan’ kam shokë, e ndoshta  na e bëjnë një vend…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult